Albanian(i)
1 Pjesa që iu dha me short fisit të bijve të Judës, simbas familjeve të tyre, shtrihej deri në kufirin e Edomit, në shkretëtirën e Tsinit, në skajin jugor.
2 Kufiri i tyre jugor fillonte në skajin e Detit të Kripur, nga kepi që drejtohet në jug,
3 dhe zgjatej në jug në drejtim të të përpjetës së Akrabimit, kalonte nëpër Tsin, pastaj ngjitej në drejtim të Adarit dhe kthente nga ana e Karkaas;
4 kalonte pastaj nga Atsmoni dhe vazhdonte deri në përruan e Egjiptit, dhe mbaronte në det. "Ky do të jetë", tha Jozueu, "kufiri juaj në jug".
5 Kufiri në lindje ishte Deti i Kripur deri në grykëderdhjen e Jordanit. Kufiri verior fillonte me mëngën e detit pranë grykëderdhjes së Jordanit;
6 pastaj kufiri ngjitej në drejtim të Beth-Oglahut, kalonte në veri të Beth-Arabahut dhe ngjitej deri në gurin e Bohanit, birit të Rubenit.
7 Pastaj nga Lugina e Akorit kufiri ngjitej në Debir, kthehej prapa në veri në drejtim të Gilgalit, që ndodhet përballë së përpjetës të Adumumit, në jug të luginës; pastaj kufiri kalonte në ujërat e En-Shemeshit dhe mbaronte në En-Roguel.
8 Kufiri pas kësaj ngjitej nëpër luginën e birit të Hinonit deri te shpatet jugore të qytetit të Jebusejve (që është Jeruzalemi). Pastaj kufiri ngjitej deri në majën e malit që ndodhet përballë luginës së Hinomit në perëndim, që mbetet në skajin e luginës të Refaimit në veri.
9 Nga maja e malit kufiri shtrihej deri në burimin e ujërave të Neftoahut, vazhdonte në drejtim të qyteteve të malit Efron dhe pastaj kthente deri në Baalah, që është Kirjath-Jearimi.
10 Nga Baalahu kufiri kthente pastaj në perëndim të malit Seir, kalonte mbi faqen veriore të malit Jearim (që është Kesaloni), zbriste në Beth-Shemesh dhe kalonte nëpër Timah.
11 Pastaj kufiri arrinte anën veriore të Ekronit, kthente nga Shikroni, kalonte nëpër malin e Baalahut, shtrihej deri në Jabneel dhe mbaronte në det.
12 Kufiri në perëndim ishte Deti i Madh. Këta ishin rreth e qark kufijtë e bijve të Judës simbas familjeve të tyre.