Albanian(i)
1 "Do të bësh pastaj tabernakullin me dhjetë pëlhura prej liri të hollë të përdredhur, me fije ngjyrë vjollce, të purpurt dhe flakë të kuqe, së bashku me kerubinë të punuar artistikisht.
2 Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë njëzet e tetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të gjitha pëlhurat do të kenë po atë masë.
3 Pesë pëlhura do të bashkohen midis tyre dhe pesë pëlhurat e tjera do të bashkohen gjithashtu midis tyre.
4 Do të bësh sythe ngjyrë vjollce mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë; të njëjtën gjë do të bësh në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë.
5 Do të bësh pesëdhjetë sythe mbi pëlhurën e parë dhe pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme: këto sythe do të korrespondojnë me njëri-tjetrin.
6 Dhe do të bësh pesëdhjetë kapëse ari dhe do t'i bashkosh pëlhurat njëra me tjetrën me anë të kapëseve, në mënyrë që tabernakulli të formojë një të tërë.
7 Do të bësh gjithashtu pëlhurë me lesh dhie, që të shërbejnë si çadër mbi tabernakullin: do të bësh njëmbëdhjetë pëlhura të tilla.
8 Gjatësia e çdo pëlhure do të jetë tridhjetë kubitë dhe gjerësia e çdo pëlhure katër kubitë; të njëmbëdhjetë pëlhurat do të kenë të gjitha po atë masë.
9 Do të bashkosh pesë pëlhurat midis tyre, dhe gjashtë të tjerat midis tyre; do ta ripalosësh mbi vetveten pëlhurën e gjashtë në pjesën e përparme të çadrës.
10 Do të bësh gjithashtu pesëdhjetë sythe mbi buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së parë dhe pesëdhjetë sythe në buzën e pëlhurës së jashtme të serisë së dytë të pëlhurave.
11 Do të bësh edhe pesëdhjetë kapëse prej bronzi dhe do t'i futësh kapëset në sythet, duke e bashkuar kështu çadrën në mënyrë që të formojnë një të tërë.
12 Nga pjesa që tepron nga pëlhurat e çadrës, gjysma e pëlhurës së tepërt do të bjerë mbi pjesën e poshtme të tabernakullit;
13 dhe kubiti nga një anë dhe kubiti nga ana tjetër që janë të tepërt në gjatësinë e pëlhurave të çadrës, do të bien mbi të dy anët e tabernakullit, njëri nga një krah dhe tjetri në krahun tjetër për ta mbuluar atë.
14 Do të bësh gjithashtu një mbulesë për çadrën me lëkura dashi të ngjyrosura në të kuq, dhe mbi këtë një tjetër mbulesë me lëkura baldose.