Genesis 44:27-34

Albanian(i) 27 Dhe shërbëtori yt, ati ynë, na u përgjegj: "Ju e dini që gruaja ime më lindi dy bij; 28 njëri prej tyre më la dhe unë i thashë: Me siguri ai është bërë copë e çikë dhe nuk e kam parë më qysh atëherë; 29 dhe po të ma hiqni edhe këtë dhe i ndodh ndonjë fatkeqësi, ju do të kallni në varr pleqërinë time të dhembshme". 30 Kështu, pra, kur të arrij te shërbëtori yt, ati im, në qoftë se fëmija nuk është me ne, sepse jeta e tij është e lidhur me atë të fëmijës, 31 do të ndodhë që, sa të shohë që fëmija nuk është me ne, ai ka për të vdekur; dhe shërbëtorët e tu do ta kenë kallur në varr pleqërinë e shërbëtorit tënd, të atit tonë. 32 Tani, me qenë se shërbëtori yt është bërë dorëzanë për fëmijën pranë atit tim dhe i ka thënë: "Në rast se nuk do ta rikthej do të jem për gjithnjë fajtor ndaj atit tim", 33 lejo, pra, tani që shërbëtori yt të mbetet skllav i zotërisë tim në vend të fëmijës, dhe që fëmija të kthehet me vëllezërit e tij. 34 Sepse si mund të rikthehem tek ati im në qoftë se fëmija nuk është me mua? Ah, mos e pafsha dhembjen që do të pushtonte atin tim!".