Albanian(i)
1 Ndodhi në ditën e tetë që Moisiu thirri Aaronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit,
2 dhe i tha Aaronit: "Merr një viç për flijimin për mëkatin dhe një dash për një olokaust, që të dy pa të meta, dhe ofroji para Zotit.
3 Pastaj do t'u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: Merrni një cjap për flijimin për mëkatin, një viç dhe një qengj, që të dy motakë, pa të meta, për një olokaust,
4 një dem të vogël dhe një dash për flijimin e falënderimit, për t'i flijuar përpara Zotit, dhe një ofertë ushqimesh, të përziera me vaj, sepse sot Zoti do t'ju shfaqet".
5 Dhe kështu ata sollën përpara çadrës së mbledhjes atë që Moisiu kishte urdhëruar; dhe tërë asamblea u afrua dhe qëndroi në këmbë përpara Zotit.
6 Atëherë Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ju ka urdhëruar; bëjeni dhe lavdia e Zotit do t'ju shfaqet".
7 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Afroju altarit; paraqit flijimin tënd për mëkatin dhe olokaustin tënd, dhe bëj shlyerjen për vete dhe për popullin; paraqit gjithashtu ofertën e popullit dhe bëj shlyerjen për ata, siç ka urdhëruar Zoti".
8 Kështu Aaroni iu afrua altarit dhe theri viçin e flijimit për mëkatin, që e kishte për vete.
9 Pastaj bijtë e tij i paraqitën gjakun dhe ai ngjeu gishtin e tij në gjak dhe e vuri atë mbi brirët e altarit, dhe derdhi mbetjen e gjakut në bazën e altarit;
10 por dhjamin, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë të flijimit për mëkatin, i tymosi mbi altar ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
11 Mishin dhe lëkurën përkundrazi i dogji jashtë kampit.
12 Pastaj theri olokaustin; bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin.
13 Pastaj i dhanë olokaustin e bërë copë-copë dhe kokën; dhe ai i tymosi mbi altar.
14 Lau zorrët dhe këmbët dhe i tymosi bashkë me olokaustin mbi altar.
15 Pastaj paraqiti ofertën e popullit. Mori cjapin, që ishte flia për mëkatin e popullit, e theri dhe e ofroi për mëkatin, si ofertë të parë.
16 Pastaj paraqiti olokaustin dhe e ofroi sipas rregullit të caktuar.
17 Paraqiti pas kësaj blatimin e ushqimit; mori një grusht prej tij dhe e tymosi mbi altar, përveç olokaustit të mëngjesit.
18 Theri edhe demin e vogël dhe dashin, si flijim falënderimi për popullin. Bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin.
19 I paraqitën dhjamin e kaut, të dashit, bishtin e majmë, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë;
20 vunë dhjamin mbi gjokset, dhe ai tymosi dhjamin mbi altar;
21 por gjokset dhe kofshën e djathtë Aaroni i tundi përpara Zotit si ofertë e tundur, sipas mënyrës që kishte urdhëruar Moisiu.
22 Pastaj Aaroni ngriti duart e tij drejt popullit dhe e bekoi; mbasi bëri flijimin për mëkatin, olokaustin dhe flijimin e falënderimit, zbriti nga altari.
23 Pastaj Moisiu dhe Aaroni hynë në çadrën e mbledhjes; pastaj dolën dhe bekuan popullin. Atëherë lavdia e Zotit iu shfaq tërë popullit.
24 Pastaj një zjarr doli nga prania e Zotit dhe konsumoi mbi altar olokaustin dhe dhjamin; tërë populli e pa, shpërtheu në britma gëzimi dhe u përul me fytyrë për tokë.