Albanian(i)
5 Mbreti u përgjigj dhe u tha Kaldeasve: "Vendimin tim e kam marrë: po të mos ma bëni të njohur përmbajtjen e ëndrrës sime dhe interpretimin e saj, do të priteni copa-copa dhe shtëpitë tuaja do të katandisen në plehërishte.
6 Por në rast se do të më tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, shpërblime dhe nderime të mëdha; më tregoni, pra, ëndrrën dhe interpretimin e saj".
7 Ata u përgjigjën për së dyti dhe thanë: "Le t'u tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të vet dhe ne do t'i japim interpretimin".
8 Atëherë mbreti u përgjigj dhe tha: "E kuptoj fare mirë që ju doni të fitoni kohë, sepse e shihni që vendimi im është marrë;
9 po të mos ma bëni të njohur ëndrrën, ka vetëm një vendim për ju; jeni marrë vesh midis jush për të thënë para meje fjalë të rreme dhe të çoroditura, me shpresë që kohërat të ndryshojnë. Prandaj ma tregoni ëndrrën dhe unë do të di në se jeni në gjendje të më jepni edhe interpretimin".
10 Kaldeasit u përgjigjën para mbretit dhe thanë: "Nuk ka njeri mbi tokë që mund të dijë atë që mbreti kërkon. Në fakt asnjë mbret, sundimtar o sovran nuk i ka kërkuar një gjë të tillë ndonjë magjistari, astrologu ose Kaldeasi.
11 Gjëja që pyet mbreti është tepër e vështirë dhe nuk ka njeri që mund t'ia bëjë të ditur mbretit, përveç perëndive, banesa e të cilëve nuk është ndër të gjallët".
12 Me këtë mbreti u zemërua, i hipi inati dhe urdhëroi që të shfaroseshin tërë të diturit e Babilonisë.
13 Kështu u shpall dekreti në bazë të të cilit duhet të vriteshin të diturit, dhe kërkonin Danielin dhe shokët e tij për t'i vrarë edhe ata.