Judges 7:13-23

Albanian(i) 13 Kur arriti Gedeoni, një burrë po i tregonte një shoku të vet një ëndërr që kishte parë dhe thoshte: "Sapo pashë një ëndërr; më dukej sikur kisha përpara një bukë prej elbi që rrokullisej në drejtim të kampit të Madianit, arrinte në çadër dhe e godiste duke e përmbysur dhe duke e rrëzuar". 14 Atëherë shoku i tij iu përgjegj dhe i tha: "Kjo nuk është tjetër veçse shpata e Gedeonit, birit të Joashit, burrë i Izraelit; në duart e tij Perëndia e ka lënë Madianin dhe tërë kampin". 15 Mbasi dëgjoi tregimin e ëndrrës dhe interpretimin e saj, Gedeoni ra përmbys në shenjë adhurimi; pastaj u kthye në kampin e Izraelit dhe tha: "Çohuni se Zoti ka dhënë në duart tuaja kampin e Madianit!". 16 Pastaj i ndau të treqind burrat në tre grupe dhe i dorëzoi secilit prej tyre bori dhe enë boshe me nga një pishtar brenda; 17 dhe u tha: "Shikomëni mua dhe veproni ashtu si do të veproj unë; kur të kem arritur në kufijtë e kampit, ju do të veproni pikërisht si unë. 18 Kur do t'i bie borisë, unë dhe të gjithë ata që janë me mua, edhe ju do t'i bini borive rreth e qark gjithë kampit dhe do të bërtisni: "Për Zotin dhe për Gedeonin"". 19 Gedeoni dhe njëqind burrat që ishin me të arritën në buzë të kampit në prag të mesnatës, fill pas ndërrimit të rojeve. Ata u ranë borive dhe thyen enët që mbanin në dorë. 20 Atëherë të tre grupimet u ranë borive dhe thyen enët duke mbajtur me dorën e majtë pishtarët dhe me atë të djathtë boritë, dhe filluan të bërtisnin: "Shpata e Zotitt dhe e Gedeonit!". 21 Secili prej tyre qëndroi në vendin e tij rreth kampit; e tërë ushtria armike përkundrazi filloi të rendë, të bërtasë dhe të ikë me vrap. 22 Ndërsa treqind burrat u binin borive, Zoti e ktheu shpatën e secilit kundër shokut të tij në tërë kampin. Ushtria armike ia mbathi në Beth-Shitah në drejtim të Tserahut, deri në buzë të Abel-Meholahut pranë Tabathit. 23 Atëherë Izraelitët e Neftalit, të Asherit dhe të tërë Manasit u mblodhën dhe i ndoqën Madianitët.