Judges 7:2-8

Albanian(i) 2 Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Për mua njerëzia që është me ty është tepër e madhe, që unë të jap Madianin në duart e tij; Izraeli do të mund të mburrej para meje duke thënë: "Éshtë dora ime që më ka shpëtuar". 3 Prandaj shpalli tërë popullit, duke i thënë: "Ai që ka frikë dhe dridhet, le të kthehet prapa dhe të largohet nga mali i Galaadit"". Atëherë u kthyen prapa njëzet e dy mijë burra dhe mbetën në vend dhjetë mijë. 4 Zoti i tha Gedeonit: "Njerëzit janë përsëri shumë; bëji të zbresin në ujë dhe atje do t'i vë në provë për ty. Ai për të cilin do të them: "Ky të vijë me ty", ka për të ardhur me ty; dhe ai për të cilin do të them: "Ky mos të vijë me ty, nuk ka për të ardhur". 5 Gedeoni i vuri njerëzit të zbrisnin në ujë; dhe Zoti tha: "Tërë ata që do të lëpijnë ujin me gjuhë, ashtu siç e lëpinë qeni, do t'i vësh mënjanë; dhe kështu do të veprosh edhe me të gjithë ata që do të gjunjëzohen për të pirë ujë". 6 Numri i atyre që lëpinë ujin duke e çuar në gojë me dorë arriti në treqind veta; gjithë të tjerët u gjunjëzuan për të pirë ujë. 7 Atëherë Zoti i tha Gedeonit: "Me anë të treqind burrave që lëpinë ujin unë do t'ju shpëtoj dhe do t'i jap Madianitët në duart e tua. Gjithë të tjerat le të kthehen në shtëpitë e tyre". 8 Atëherë treqind burrat morën në duart e tyre ushqimet dhe boritë e tyre; kështu Gedeoni i ktheu tërë burrat e tjerë të Izraelit, secilin në çadrën e tij, por mbajti me vete treqind burrat. Kampi i Madianit gjendej poshtë tij, në luginë.