2 Chronicles 26:1-32:33

Albanian(i) 1 Pastaj tërë populli i Judës mori Uziahun, që ishte atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe e bëri mbret në vend të atit të tij, Amatsiahut. 2 Ai ndërtoi Elathin dhe ia ripushtoi Judës, mbasi mbretin e pushoi bashkë me etërit e tij. 3 Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi. 4 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati. 5 Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vizionet e Perëndisë; dhe për deri sa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi. 6 Ai doli dhe luftoi kundër Filistejve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdotit dhe midis Filistejve. 7 Perëndia e ndihmoi kundër Filistejve, kundër Arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër Meunitëve. 8 Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm. 9 Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto. 10 Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujqër dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën. 11 Uziahu kishte gjithashtu një ushtri luftëtarësh që shkonte në luftë në formacion, sipas numrit të regjistruar nga sekretari Jeijel dhe nga komisari Maasejah nën urdhërat e Hananiahut, një nga kapitenët e mbretit. 12 Numri i përgjithshëm i të parëve të shtëpive atërore, njerëzve të fortë dhe trima, ishte dy mijë e gjashtëqind veta. 13 Nën komandën e tyre ndodhej një ushtri prej treqind e shtatë mijë e pesëqind njerëz të aftë të luftojnë me trimëri të madhe, për të ndihmuar mbretin kundër armikut. 14 Uziahu i furnizoi ata, domethënë tërë ushtrinë, me mburoja, ushta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të hedhur gurë. 15 Në Jeruzalem specialistët i ndërtuan gjithashtu disa makina të cilat ai i vendosi mbi kullat dhe në qoshet, për të hedhur shigjeta dhe gurë të mëdhenj. Fama e tij u përhap larg, sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme deri sa u bë i fuqishëm. 16 Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan në altarin e temjanit. 17 Pas tij hyri prifti Azariah me tetëdhjetë priftërinj të Zotit, njerëz trima. 18 Ata iu kundërvunë mbretit Uziah dhe i thanë: "Nuk të takon ty, o Uziah, t'i ofrosh temjan Zotit, por priftërinjve, bijve të Aaronit, që janë shenjtëruar për të ofruar temjan. Dil nga vendi i shenjtë, sepse ke kryer mëkat! Kjo nuk do të sjellë asnjë nder nga ana e Zotit Perëndi". 19 Atëherë Uziahu, që kishte në dorë një temjanisë për të ofruar temjanin, u zemërua; por ndërsa po u hakërrohej priftërinjve, mbi ballin e tij shpërtheu lebra, përpara priftërinjve, në shtëpinë e Zotit, pranë altarit të temjanit. 20 Kryeprifti Azariah dhe tërë priftërinjtë e tjerë u kthyen ndaj tij, dhe ja, mbi ballin e tij dukeshin shenjat e lebrës. Kështu e nxorën me të shpejtë dhe ai vetë nxitoi të dalë sepse Zoti e kishte goditur. 21 Mbreti Uziah mbeti lebroz deri ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar, sepse ishte lebroz dhe ishte përjashtuar nga shtëpia e Zotit; dhe i biri Jotham ishte kryeintendenti i pallatit mbretëror dhe administronte drejtësinë e popullit të vendit. 22 Pjesa tjetër e bëmave të Uziahut, nga të parat deri në të fundit, janë shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit. 23 Kështu Uziahu pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në fushën e varrimit që u takonte mbretërve, sepse thuhej: "E ka zënë lebra". Në vend të tij mbretëroi i biri, Jothami. 27 1 Jothami ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerushah; ishte bija e Tsadokut. 2 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Uziahu; (megjithëse nuk hyri në tempullin e Zotit), por populli i tij vazhdonte të korruptohej. 3 Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit dhe bëri shumë punime në muret e Ofelit. 4 Përveç kësaj ndërtoi qytete në krahinën malore të Judës dhe kala dhe kulla ndër pyje. 5 I shpalli gjithashtu luftë mbretit të bijve të Amonit dhe i mundi ata. Bijtë e Amonit i dhanë atë vit njëqind talenta argjendi, dhjetë mijë kore gruri dhe dhjetë mijë elbi. Po kjo sasi iu dorëzua nga bijtë e Amonit vitin e dytë dhe të tretë. 6 Kështu Jothami u bë i fuqishëm, sepse rregulloi ecjen e tij përpara Zotit, Perëndisë të tij. 7 Pjesa tjetër e bëmave të Jothamit, tërë luftërat dhe ndërmarrjet e tij janë shkruar në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. 8 Ai ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. 9 Pastaj Jothamin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi. 28 1 Ashazi ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai nuk bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, siç kishte bërë Davidi, i ati; 2 por ndoqi rrugët e mbretërve të Izraelit, madje bëri shëmbëlltyra prej metali të shkrirë për Baalët. 3 Ai dogji temjan në luginën e Birit të Hinomit dhe dogji në zjarr bijtë e tij, duke ndjekur veprimet e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit; 4 përveç kësaj bënte flijime dhe dogji temjan mbi vendet e larta, mbi kodrat dhe nën çdo pemë të gjelbëruar. 5 Prandaj Zoti, Perëndia i tij, ia dha në dorë mbretit të Sirisë; ky i mundi dhe zuri një numër të madh robërish që i çuan në Damask. U dha gjithashtu në dorë të mbretit të Izraelit, që i shkaktoi një humbje të madhe. 6 Në të vërtetë Pekahu, bir i Remaliahut, brenda një dite vrau njëqind e njëzet mijë burra në Judë, tërë trima, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. 7 Zikri, një trim nga Efraimi, vrau Maasejahun, birin e mbretit, Azrikam, prefektin e pallatit, dhe Elkanahun, që zinte vendin e dytë pas mbretit. 8 Bijtë e Izraelit çuan robër, midis vëllezërve të tyre, dyqind mijë gra, bij dhe bija; u morën atyre edhe një plaçkë të madhe, që e çuan në Samari. 9 Por aty ishte një profet i Zotit, që quhej Obed. Ai doli para ushtrisë që po kthehej në Samari dhe tha: "Ja, me qenë se Zoti, Perëndia i etërve tuaj, ishte i zemëruar me Judën, ju dha ata në duart tuaja, por ju i vratë me tërbim, që arriti deri në qiell. 10 Dhe tani doni t'i nënshtroni, si skllevërit tuaj dhe skllavet tuaja, bijtë dhe bijat e Judës dhe të Jeruzalemit. Por në realitet a nuk jeni fajtorë ju vetë përpara Zotit, Perëndisë tuaj? 11 Dëgjomëni, pra, dhe kthejini robërit që keni zënë midis vëllezërve tuaj, sepse përndryshe zemërimi i zjarrtë i Zotit do të bjerë mbi ju". 12 Atëherë disa nga krerët e bijve të Efraimit, Azariahu, bir i Johananit, Berekiahu, bir i Meshilemothit, Ezekia, bir i Shalumit, dhe Amasa, bir i Hadlait, u ngritën kundër atyre që ktheheshin nga lufta, 13 dhe u thanë: "Ju nuk do t'i sillni këtu robërit, sepse mbi ne rëndon tanimë një faj kundër Zotit; ajo që keni ndër mend të bëni do t'i shtojë edhe më tepër mëkatet dhe fajin tonë, sepse faji ynë është mjaft i madh dhe një zemërim i zjarrtë i kërcënohet Izraelit". 14 Atëherë ushtarët i lanë robërit dhe plaçkën përpara komandantëve dhe tërë asamblesë. 15 Pastaj disa njerëz të thirrur me emër u ngritën dhe morën robërit dhe me rrobat e plaçkës veshën tërë ata që ishin lakuriq; u dhanë rroba dhe sandale, për të ngrënë dhe për të pirë dhe i vajosën; pastaj i mbartën tërë të dobëtit mbi gomarë dhe i çuan në Jeriko, qyteti i palmave, pranë vëllezërve të tyre, pastaj u kthyen në Samari. 16 Në atë kohë mbreti Ashaz shkoi t'i kërkojë ndihmë mbretit të Asirisë. 17 Edomitët kishin ardhur përsëri, kishin mundur Judën dhe kishin marrë me vete robërit. 18 Filistejtë kishin pushtuar edhe qytetet e fushës dhe të Negevit të Judës dhe kishin marrë Beth-Shemeshin, Ajalonin, Gederothin, Sokon me fshatrat e tij, Timnahun me fshatrat e tij, Gimzon me fshatrat e tij, dhe ishin vendosur aty. 19 Zoti në fakt kishte poshtëruar Judën për shkak të Ashazit, mbretit të Izraelit, që kishte nxitur rënien morale në Judë dhe kishte kryer mëkate të rënda kundër Zotit. 20 Kështu Tilgath-Pilneseri, mbret i Asirisë, doli kundër tij dhe e shtypi në vend që ta ndihmonte, 21 megjithatë Ashazi kishte marrë një pjesë të thesareve të shtëpisë të Zotit, të pallatit të mbretit dhe të krerëve, dhe ia kishte dhënë të gjitha mbretit të Asirisë; megjithatë kjo nuk i vlejti fare. 22 Edhe kur ishte i shtypur, mbreti Ashaz mëkatoi edhe më shumë kundër Zotit. 23 U ofroi flijime perëndive të Damaskut që e kishin mundur, duke thënë: "Me qenë se perënditë e mbretit të Sirisë i ndihmojnë ata, unë do t'i ofroj atyre flijime që të më ndimojnë edhe mua". Por qenë pikërisht ata që shkaktuan shkatërrimin e tij dhe atë të të gjithë Izraelit. 24 Ashazi mblodhi gjithë veglat e shtëpisë së Perëndisë, i bëri ato copë-copë, mbylli portat e shtëpisë të Zotit, ndërtoi altare në çdo kënd të Jeruzalemit, 25 dhe në çdo qytet të Judës vendosi vende të larta për t'u djegur temjan perëndive të tjera, duke shkaktuar kështu zemërimin e Zotit, Perëndisë të etërve të tij. 26 Pjesa tjetër e bëmave të tij dhe tërë sjelljet e tij, nga e para në të fundit, janë shkruar në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit. 27 Pastaj Ashazin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytet, në Jeruzalem, por nuk deshën ta vënë në varrezat e mbretërve të Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ezekia. 29 1 Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias. 2 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati. 3 Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në muajin e parë, ai hapi portat e shtëpisë të Zotit dhe i restauroi. 4 Pastaj solli priftërinjtë dhe Levitët, dhe i mblodhi në sheshin lindor, 5 dhe u tha: "Më dëgjoni, o Levitë! Tani shenjtërohuni dhe shenjtëroni shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjtë çdo gjë të papastër. 6 Sepse etërit tanë kanë kryer mëkate dhe kanë bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë tonë dhe e kanë braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krahët. 7 Ata madje kanë mbyllur portat e portikut, kanë shuar llambat dhe nuk kanë djegur më temjan as nuk kanë ofruar olokauste në vendin e shenjtë të Perëndisë të Izraelit. 8 Prandaj zemërimi i Zotit ra mbi Judën dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur në telashe, në shkretim dhe në përbuzje, siç mund ta shihni me sytë tuaj. 9 Dhe ja, për shkak të kësaj, etërit tanë ranë nga goditjet e shpatës, dhe bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë në robëri. 10 Tani kam në zemër të bëj një besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet prej nesh. 11 Bij të mij, mos u tregoni të shkujdesur tani, sepse Zoti ju ka zgjedhur që t'i shërbeni atij, që të jemi shërbëtorët e tij dhe që t'i ofroni temjan". 12 Atëherë Levitët u ngritën: Mahathi, bir i Amasait, Joeli, bir i Azariahut, nga bijtë e Kehathit. Nga bijtë e Merarit, Kishi, bir i Abdiut dhe Azariahut, bir i Jehalelelit. Nga Ghershonitët, Joahu, bir i Zimahut dhe Edeni, bir i Joahut. 13 Nga bijtë e Elitsafanit, Shimri dhe Jeieli. Nga bijtë e Asafit, Zakaria dhe Mataniahu. 14 Nga bijtë e Hemanit, Jehieli dhe Shimei. Nga bijtë e Jeduthunit, Shemajahu dhe Uzieli. 15 Ata mblodhën vëllezërit e tyre dhe u shenjtëruan; pastaj hynë në shtëpinë e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit, në përputhje me fjalët e Zotit. 16 Kështu priftërinjtë hynë brënda shtëpisë të Zotit për ta pastruar dhe nxorën jashtë, në oborrin e shtëpisë të Zotit, të gjitha sendet e papastra që gjetën në tempullin e Zotit; Levitët i morën për t'i çuar jashtë në përroin e Kidronit. 17 Filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit; ditën e tetë të muajit hynë në portikun e Zotit; brenda tetë ditëve pastruan shtëpinë e Zotit dhe e përfunduan ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë. 18 Pastaj hynë në pallatin e mbretit Ezekia dhe i thanë: "Kemi pastruar tërë shtëpinë e Zotit, altarin e olokausteve me të gjitha veglat e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me gjithë veglat e saj. 19 Përveç kësaj kemi vënë përsëri në vend dhe kemi pastruar të gjitha përdorëset që mbreti Ashaz në mëkatin e tij kishte flakur tej gjatë mbretërimit të tij; dhe ja, tani janë përpara altarit të Zotit". 20 Atëherë mbreti Ezekia u ngrit shpejt, mblodhi parinë e qytetit dhe u ngjit në shtëpinë e Zotit. 21 Ata sollën shtatë dema, shtatë desh, shtatë qengja dhe shtatë cjep, si flijim për mëkatin për mbretërinë, për shenjtëroren dhe për Judën. Pastaj mbreti urdhëroi priftërinjtë, bijtë e Aaronit, t'i ofronin në altarin e Zotit. 22 Kështu therën demat, dhe priftërinjtë mblodhën gjakun e tyre dhe spërkatën altarin me të; në të njëjtën mënyrë therën deshtë dhe spërkatën gjakun e tyre mbi altar; pastaj therën qengjat dhe spërkatën me gjakun e tyre altarin. 23 Pastaj i paraqitën mbretit dhe asamblesë cjeptë e flijimit për mëkatin, dhe ata vunë mbi to duart e tyre. 24 Priftërinjtë i therën dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar si flijim për mëkatin, si shlyerje e fajit për tërë Izraelin, sepse mbreti kishte urdhëruar të ofronin olokaustin dhe flijimin për mëkatin, për tërë Izraelin. 25 Mbreti vendosi gjithashtu Levitët në shtëpinë e Zotit me cembale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhrit të Davidit, të Gadit, shikuesi i mbretit, dhe të profetit Nathan, sepse urdhri ishte dhënë nga Zoti me anë të profetëve të tij. 26 Kështu Levitët zunë vend me veglat e Davidit, dhe priftërinjtë me boritë. 27 Atëherë Ezekia urdhëroi që olokausti të ofrohej mbi altar; dhe në çastin që filloi olokausti, filloi gjithashtu kënga e Zotit me boritë dhe me shoqërimin e veglave të Davidit, mbretit të Izraelit. 28 Atëherë tërë asambleja u përul, ndërsa këngëtarët këndonin dhe trumbetierët u binin veglave të tyre; e tërë kjo vazhdoi deri në fund të olokaustit. 29 Me të mbaruar olokausti, mbreti dhe tërë ata që ishin me të u përkulën dhe adhuruan. 30 Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdhëruan Levitët të lëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe të shikuesit Asaf; ata e lëvduan me gëzim, pastaj u përkulën dhe e adhuruan. 31 Atëherë Ezekia mori fjalën dhe tha: "Tani që i jeni shenjtëruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit". Kështu asambleja solli flijime dhe oferta falenderimi; dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën olokauste. 32 Numri i olokausteve që solli asambleja ishte shtatëdhjetë dema, njëqind desh dhe dyqind qengja; të tëra këto ishin olokauste për Zotin. 33 Kafshët e shenjtëruara ishin gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele. 34 Por priftërinjtë ishin shumë të pakët dhe nuk mund të rripnin tërë olokaustet; prandaj vëllezërit e tyre, Levitët, i ndihmuan deri sa mbaroi tërë puna dhe deri sa të shenjtëroheshin priftërinjtë e tjerë, sepse Levitët e kishin zemrën më të pastër në shenjtërimin e priftërinjve. 35 Pati një numër të madh olokaustesh së bashku me dhjamin e fljimeve të falënderimit dhe me blatimet e olokausteve. Kështu u rivendos shërbimi i shtëpisë të Zotit. 36 Ezekia dhe tërë populli u gëzua që Perëndia e kishte përgatitur popullin; në të vërtetë kjo gjë u bë shpejt. 30 1 Pastaj Ezekia i dërgoi lajmëtarë tërë Izraelit dhe Judës dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit që të vinin në shtëpinë e Zotit në Jeruzalem për të festuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit. 2 Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë; 3 në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem. 4 Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë. 5 Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar. 6 Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë. 7 Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni. 8 Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju. 9 Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai". 10 Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta. 11 Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem. 12 Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit. 13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh. 14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit. 15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit. 16 Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve. 17 Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t'i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t'ia shenjtëruar Zotit. 18 Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo 19 që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja". 20 Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin. 21 Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit. 22 Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. 23 Pastaj tërë kuvendi vendosi ta kremtojë festën shtatë ditë të tjera; kështu e kremtuan shtatë ditë të tjera me gëzim. 24 Në fakt Ezekia, mbret i Judës, i kishte falur kuvendit një mijë dema të vegjël dhe shtatë mijë dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit një mijë dema të vegjël dhe dhjetë mijë dele; dhe një numër i madh priftërinjsh ishte shenjtëruar. 25 Tërë asambleja e Judës kremtoi festën bashkë me priftërinjtë, me Levitët, me tërë asamblenë e atyre që erdhën nga Izraeli dhe me të huajt që kishin mbërritur nga vendin e Izraelit ose që banonin në Judë. 26 Kështu pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgjë e tillë në Jeruzalem. 27 Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell. 31 1 Mbasi mbaruan tërë këtë punë, Izraelitët e pranishëm u nisën për në qytetet e Judës, për të thyer kollonat e shenjta, për të shembur Asherimët dhe për të shkatërruar vendet e larta dhe altarët në 2 Ezekia rindërtoi klasat e priftërinjve dhe të Levitëve në bazë të klasave të tyre, secila sipas shërbimit të tij, priftërinjtë dhe Levitët për olokaustet dhe flijimet e falenderimit për të shërbyer, për të falenderuar dhe për të lëvduar në portat e kampeve të Zotit. 3 Mbreti caktoi edhe pjesën e pasurive të tij, që do t'i caktoheshin për olokauste; olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, olokaustet e të shtunave, të ditëve të hënës së re dhe të festave solemne, ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit. 4 Gjithashtu urdhëroi popullin, ata që banonin në Jeruzalem, t'u jepnin priftërinjve dhe Levitëve pjesën që u takonte, me qëllim që të tregoheshin të vendosur në ligjin e Zotit. 5 Sa u përhap ky urdhër, bijtë e Izraelit dhanë me shumicë prodhimet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të arave; dhe çuan një të dhjetë të bollshme nga çdo gjë. 6 Bijtë e Izraelit dhe të Judës që banonin në qytetet e Judës çuan edhe ata të dhjetën e lopëve dhe të deleve, po kështu edhe të dhjetën e gjërave të shenjta të shenjtëruara Zotit, Perëndisë të tyre, dhe krijuan me to shumë grumbuj. 7 Filluan t'i bëjnë grumbujt në muajin e tretë dhe e përfunduan këtë punë në muajin e shtatë. 8 Kur Ezekia dhe krerët erdhën për të parë grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij të Izraelit. 9 Pastaj Ezekia pyeti priftërinjtë dhe Levitët për grumbujt; 10 kryeprifti Azariah, nga shtëpia e Tsadokut, iu përgjigj: "Që kur filloi prurja e ofertave në shtëpinë e Zotit, kemi ngrënë sa jemi ngopur dhe kanë mbetur gjëra me shumicë, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo është sasia e madhe që ka tepruar". 11 Atëherë Ezekia i urdhëroi ata të përgatisnin disa dhoma në shtëpinë e Zotit. Ata i përgatitën, 12 dhe sollën aty me besnikëri ofertat, të dhjetën dhe gjërat e shenjtëruara. Levitit Konaniahu iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i vëllai, Shimei. 13 Jehieli, Ahaziahu, Nahathi, Asahelli, Jerimothi, Jozabadi, Elieli, Ismakiahu, Mahathi dhe Benajahu ishin mbikqyrës nën urdhrat e Konaniahut dhe të vëllait të tij Shimei, me porosi të mbretit Ezekia dhe të Azariahut, kreu i shtëpisë së Perëndisë. 14 Leviti Kore, bir i Imnahut, rojë e portës lindore, ishte caktuar për ofertat vullnetare që i bëheshin Perëndisë për të shpërndarë ofertat e larta të Zotit dhe gjërat shumë të shenjta. 15 Nën urdhrat e tij ishin Edeni, Miniamini, Jeshua, Shemajahu, Amariahu, Shekaniahu në qytetet e priftërinjve, që duhet t'u bënin me përpikmëri shpërndarjen vëllezërve të tyre, të mëdhenj apo të vegjël, sipas klasave të tyre; 16 me përjashtim të meshkujve që ishin regjistruar në gjeneologjitë e tyre nga mosha tre vjeç e lart, ata u shpërndanin të gjithë atyre që hynin në shtëpinë e Zotit racionin e tyre të përditshëm për shërbimin e tyre, sipas funksioneve të tyre dhe në bazë të klasës së cilës i përkisnin, 17 priftërinjve të regjistruar në gjenealogjitë sipas shtëpive atërore dhe Levitëve me moshë njëzet vjeç e lart, sipas detyrave të tyre dhe klasave të cilave u përkisnin, 18 dhe gjithë atyre që ishin regjistruar në gjenealogjinë, domethënë fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet e tyre bijtë e tyre dhe bijat e tyre si anëtarë të të gjithë asamblesë; sepse në funksionin që u ishte caktuar ata u shenjtëruan në shenjtëri. 19 Edhe për priftërinjtë, bijtë e Aaronit, që banonin në fshat, në zonat rreth qyteteve, kishte në çdo qytet njerëz të caktuar me emër për të ndarë racionet çdo mashkulli midis priftërinjve dhe tërë Levitëve të regjistruar në gjenealogjitë. 20 Ezekia veproi kështu në të gjithë Judën; bëri atë që është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë përpara Zotit, Perëndisë të tij. 21 Çdo punë që ndërmori për shërbimin e shtëpisë të Perëndisë, për ligjin dhe për urdhërimet, për të kërkuar Perëndinë e tij, ai e bëri me gjithë zemër; prandaj ai pati mbarësi. 32 1 Mbas këtyre gjërave dhe këtyre veprimeve besnikërie të Ezekias, Senasheribi, mbret i Asirisë, erdhi, hyri në Judë dhe rrethoi qytetet e fortifikuara, me qëllim që t'i pushtonte. 2 Kur Ezekia pa që Senasheribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jeruzalemin, 3 vendosi me komandantët e tij dhe me trimat e tij të mbyllnin ujërat e burimeve që ndodheshin jashtë qytetit; dhe ata e ndihmuan në këtë punë. 4 Kështu u mblodh një numër i madh njerëzish, të cilët i zunë të gjitha burimet dhe përroin që rridhte nëpër vend, duke thënë: "Pse mbreti i Asirisë duhet të vijë dhe të gjejë ujë me shumicë?". 5 Atëherë Ezekia mori guxim, rindërtoi të gjitha muret e rrëzuara, ngriti kulla dhe përjashta ndërtoi një mur të jashtëm; gjithashtu ai fortifikoi Milon në qytetin e Davidit dhe urdhëroi të bëheshin shumë ushta dhe mburoja. 6 Caktoi komandantë ushtarakë mbi popullin, i mblodhi rreth vetes në sheshin e qytetit dhe i foli zemrës së tyre, duke thënë: 7 "Tregohuni të fortë dhe trima! Mos kini frikë dhe mos u tronditni para mbretit të Asirisë dhe para morisë që është me të, sepse me ne është një më i madh nga ai që ndodhet me të. 8 Me të është një krah prej mishi, por me ne është Zoti, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar nël betejat tona". Populli u qetësua nga fjalët e Ezekias, mbretit të Judës. 9 Mbas kësaj Senasheribi, mbret i Asirisë, ndërsa ndodhej me të gjitha forcat e tij përballë Lakishit, dërgoi shërbëtorët e tij në Jeruzalem për t'i thënë Ezekias, mbretit të Judës, dhe të gjithë atyre të Judës që ndodheshin në Jeruzalem: 10 "Kështu flet Senasheribi, mbret i Asirëve: Ku e mbështetni besimin që qëndroni të rrethuar në Jeruzalem? 11 A nuk po ju gënjen Ezekia me qëllim që të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: "Zoti, Perëndia ynë, do të na çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë"? 12 A nuk i ka hequr vallë vetë Ezekia vendet e tij të larta dhe altarët e tij, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni përpara një altari të vetëm dhe mbi të do të ofroni temjan"? 13 A nuk e dini ju çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera? A kanë qenë të aftë perënditë e kombeve të këtyre vendeve të çlirojnë në një farë mënyre vendet e tyre nga duart e mia? 14 Midis tërë perëndive të këtyre kombeve që etërit e mi kanë caktuar për shfarosje, kush, pra, ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime? Si do të mund t'ju çlirojë Perëndia juaj, pra, nga dora ime? 15 Prandaj tani mos e lini Ezekian t'ju gënjejë dhe t'ju mashtrojë në këtë mënyrë; mos i zini besë! Duke qenë se asnjë perëndi e ndonjë kombi o mbretërie, nuk ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime apo nga dora e etërve të mi, aq më pak Perëndia juaj do të mund t'ju çlirojë nga dora ime!". 16 Shërbëtorët e tij flissnin akoma kundër Zotit Perëndi dhe kundër shërbëtorit të tij Ezekia. 17 Senasheribi shkroi gjithashtu letra për të sharë Zotin, Perëndinë e Izraelit, dhe për të folur kundër tij, duke thënë: "Ashtu si perënditë e kombeve të vendeve të tjera nuk i kanë çliruar popujt e tyre nga dora ime, kështu as Perëndia i Ezekias nuk do ta çlirojë popullin e tij nga dora ime". 18 Ata bërtitën me zë të lartë në gjuhën judaike duke iu drejtuar popullit të Jeruzalemit që rrinte mbi muret, për ta trembur dhe për ta tmerruar, dhe kështu të shtinin në dorë qytetin. 19 Ata folën kundër Perëndisë të Jeruzalemit ashtu si kundër perëndive të popujve të tokës, që janë vepër e dorës së njeriut. 20 Por mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, bir i Amotsit, u lutën me këtë rast dhe klithën në drejtim të qiellit. 21 Atëherë Zoti dërgoi një engjëll që shfarosi gjithë burrat e fortë dhe trima, princat dhe komandantët në kampin e mbretit të Asirisë. Ky u kthye në vendin e tij i mbuluar me turp; pastaj hyri në tempullin e perëndisë së tij, ku vetë bijtë e tij e vranë me shpatë. 22 Kështu Zoti shpëtoi Ezekian dhe banorët e Jeruzalemit nga dora e Senasheribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e gjithë të tjerëve dhe i mbrojti rreth e qark. 23 Një numër i madh njerëzish i çuan oferta Zotit në Jeruzalem dhe sende të çmuara Ezekias, mbretit të Judës, i cili qysh atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve. 24 Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit, që i foli dhe i dha një shenjë. 25 Por Ezekia nuk iu përgjigj mirësisë që iu bë atij, sepse zemra e tij ishte bërë krenare; prandaj mbi të, mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin ra zemërimi i Zotit. 26 Pastaj Ezekia e përunji krenarinë e zemrës së tij, ai dhe banorët e Jeruzalemit; prandaj zemërimi i Zotit nuk erdhi mbi ta gjatë jetës së Ezekias. 27 Ezekia pati pasuri shumë të mëdha dhe nder. Ai bëri depozita për argjendin, arin, gurët e çmuar, aromat, mburojat, dhe për çdo lloj objektesh të çmuara, 28 magazina për drithërat, verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet. 29 Vec këtyre ndërtoi qytete dhe pati një numër të madh kopesh dhe bagetish të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë pasuri shumë të mëdha. 30 Ishte Ezekia vetë që mbylli burimin e sipërm të ujrave të Gihonit dhe i kanalizoi poshtë në anën perëndimore të qytetit të Davidit. Ezekia ia doli mbanë në të gjitha veprat e tij. 31 Por kur krerët e Babilonisë i dërguan lajmëtarë për t'u informuar për mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi për ta vënë në provë e për të njohur gjithçka që ishte në zemrën e tij. 32 Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe veprat e tij të mira janë shkruar në vizionin e profetit Isaia, bir i Amotsit, dhe në librin e mbretërve të Judës e të Izraelit. 33 Pastaj Ezekia pushoi bashkë me etërit e tij dhe u varros në shpalin e varreve të bijve të Davidit; në vdekjen e tij gjithë Juda dhe banorët e Jeruzalemit i bënë nderime. Në vend të tij mbretëroi biri i tij Manasi.