Albanian(i)
11 "Unë jam penduar që e kam bërë Saulin mbret, sepse ai është larguar nga unë dhe nuk ka zbatuar urdhërat e mia". Samueli u trishtua dhe i klithi tërë natën Zotit.
12 Në mëngjes herët Samueli u ngrit për t'i dalë përpara Saulit; por erdhën t'i thonë Samuelit: "Sauli ka shkuar në Karmel, dhe i ka ngritur vetes një monument; pastaj është kthyer duke kaluar tutje dhe ka zbritur në Gilgal".
13 Atëherë Samueli shkoi te Sauli dhe ky i tha: "Qofsha i bekuar nga Zoti! Unë e kam zbatuar urdhrin e Zotit".
14 Por Samueli tha: "Ç'është kjo blegërimë dhensh që më vjen në vesh dhe kjo pëllitje lopësh që po dëgjoj?".
15 Sauli u përgjegj: "Këto janë kafshë që ua kemi marrë Amalekitëve, sepse populli kurseu pjesën më të mirë të deleve dhe të lopëve për t'i ofruar si flijime Zotit, Perëndisë tënd; por pjesën tjetër e kemi caktuar të shfaroset".
16 Atëherë Samueli i tha Saulit: "Mjaft! Unë do të të tregoj atë që më tha Zoti sonte!". Sauli i tha "Folë".
17 Kështu Samueli tha: "A nuk është vallë e vërtetë që kur ishe i vogël në sytë e tu ishe bërë kreu i fiseve të Izraelit, dhe që Zoti të ka vajosur mbret të Izraelit?
18 Zoti të kishte ngarkuar një mision, duke thënë: "Shko, vendos shfarosjen e mëkatarëve Amalekitë dhe lufto kundër tyre deri sa të shfarosen".
19 Pse, pra, nuk iu binde zërit të Zotit, por u hodhe mbi plaçkën dhe bëre atë që është e keqe në sytë e Zotit?".
20 Sauli i tha Samuelit: "Por unë iu binda zërit të Zotit, plotësova misionin që Zoti më kishte ngarkuar, solla Agagun, mbretin e Amalekut, dhe caktova për shfarosje Amalekitët.
21 Por populli mori gjërat më të mira që duhet të ishin shfarosur, për t'i bërë flijime Zotit, Perëndisë tënd, në Gilgal".
22 Samueli i tha: "Ndoshta i pëlqejnë Zotit olokaustet dhe flijimet si bindje ndaj zërit të Zotit? Ja, bindja është më e mirë se flijimi; dhe të dëgjosh me kujdes është më mirë se dhjami i deshve.
23 Sepse rebelimi është si mëkati i shortarisë dhe kryeneçësia është si kulti i idhujve dhe i perëndive shtëpiake. Duke qenë se ke hedhur poshtë fjalën e Zotit, edhe ai të ka hedhur poshtë si mbret".
24 Atëherë Sauli i tha Samuelit: "Kam mëkatuar sepse kam shkelur urdhrin e Zotit dhe fjalët e tua, dhe kjo sepse kisha frikë nga populli dhe dëgjova zërin e tij.