Deuteronomy 27:12-26

Albanian(i) 12 "Ja ata do të rrijnë në malin Gerizim për të bekuar popullin kur të keni kapërcyer Jordanin: Simeoni, Levi, Juda, Isakari, Jozefi dhe Beniamini; 13 dhe ja ata që do të rrijnë në malin Ebal për të shqiptuar mallkimin: Rubeni, Gadi, Asheri, Zabuloni, Dani dhe Neftali. 14 Levitët do të flasin dhe do t'u thonë me zë të lartë gjithë burrave të Izraelit: 15 "Mallkuar qoftë ai njeri që bën një shëmbëlltyrë të gdhendur o prej metali të shkrirë, gjë e neveritshme për Zotin, vepër e duarve të një artizani, dhe e vendos në një vend sekret!". Dhe tërë populli do të përgjigjet dhe do të thotë: "Amen". 16 "Mallkuar qoftë ai që përçmon atin ose nënën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 17 "Mallkuar qoftë ai që zhvendos kufijtë e të afërmit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 18 "Mallkuar qoftë ai që i humb rrugën të verbërit!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 19 "Mallkuar qoftë ai që cënon të drejtën e të huajit, të jetimit dhe të gruas së ve!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 20 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me gruan e atit të tij,; sepse ka ngritur cepin e mbulesës së atit të tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 21 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me çfarëdo kafshë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 22 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me motrën e tij, me bijën e atit të tij ose me bijën e nënes së tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 23 "Mallkuar qoftë ai që bie në shtrat me vjehrrën e tij!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 24 "Mallkuar qoftë ai që vret të afërmin e tij në mënyrë të fshehtë!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 25 "Mallkuar qoftë ai që pranon një dhuratë për të goditur për vdekje një të pafajshëm!". Dhe tërë populli do të thotë: "Amen". 26 "Mallkuar qoftë ai që nuk u përmbahet fjalëve të këtij ligji për t'i zbatuar në praktikë!". Tërë populli do të thotë: "Amen".