Albanian(i)
1 "Do të bësh edhe një altar për të djegur temjanin; dhe do ta bësh prej druri të akacies.
2 Do të jetë një kubit i gjatë dhe një kubit i gjerë; do të jetë katror dhe do të ketë një lartësi dy kubitësh; brirët e tij do të përbëjnë një pjesë të vetme me të.
3 Do ta veshësh me ar safi: pjesën e tij të sipërme, anët e tij rreth e qark dhe brirët e tij; do t'i bësh edhe një kurorë ari.
4 Do t'i bësh edhe dy unaza ari nën kurorë, në të dy krahët e tij; do t'i vësh në të dy krahët e tij për të kaluar shtizat, të cilat shërbejnë për ta mbartur.
5 Shtizat do të bëhen me dru të akacies dhe do t'i veshësh me ar.
6 Do ta vendosësh altarin përpara velit që ndodhet përpara arkës së dëshmisë, përballë pajtuesit që ndodhet mbi dëshminë, ku unë do të të takoj.
7 Mbi të Aaroni do të djegë temjan të parfumuar; do ta djegë çdo mëngjes, kur rregullon llambat.