Albanian(i)
1 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të ngre një erë shkatërruese kundër Babilonisë dhe kundër banorëve të Leb Kamait.
2 Do të dërgoj kundër Babilonisë disa të huaj që do ta kontrollojnë dhe do ta zbrazin vendin e saj, sepse në ditën e fatkeqësisë do të sulen mbi të nga të gjitha anët.
3 Mos lini që ai, i cili nder harkun ta shtrijë atë apo të ngrihet në parzmoren e tij. Mos kurseni të rinjtë e saj, vendosni shfarosjen e tërë ushtrisë së saj.
4 Kështu ata do të bien të vrarë në vendin e Kaldeasve dhe të shpuar nëpër rrugët e Babilonisë.
5 Sepse Izraeli dhe Juda nuk kanë qënë braktisur nga Perëndia i tyre, nga Zoti i ushtrive, megjithëse vendi i tyre ishte plot me faje kundër të Shenjtit të Izraelit".
6 Ikni nga mesi i Babilonisë dhe të shpëtojë secili jetën e tij, shikoni të mos të shkatërroheni në paudhësinë e saj. Sepse kjo është koha e hakmarrjes së Zotit; ai do të japë shpërblimin e drejtë.
7 Babilonia ishte në duart e Zotit një kupë ari që dehte tërë tokën; kombet kanë pirë nga vera e saj, prandaj kombet kanë rënë në kllapi.
8 Papritmas Babilonia ra, u shkatërrua. Vajtoni për të, merrni balsam për dhembjen e saj; ndofta mund të shërohet.
9 Ne dëshironim ta shëronim Babiloninë, por ajo nuk është shëruar. Braktiseni dhe të shkojmë secili në vendin e vet, sepse gjykimi i saj arrin deri në qiell dhe ngrihet deri te retë.
10 Zoti ka bërë të triumfojë çështja jonë e drejtë. Ejani, të tregojmë në Sion veprën e Zotit, Perëndisë tonë.
11 Mprehni shigjetat, rrokni mburojat. Zoti ka zgjuar frymën e mbretërve të Medasve, sepse qëllimi i tij kundër Babilonisë është shkatërrimi i saj, sepse kjo është hakmarrja e Zotit, hakmarrja e tempullit të tij.
12 Ngrini flamurin mbi muret e Babilonisë. Përforconi rojet, vendosni shigjetarë, përgatitni kurthe. Sepse Zoti ka menduar dhe ka zbatuar atë që ka thënë kundër banorëve të Babilonisë.
13 O ti që banon pranë ujërave të mëdha, të pasura në thesarë, fundi yt erdhi, fundi i fitimeve të tua të padrejta.
14 Zoti i ushtrive i është betuar në veten e tij: "Unë do të të mbush me njerëz si miza që do të ngrenë kundër teje britma lufte".