2 Kings 18:1-20

Albanian(i) 1 Në vitin e tretë të Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Ezekia, bir i Ashazit, mbret i Judës. 2 Ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abi; ishte bijë e Zakarias. 3 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, sipas tërë atyre që kishte bërë Davidi, ati i tij. 4 I hoqi nga vendi vendet e larta, bëri copë-copë shtyllat e shenjta, rëzoi Asherahun dhe bëri copë-copë gjarpërin prej bronzi që e pat bërë Moisiu, sepse deri në atë kohë bijtë e Izraelit i kishin ofruar temjan dhe e quajti Nehushtan. 5 Ai pati besim tek Zoti, Perëndia i Izraelit; dhe mbas tij, midis tërë mbretërve të Judës, nuk pati asnjë si ai, as edhe midis atyre që kishin qenë para tij. 6 Mbeti i lidhur me Zotin, nuk pushoi së ndjekuri gjurmët e tij dhe respektoi urdhërimet që Zoti i kishte dhënë Moisiut. 7 Kështu Zoti mbeti pranë tij, dhe atij i dilnin mbarë të gjitha ndërmarrjet e tij. Ngriti krye kundër mbretit të Asirisë dhe nuk iu nënshtrua më; 8 mundi Filistejtë deri në Gaza dhe aty ku arrinte territori i tyre, nga kulla e rojes deri në qytetin e fortifikuar. 9 Vitin e katërt të mbretit Ezekia, që ishte viti i shtatë i Hoseas, birit të Elahut, mbret i Izraelit, Shalmaneseri, mbret i Asirisë, doli kundër Samarisë dhe e rrethoi. 10 Dhe pas tre vjetve e pushtoi; vitin e gjashtë të Ezekias, që ishte viti i nëntë i Hoseut, mbretit të Izraelit, Samaria u pushtua me forcë. 11 Mbreti i Asirisë i shpërnguli pastaj Izraelitët në Asiri dhe i vendosi në Halah dhe mbi Haborin, lumë i Gozanit, dhe në qytetet e Medasve, 12 sepse nuk i ishin bindur zërit të Zotit, Perëndisë të tyre, dhe kishin shkelur besëlidhjen e tij; tërë ato që Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar ata as e kishin dëgjuar, as e kishin vënë në praktikë. 13 Vitin e katërmbëdhjetë të mbretit Ezekia, Senasheribi, mbret i Asirisë, doli kundër tërë qyteteve të fortifikuara të Judës dhe i pushtoi. 14 Atëherë Ezekia, mbret i Judës, dërgoi t'i thotë mbretit të Asirisë në Lakish: "Kam mëkatuar; tërhiqu prej meje dhe kam për të pranuar të gjitha ato që do të më caktosh". Mbreti i Asirisë i caktoi Ezekias, mbretit të Judës, treqind talenta argjendi dhe tridhjetë talenta ari. 15 Kështu Ezekia dha tërë argjendin që gjendej në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e pallatit të mbretit. 16 Në atë kohë Ezekia hoqi nga portat e tempullit të Zotit dhe nga shtalkat arin me të cilin Ezekia, mbret i Judës, i kishte veshur dhe ia dha mbretit të Asirisë. 17 Atëherë mbreti i Asirisë i dërgoi Ezekias, nga Lakishi në Jeruzalem, Tartanin, Rabsarisin dhe Rabshakehun me një ushtri të madhe. Ata dolën dhe arritën në Jeruzalem. Kur arritën në Jeruzalem, shkuan 18 Kur thërritën mbretin, u ndalën përballë Eliakimi, bir i Hilkiahut, prefekti i pallatit, Shebna, sekretari, dhe Joahu, bir i Asafit, arkivisti. 19 Atëherë Rabshakehu u tha atyre: "Shkoni t'i thoni Ezekias: Kështu thotë i madhi, mbret i Asirisë: Ku e gjen gjithë këtë besim? 20 A mendon vallë që këshilla dhe forca për të bërë luftë janë vetëm fjalë të kota? Te kush ke besim kur ke ngritur krye kundër meje?