Joel 1:5-12

Albanian(i) 5 Zgjohuni, o të dehur, dhe qani; vajtoni ju të gjithë, që pini verë, për mushtin që ju hoqën nga goja. 6 Sepse një komb i fortë dhe i panumërt ka dalë kundër vendit tim. Dhëmbët e tij janë dhëmbë luani, dhe ka stërdhëmbë luaneshe. 7 Ka shkatërruar hardhinë time, e ka bërë copë-copë fikun tim, ia ka hequr lëvoren krejt dhe e ka hedhur tutje; degët e tij kanë mbetur të bardha. 8 Vajto si një virgjëreshë e veshur me thes për dhëndrrin e rinisë së saj. 9 Nga shtëpia e Zotit janë zhdukur ofertat e ushqimit dhe libacionet; priftërinjtë, ministrat e Zotit, pikëllohen. 10 Fusha është shkretuar, vendi është në zi, sepse gruri u prish, mushti u tha dhe vaji humbi. 11 Pikëllohuni, o bujq, vajtoni, o vreshtarë, për grurin dhe për elbin, sepse të korrat e arave humbën. 12 Hardhia u tha, fiku u tha, shega, hurma, molla dhe tërë drurët e fushës u thanë; nuk ka gëzim midis bijve të njerëzve.