Acts 23:12-21

Albanian(i) 12 Kur zbardhi dita, disa Judenj kurdisën një komplot duke u lidhur me betim që të mos hanë dhe të mos pinë derisa të kenë vrarë Palin. 13 Ata që kishin bërë këtë komplot ishin më tepër se dyzet. 14 Ata u paraqitën para krerëve të priftërinjve dhe para pleqve dhe thanë: ''Ne jemi lidhur me betim të mos vëmë gjë në gojë, derisa të vrasim Palin. 15 Ju, pra, me sinedrin, i bëni një kërkesë tribunit që t'jua sjellë nesër, gjoja se doni ta hetoni më thellë çështjen e tij; dhe ne, para se të afrohet, do të jemi gati ta vrasim''. 16 Por djali i motrës së Palit, si e mori vesh kurthin, rendi në fortesë dhe, mbasi hyri, i tregoi Palit. 17 Atëherë Pali thirri një nga centurionët pranë vetes dhe i tha: ''Çoje këtë djalë tek kryemijëshi, sepse ka diçka për t'i thënë''. 18 Atëherë ai e mori dhe e çoi tek kryemijëshi dhe tha: ''Pali, i burgosuri, më thirri dhe m'u lut të të sjell këtë djalë, sepse ka diçka për të të thënë''. 19 Atëherë kryemijësi e kapi për dore, e mori mënjanë dhe e pyeti: ''Çfarë ke për të më thënë?''. 20 Ai tha: ''Judenjtë janë marrë vesh që të të kërkojnë që nesër ta nxjerrësh Palin poshtë, në sinedër, se gjoja dashkan ta hetojnë më thellë çështjen e tij. 21 Prandaj ti mos ua vër veshin, sepse më shumë se dyzet burra nga ata kanë ngritur kurth kundër tij, sepse janë zotuar duke u lidhur me betim, të mos hanë e të mos pinë, derisa ta kenë vrarë; dhe tani janë gati dhe presin që ti t'ua lejosh atyre''.