Genesis 18:25-32

Albanian(i) 25 Mos e bëj këtë gjë, të shkaktosh vdekjen e të drejtit bashkë me atë të të paudhit, kështu që i drejti të trajtohet si i paudhi. Larg teje një mendim i tillë! Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?". 26 Zoti tha: "Në rast se gjej në qytetin e Sodomës pesëdhjetë njerëz të drejtë, unë do ta fal tërë vendin për hir të tyre". 27 Atëherë Abrahami rifilloi dhe tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit, megjithëse unë nuk jam veçse pluhur dhe hi. 28 Ta zëmë se atyre pesëdhjetë të drejtëve u mungojnë pesë, a do ta shkatërroje tërë qytetin për pesë veta më pak?". Zoti u përgjigj: "Po të gjej dyzet e pesë, nuk do ta shkatërroj". 29 Abrahami vazhdoi t'i flasë dhe tha: "Ta zëmë se në qytet ndodhen dyzet?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj për hir të dyzetëve". 30 Atëherë Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti, dhe unë do të flas. Po sikur në qytet të ketë tridhjetë prej tyre?". Zoti u përgjigj: "Nuk do ta bëj, po të gjej tridhjetë". 31 Dhe Abrahami i tha: "Ja, marr guximin t'i flas Zotit. Ta zëmë se në qytet gjenden njëzet?". Zoti iu përgjigj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të njëzetëve". 32 Dhe Abrahami i tha: "Oh, të mos zemërohet Zoti dhe unë do të flas edhe vetëm këtë herë. Sikur në qytet të ketë dhjetë prej tyre?". Zoti u përgjegj: "Nuk do ta shkatërroj për hir të të dhjetëve".