Albanian(i)
25 Sot do të filloj t'u kall frikën dhe terrorin tënd popujve nën tërë qiejt, të cilët do të dëgjojnë të flitet për ty, do të dridhen dhe do t'i zërë ankthi nga shkaku yt.
26 Atëherë nga shkretëtira e Kedemothit i dërgova lajmëtarë Sihonit, mbretit të Heshbonit, me propozime paqësore, për t'i thënë:
27 Lërmë të kaloj nëpër vendin tënd; unë do të shkoj nëpër rrugën Mbretërore, pa u kthyer as djathtas as majtas.
28 Ti do të më shesësh me para ushqimet që do të ha dhe do të më japësh me para ujin që do të pi; më lejo vetëm të kaloj me këmbë
29 (ashtu si kanë bërë për mua pasardhësit e Ezaut që banojnë në Seir dhe Moabitët që banojnë në Ar), deri sa unë të kem kaluar Jordanin për të hyrë në vendin që Zoti, Perëndia ynë, na dha".
30 Por Sihoni, mbret i Heshbonit, nuk deshi të na linte të kalonim nëpër territorin e tij, sepse Zoti, Perëndia yt, i kishte ngurtësuar frymën dhe e kishte bërë kryeneç, për të ta dhënë në duart e tua, siç është pikërisht sot.
31 Dhe Zoti më tha: "Shiko, kam filluar të kaloj nën pushtetin tënd Sihonin dhe vendin e tij; fillo ta pushtosh, që ti të bëhesh zotëruesi i vendit të tij".
32 Atëherë Sihoni doli kundër nesh me gjithë njerëzit e tij, për t'u ndeshur në Jahats.
33 Por Zoti, Perëndia ynë, na e dha në dorë, dhe ne e mundëm atë, bijtë e tij dhe tërë njerëzit e tij.
34 Në atë kohë pushtuam tërë qytetet e tij dhe shfarosëm burrat, gratë dhe fëmijët e çdo qyteti; nuk lamë gjallë asnjë.
35 Morëm si plaçkë vetëm bagëtinë dhe plaçkën e qyteteve që kishim pushtuar.
36 Nga Aroeri, që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në luginë, deri në Galaad, nuk pati asnjë qytet që të ishte shumë i fortë për ne; Zoti Perëndia ynë, na i dha të gjitha në dorën tonë.
37 Por nuk iu afrove vendit të bijve të Amonit, dhe asnjë vendi anës përroit Jabok, as qyteteve të vendit malor dhe tërë qëndrave që Zoti, Perëndiai ynë, na kishte ndaluar të sulmonim.