Albanian(i)
6 Unë do ta dërgoj kundër një kombi të pabesë dhe kundër popullit të zemërimit tim. Do ta urdhëroj që ta plaçkitë, ta zhveshë dhe ta shkelë si baltën e rrugëve.
7 Por ajo mendon ndryshe dhe në zemër të vet ka plane të tjera, por dëshiron të shkatërrojë dhe të shfarosë një numër të madh kombesh.
8 Në fakt thotë: "Princat e mi nuk janë të gjithë mbretër?
9 A nuk është Kalno si Karkemishi? A nuk është Hamathi si Arpadi? A nuk është Samaria si Damasku?
10 Ashtu siç ka arritur dora ime mbretëritë e idhujve, shëmbëlltyrat e gdhendura të të cilëve ishin më të shumta se ato të Jeruzalemit dhe të Samarias,
11 ashtu si bëra me Samarian dhe me idhujt e saj, a nuk do të veproj edhe në Jeruzalem dhe me idhujt e tij?".
12 Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: "Unë do të dënoj frytin e mëndjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë".
13 Në fakt ai thotë: "E bëra me forcën e dorës sime dhe me diturinë time, sepse jam i zgjuar; lëviza kufijtë e popujve, plaçkita thesaret e tyre dhe si një njeri i fuqishëm shfuqizova ata që rrinin mbi fron.
14 Dora ime ka gjetur si një fole pasuritë e popujve; ashtu si dikush mbledh vezët e braktisura, kështu unë grumbullova tërë dheun dhe nuk pati asnjeri që të lëvizë krahët, apo të hapë sqepin dhe të pingërojë".