Albanian(i)
9 Ata që prodhojnë shëmbëlltyra të gdhendura janë krejt kotësi; gjërat e tyre më të çmuara nuk hyjnë fare në punë; dëshmitarët e tyre nuk shohin dhe as nuk kuptojnë gjë, prandaj do të mbulohen me turp.
10 Kush prodhon një zot apo shkrin një shëmbëlltyrë të gdhendur pa patur fare dobi?
11 Ja, të gjithë shokët e këtij personi do të shushaten; vetë artizanët nuk janë veçse njerëz. Le të mblidhen të gjithë dhe le të paraqiten. Do të tremben dhe do të turpërohen njëkohësisht.
12 Kovaçi me darë punon hekurin mbi prush, i jep formë me çekiç dhe e përpunon me krahun e tij të fuqishëm; vuan nga uria dhe forca e tij pakësohet; nuk pi ujë dhe lodhet.
13 Zdrukthëtari shtrin vizorin, vizaton idhullin me laps, e punon me sqepar, e mat me kompas dhe e bën një fytyrë njerëzore, një formë të bukur njeriu, në mënyrë që të mbetet në një shtëpi.
14 Ai pret për vete disa kedra, merr një selvi apo një lis që i lë të rriten të fuqishëm midis drurëve të pyllit; ai mbjell një frashër që shiu e bën të rritet.
15 Ky i shërben njeriut për të djegur; ai merr një pjesë të tij për t'u ngrohur dhe ndez zjarrin për të pjekur bukën; bën gjithashtu një perëndi dhe e adhuron, bën një shëmbëlltyrë të gdhendur para së cilës bie përmbys.
16 Djeg gjysmën e tij në zjarr, me gjysmën tjetër përgatit mishin, pjek mishin dhe ngopet. Ngrohet gjithashtu dhe thotë: "Ah, po ngrohem, kënaqem me zjarrin".
17 Me atë që mbetet prej tij sajon një perëndi, shëmbëlltyrën e saj të gdhendur, bie përmbys përpara saj, e adhuron, e lut dhe i thotë: "Shpëtomë, sepse ti je perëndia im".
18 Nuk dinë dhe nuk kuptojnë asgjë, sepse i kanë zënë sytë e tyre që të mos shohin dhe zemrat e tyre që të mos kuptojnë.
19 Askush nuk vjen në vete dhe as ka dituri dhe mend për të thënë: "Dogja një pjesë në zjarr, po, mbi prushin e tij poqa bukën, poqa mishin dhe e hëngra. Me atë që mbetet do të bëj një gjë të neveritshme dhe do të bie përmbys përpara një cope druri?".
20 Një person i tillë ushqehet me hi, zemra e tij e mashtruar e çon në rrugë të keqe. Ai nuk mund të çlirojë shpirtin e tij dhe të thotë: "A nuk është vallë një gënjeshtër ajo që mbaj në dorën time të djathtë?".