Albanian(i)
20 Dedani tregtonte me ty veshje për të kalëruar.
21 Arabia dhe tërë princat e Kedarit bënin tregti me ty, duke bërë me ty shkëmbime në qengja, deshë dhe cjep.
22 Tregtarët e Shebas dhe të Ramahut bënin tregti me ty; në këmbim të mallrave të tua ata të jepnin të gjitha aromat më të mira, lloj lloj gurësh të çmuar dhe ar.
23 Herani, Kanehu, Edeni, tregtarët e Shebas, të Asirisë dhe të Kilmadit bënin tregti me ty.
24 Në këmbim të mallrave të tua shkëmbenin me ty sende luksi, mantele të purpurta, stofa të qëndisura, arka rrobash të ndryshme, të lidhura me litarë.
25 Anijet e Tarshishit transportonin mallrat e tua. Kështu u mbushe dhe u pasurove me të madhe në zemër të deteve.
26 Vozitësit e tu të kanë çuar mbi shumë ujra, por era e lindjes të ka shkatërruar në zemër të deteve.
27 Pasuritë e tua, mallrat e tua, prodhimet e tua, detarët e tu, pilotët e tu, ata që ndreqnin të çarat, trafikantët e mallrave të tua, tërë luftëtarët që janë te ti dhe gjithë ajo mori që është mes teje do të bien në zemër të deteve ditën e shkatërrimit tënd.
28 Nga zhurma e britmës së pilotëve të tu fushat e hapura do të dridhen;
29 tërë ata që përdorin lopatën, detarët dhe tërë pilotët e detit do të zbresin nga anijet e tyre dhe do të mbeten në breg.
30 Do të bëjnë që të dëgjohet zëri i tyre mbi ty; do të klithin me trishtim, do të hedhin pluhur mbi kokën e tyre, do të rrokullisen në pluhur.
31 Për shkakun tënd do të rruajnë kokën, do të vishen me thasë dhe do të qajnë për ty me trishtim të shpirtit, me një dhembje të thellë.
32 Në ankthin e tyre do të ngrenë për ty një vajtim dhe do të vajtojnë për ty: "Kush është si Tiro, e shkatërruar në mes të detit?".
33 Kur mallrat e tua dilnin nga detet, ngopje shumë popuj; me bollëkun e pasurive dhe të mallrave të tua pasuroje mbretërit e tokës.
34 Por kur u theve nga detet në thellësinë e ujrave, mallrat e tua dhe tërë moria e njerëzve në mes teje kanë rënë.
35 Të gjithë banorët e ishujve janë habitur prej teje; mbretërit e tyre i ka zënë një frikë e madhe, pamja e tyre është e tronditur.
36 Tregtarët midis popujve fishkëllejnë mbi ty; je bërë një llahtarë dhe nuk do të ekzistosh më".