Exodus 39:8-22

Albanian(i) 8 Pastaj ai bëri pektoralin e punuar artistikisht, ashtu si puna e efodit: me ar, me fill ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, si dhe me li të hollë të përdredhur. 9 Pektorali kishte formë katrore; e bënë të palosur më dysh, të gjatë sa pëllëmba dhe të gjerë po aq, kur ishte i palosur më dysh. 10 Dhe u ngallmuan katër radhë gurësh; në radhën e parë: një sardon, një topaz dhe një smerald; 11 në radhën e dytë: një rubin, një safir dhe një diamant; 12 në radhën e tretë: një hiacint, një agat dhe një ametist; 13 në radhën e katërt: një grizolit, një oniks dhe një diaspër. Këta gurë ishin futur në rrathët e tyre prej ari. 14 Gurët u korrespondonin emrave të bijve të Izraelit: dymbëdhjetë, simbas emrave të tyre të gdhendur si vula, secili me emrin e njërit nga dymbëdhjetë fiset. 15 Mbi pektoralin bënë gjithashtu zinxhirë prej ari safi, të lidhur si kordonë. 16 Bënë edhe dy rrathë të artë dhe dy unaza të arta, dhe i vunë dy unazat në dy skajet e pektoralit. 17 Pastaj i fiksuan të dy kordonët e artë mbi të dy unazat, në skajet e pektoralit; 18 pas kësaj fiksuan dy majat e dy kordonëve në të dy rrathët dhe i vendosën mbi dy suporet e efodit, në pjesën e përparme të tij. 19 Bënë gjithashtu dy unaza ari dhe i vunë në dy skajet e pektoralit, në buzën e tij, që ndodhet në pjesën e brendshme të efodit. 20 Bënë gjithashtu dy unaza të tjera ari dhe i vunë mbi dy suporet e efodit poshtë, nga përpara, pranë pikës së bashkimit, mbi brezin e punuar artistikisht të efodit. 21 Pastaj i lidhën unazat e pektoralit me unazat e efodit me një kordon ngjyrë vjollce, me qëllim që pektorali të rrinte mbi brezin e punuar artistikisht të efodit, dhe të mos shkëputej prej këtij të fundit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 22 Ai bëri gjithashtu mantelin e efodit, i tëri ngjyrë vjollce, një punim prej endësi.