Acts 18:18-23

Albanian(i) 18 Dhe Pali, mbasi qëndroi atje edhe shumë ditë, u nda nga vëllezërit dhe lundroi për në Siri me Priskilën dhe Akuilën, pasi e qethi kokën në Kenkrea, sepse kishte bërë një premtim solemn. 19 Dhe, kur arriti në Efes, i la aty, po vetë hyri në sinagogë dhe filloi të diskutojë me Judenjtë. 20 Ata iu lutën të rrinte me ta më gjatë, por ai nuk pranoi; 21 por u nda prej tyre duke thënë: ''Më duhet gjithsesi ta kaloj festën e ardhshme në Jeruzalem, por, në dashtë Perëndia, do të kthehem përsëri te ju''. Dhe u nis nga Efesi nëpër det. 22 Si zbarkoi në Cezari, u ngjit në Jeruzalem, dhe si u përshëndet me kishën, zbriti në Antioki. 23 Dhe, mbasi qëndroi atje pak kohë, u nis dhe përshkoi me radhë rrethinat e Galatisë dhe të Frigjisë, duke forcuar gjithë dishepujt.