Albanian(i)
1 Në vitin e nëntë të Sedekias, mbretit të Judës, në muajin e dhjetë, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, erdhi me gjithë ushtrinë e tij kundër Jeruzalemit dhe e rrethoi.
2 Në vitin e njëmbëdhjetë të Sedekias, në muajin e katërt, ditën e nëntë të muajit u hap një e çarë në qytet;
3 tërë princat e mbretit të Babilonië hynë dhe u vendosën te Porta e Mesit: Nergalsharetseri, Samgar-nebo, Sarsekimi, kreu i eunukëve, Nergalsharetseri, Rab-magu dhe tërë princat e tjerë të mbretit të Babilonisë.
4 Me t'i parë, Sedekia, mbreti i Judës, dhe njerëzit e luftës ua mbathën, duke dalë natën nga qyteti nëpër rrugën e kopshtit mbretëror, nëpërmjet portës ndërmjet dy mureve, dhe morën rrugën e Arabahut.
5 Por ushtria e Kaldeasve i ndoqi dhe arriti Sedekian në fushat e Jerikos. Kështu e kapën dhe e çuan te Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, në Riblah, në vendin e Hamathit, ku shqiptoi gjykimin e tij mbi të.
6 Pastaj mbreti i Babilonisë bëri që të vriten bijtë e Sedekias para syve të tij në Riblah; mbreti i Babilonisë bëri që të vriten edhe tërë fisnikët e Judës;
7 urdhëroi gjithashtu t'i nxjerrin sytë Sedekias dhe e lidhi me një zinxhir të dyfishtë prej bronzi për ta çuar në Babiloni.
8 Kaldeasit i vunë flakën shtëpisë së mbretit dhe shtëpive të popullit, dhe shkatërruan muret e Jeruzalemit.
9 Pastaj Nebuzaradani, komandanti i rojeve, e çoi në robëri pjesën e popullit që kishte mbetur në qytet dhe ata që kishin dezertuar nga ana e tij së bashku me pjesën e popullit që kishte mbetur.