Albanian(i)
1 Kush është ai që vjen nga Edomi, nga Botsrahu, me rrobat e ngjyrosura me bojë të kuqe flakë? Ky, i veshur shkëlqyeshëm, që ecën në madhështinë e forcës së tij? "Jam unë që flas me drejtësi dhe jam i fuqishëm për të shpëtuar".
2 Pse veshja jote është e kuqe dhe rrobat e tua si ata që shtrydhin rrushin në gaviç?
3 "Gaviçin e shtypa vetëm dhe asnjë nga popujt nuk ishte me mua. I shtypa në zemërimin tim dhe i shkela në tërbimin tim. Gjaku i tyre spërkati rrobat e mia dhe njollosa tërë veshjet e mia.
4 Sepse dita e hakmarrjes ishte në zemrën time dhe viti i çlirimit tim ka ardhur.
5 Shikova, por nuk kishte asnjeri që të më ndihmonte; shtanga që askush nuk po më ndihmonte. Atëherë vetë krahu im më ka shpëtuar dhe tërbimi im më ka ndihmuar.
6 I shkela me këmbë popujt në zemërimin tim, i deha në tërbimin tim dhe bëra që të derdhet gjaku i tyre mbi tokë".
7 Unë do të kujtoj mirësitë e Zotit, lavdimet e Zotit për gjithçka që na ka dhënë si dhe mirësinë e madhe që i ka siguruar shtëpisë së Izraelit sipas dhembshurive të tij dhe sipas dashamirësisë së tij të madhe.