Genesis 30:1-24

Albanian(i) 1 Kur Rakela pa që nuk po i bënte fëmijë Jakobit, u bë ziliqare e motrës së saj dhe i tha Jakobit: "Më bëj me fëmijë përndryshe unë po vdes". 2 Jakobi u mbush tërë inat kundër Rakelës dhe i tha: "Se mos jam unë në vend të Perëndisë që nuk të lejon të kesh fëmijë?". 3 Ajo u përgjegj: "Ja shërbyesja ime Bilhah; hyr tek ajo, që ajo të lindë mbi gjunjët e mi; kështu nëpërmjet saj do të mund të bëhem me fëmijë". 4 Kështu ajo i dha për grua shërbyesen e vetë Bilhah dhe Jakobi hyri tek ajo. 5 Dhe Bilhah u ngjiz dhe i dha një bir Jakobit. 6 Atëherë Rakela tha: "Perëndia më dha të drejtë; ai dëgjoi gjithashtu zërin tim dhe më dha një bir". Prandaj i vuri emrin Dan. 7 Pastaj Bilhah, shërbyesja e Rakelës, u ngjiz përsëri dhe i lindi një bir të dytë Jakobit. 8 Atëherë Rakela tha: "Kam luftuar shumë me motrën time dhe kam dalë fitimtare". Prandaj e quajti djalin Neftali. 9 Por Lea, duke parë që nuk po bënte më fëmijë, mori shërbyesen e saj Zilpah dhe ia dha për grua Jakobit 10 Kështu Zilpah, shërbyesja e Leas, i lindi një bir Jakobit. 11 dhe Lea tha: "Ç'fat!". Dhe i vuri emrin Gad. 12 Pastaj Zilpah, shërbëtore e Leas, i lindi Jakobit një bir të dytë. 13 Dhe Lea tha: "Sa e lumtur jam! Sepse gratë do të më quajnë të lumtur". Prandaj i vuri emrin Asher. 14 Në kohën e korrjes së grurit, Rubeni doli dhe gjeti në fushat mandragora dhe ia çoi nënës së tij, Leas. Atëherë Rakela i tha Leas: "Më jep edhe mua ca mandragora të birit tënd!". 15 Ajo iu përgjegj: "Të duket gjë e vogël që më more burrin, dhe tani kërkon të marrësh edhe mandragorat e djalit tim?". Rakela tha: "Mirë, pra, si shpërblim për mandragorat e birit tënd, sonte ai do të bjerë në shtrat me ty". 16 Kur në mbrëmje Jakobi u kthye nga arat, Lea doli ta takojë dhe i tha: "Duhet të hysh tek unë, se të kam shtënë në dorë me mandragorat e birit tim". Kështu, atë natë, ai ra në shtrat me të. 17 Kështu Perëndia ia plotësoi dëshirën Leas, e cila u ngjiz dhe i lindi Jakobit birin e pestë. 18 Dhe ajo tha: "Perëndia më dha shpërblimin që më takonte, sepse i dhashë shërbyesen time burrit tim". Dhe e quajti Isakar. 19 Pastaj Lea u ngjiz përsëri dhe i dha Jakobit një bir të gjashtë. 20 Atëherë Lea tha: "Perëndia më ka dhënë një dhunti të mirë; këtë radhë burri im do të banojë me mua, sepse i kam lindur gjashtë bij". Dhe i vuri emrin Zabulon. 21 Pastaj lindi një bijë dhe e quajti Dina. 22 Perëndia u kujtua edhe për Rakelën; dhe Perëndia ia plotësoi dëshirën dhe e bëri të frytshme; 23 kështu ajo u ngjiz dhe lindi një djalë, dhe tha: "Perëndia e hoqi turpin tim". 24 Dhe e quajti Jozef, duke thënë: "Zoti më shtoftë një bir tjetër".