Isaiah 38:1-8

Albanian(i) 1 Në atë kohë Ezekia u sëmur nga një sëmundje vdekjeprurëse. Profeti Isaia, bir i Amotsit, shkoi tek ai dhe i tha: "Kështu flet Zoti. Rregullo shtëpinë tënde, sepse ke për të vdekur dhe jo për t'u shëruar". 2 Atëherë Ezekia e ktheu fytyrën nga muri dhe iu lut Zotit: 3 "Të lutem shumë, o Zot, kujto si kam ecur para teje me besnikëri, me zemër të pastër, dhe kam bërë atë që është mirë në sytë e tu". Pastaj Ezekia qau me të madhe. 4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua Isaias, duke thënë: 5 "Shko dhe i thuaj Ezekias: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Davidit, ati yt: E dëgjova lutjen tënde, i pashë lotët e tua; ja, do t'u shtoj pesëmbëdhjetë vjet ditëve të tua; 6 do të të çliroj ty dhe këtë qytet nga duart e mbretit të Asirisë dhe do ta mbroj këtë qytet. 7 Kjo është për ty shenja nga ana e Zotit, Zoti do ta çojë në vend fjalën që ka thënë: 8 ja, unë do të bëj që të sprapset dhjetë shkallare hija që për efekt të diellit është zgjatur mbi shkallarët e Ashazit. Dhe dielli u spraps dhjetë shkallare prej shkallareve nga kishte zbritur".