1 Samuel 17:1-18

Albanian(i) 1 Filistejtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut. 2 Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër Filistejve. 3 Filistejtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina. 4 Nga kampi i Filistejve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë. 5 Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi; 6 në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri. 7 Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij. 8 Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: "Pse keni dalë për t'u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një Filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje. 9 Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni". 10 Pastaj Filisteu shtoi: "Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: "Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!". 11 Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe. 12 Davidi ishte biri i atij Efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë. 13 Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti. 14 Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit. 15 Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem. 16 Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë. 17 Isai i tha Davidit, birit të tij: "Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp. 18 Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre.