Genesis 37:18-27

Albanian(i) 18 Ata e panë së largu, dhe para se t'u afrohej, komplotuan kundër tij për ta vrarë. 19 Dhe i thanë njëri tjetrit: "Ja ku po vjen ëndërruesi! 20 Ejani, pra, ta vrasim dhe ta hedhim në një pus; do të themi pastaj që një kafshë e egër e hëngri; kështu do të shohim se ç'përfundim do të kenë ëndërrat e tij". 21 Rubeni i dëgjoi këto dhe vendosi ta shpëtojë nga duart e tyre, dhe tha: "Nuk do ta vrasim". 22 Pastaj Rubeni shtoi: "Mos derdhni gjak, por hidheni në këtë pus të shkretëtirës dhe mos e goditni me dorën tuaj". Thoshte kështu për ta shpëtuar nga duart e tyre dhe për t'ia shpënë të atit. 23 Kur Jozefi arriti pranë vëllezërve të tij, këta e zhveshën nga veshja e tij, nga rrobja e gjatë që i arrinte deri te këmbët; 24 pastaj e kapën dhe e hodhën në pus. Por pusi ishte bosh, nuk kishte ujë brenda. 25 Pastaj u ulën për të ngrënë; por, duke ngritur sytë, ata panë një karvan Ismaelitësh që vinte nga Galaadi me devetë e tyre të ngarkuara me erëza, balsame dhe mirrë, dhe udhëtonte për t'i çuar në Egjipt. 26 Atëherë Juda u tha vëllezërve të tij: "Ç'dobi do të kemi po të vrasim vëllanë tonë dhe të fshehim gjakun e tij? 27 Ejani, t'ia shesim Ismaelitëve dhe të mos e godasë dora jonë, sepse është vëllai ynë, mishi ynë". Dhe vëllezërit e tij e dëgjuan.