Judges 19:16-21

Albanian(i) 16 Pikërisht në atë kohë një plak po kthehej në mbrëmje nga puna e tij në ara; ai ishte nga krahina malore e Efraimit dhe banonte si i huaj në Gibeah, por njerëzit e vendit ishin Beniaminitë. 17 Me të ngritur sytë, pa kalimtarin në sheshin e qytetit. Plaku i tha: "Ku po shkon dhe nga po vjen?". 18 Leviti iu përgjegj: "Po shkojmë nga Betlemi i Judës në drejtim të pjesës më të largët të krahinës malore të Efraimit. Unë jam që andej dhe kisha vajtur në Betlem të Judës; tani po shkoj në shtëpinë e Zotit, por nuk ka njeri që të më presë në shtëpinë e tij. 19 Megjithatë ne kemi kashtë dhe bar për gomarët tanë dhe bukë e verë për mua, për shërbëtoren tënde dhe për djalin që është bashkë me shërbëtorin tënd; nuk na mungon asgjë". 20 Plaku i tha: "Paqja qoftë me ty! Megjithatë më lejo të kujdesem për çdo nevojë që ke; por ti nuk duhet ta kalosh natën në shesh". 21 Kështu e çoi në shtëpinë e tij dhe u dha ushqim gomarëve; udhëtarët lanë këmbët, pastaj hëngrën dhe pinë.