Acts 1:16-26

Albanian(i) 16 ''Vëllezër, ishte e nevojshme që të përmbushej ky Shkrim, të cilin Fryma e Shenjtë e parafoli me anë të gojës së Davidit në lidhje me Judën, i cili u bë prijës i atyre që e kapën Jezusin. 17 Sepse ai ishte i numëruar bashkë me ne dhe kishte pjesë në këtë shërbesë. 18 Ai, pra, fitoi një arë, me shpërblimin e paudhësisë, dhe duke rënë kokëposhtë, plasi në mes dhe të gjitha të brendshmet e tij iu derdhën. 19 Kjo iu bë e njohur të gjithë banorëve të Jeruzalemit, sa që ajo arë në dialektin e tyre është quajtur Akeldama, që do të thotë: "Ara e gjakut". 20 Në fakt, në librin e Psalmeve, është shkruar: ''Shtëpia e tij u bëftë e shkretë dhe askush mos banoftë në të!'', dhe: ''Tjetërkush e zëntë detyrën e tij!''. 21 Duhet, pra, që ndër burrat që kanë qenë në shoqërinë tonë gjithë kohën në të cilën Zoti Jezus ka hyrë dhe ka dalë midis nesh, 22 duke filluar që nga pagëzimi i Gjonit e deri në atë ditë kur u muarr në qiell nga mesi ynë, një prej tyre të bëhet dëshmitar me ne, i ringjalljes së tij''. 23 Dhe u paraqitën dy: Jozefi, i quajtur Barsaba, që ishte i mbiquajtur Just, dhe Matia. 24 Dhe, duke u lutur, thanë: ''Ti, o Zot, që i njeh zemrat e të gjithëve, trego cilin nga këta të dy ke zgjedhur, 25 për të marrë shortin e kësaj shërbese dhe apostullimin, nga i cili Juda u largua për të shkuar në vendin e tij''. 26 Atëherë hodhën short, dhe shorti ra mbi Matian; dhe ai iu shtua të njëmbëdhjetë apostujve.