Ezekiel 39:24-29

Albanian(i) 24 I trajtova sipas papastërtisë së tyre dhe sipas shkeljeve të tyre dhe ua fsheha atyre fytyrën time". 25 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Tani do ta kthej Jakobin nga robëria, do të më vijë keq për tërë shtëpinë e Izraelit dhe do të jem xheloz për emrin tim të shenjtë, 26 mbasi ata kanë bartur turpin e tyre dhe ndëshkimi për të gjitha pabesitë që kanë kryer kundër meje, ndërsa banonin të sigurtë në vendin e tyre dhe askush nuk i trembte. 27 Kur t'i çoj përsëri nga popujt dhe kur t'i mbledh nga vendet e armiqve të tyre dhe të shenjtërohem te ata në sytë e shumë kombeve, 28 ata do të pranojnë që unë jam Zoti, Perëndia i tyre, që i çoi në robëri midis kombeve, por që i ka mbledhur gjithashtu në vendin e tyre, duke mos lënë jashtë asnjë prej tyre. 29 Nuk do t'ua fsheh më fytyrën time, sepse do ta përhap Frymën time mbi shtëpinë e Izraelit", thotë Zoti, Zoti.