Ezekiel 22:26-31

Albanian(i) 26 Priftërinjtë e tij shkelin ligjin tim dhe përdhosin gjërat e mia të shenjta, nuk bëjnë dallim midis asaj që është e shenjtë dhe jo e shenjtë, nuk e bëjnë të njohur ndryshimin ndërmjet të papastrës dhe të pastrës dhe i largojnë sytë nga të shtunat e mia, prandaj jam përdhosur në mes tyre. 27 Krerët e tij në mes të tij janë si ujqër që shqyejnë gjahun për të derdhur gjak, për të shkatërruar shpirtëra, për të realizuar një fitim jo të drejtë. 28 Profetët e tij suvatojnë për ata me llaç që nuk mban, duke pasur vegime të rreme dhe duke shqiptuar shortari të gënjeshtërta për ta, dhe thonë: "Kështu thotë Zoti, Zoti", ndërsa Zoti nuk ka folur. 29 Populli i vendit ushtron shtypjen, kryen grabitje, keqtrajton të varfërin dhe nevojtarin, shtyp të huajin duke marrë nëpër këmbë drejtësinë. 30 Unë kërkova midis tyre një burrë që të ndërtonte një mur dhe t'i dilte për zot vendit, që unë të mos e shkatërroja, por nuk e gjeta. 31 Prandaj do të derdh mbi ta indinjatën time, do t'i konsumoj me zjarrin e zemërimit tim dhe do të bëj që të bjerë mbi kryet e tyre sjellja e tyre", thotë Zoti, Zoti.