Mark 3:8 Cross References - Albanian

8 dhe nga Jeruzalemi, nga Idumea, nga përtej Jordanit; gjithashtu një turmë e madhe nga rrethinat Etiros dhe të Sidonit, kur dëgjoi gjërat e medha që ai bënte, erdhi tek ai.

Numbers 32:33-38

33 Moisiu u dha kështu bijve të Gadit, bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manasit, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashabit, vendin me qytetet përreth. 34 Kështu bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarothin, Aroerin, 35 Atroth-Shofanin, Jaazerin, Jogbehahun, 36 Beth-Nimrahun dhe Beth-Aranin, qytete të fortifikuara, dhe vathë për kopetë e bagëtive. 37 Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjathaimin, 38 Neboh dhe Baal-Meonin (emrat e tyre janë ndryshuar) dhe Sibmahun; dhe u vunë emra të tjerë qyteteve që ndërtuan.

Joshua 13:8-14

8 Rubenitët dhe Gaditët, bashkë me gjysmën e fisit tjetër, kanë marrë trashëgiminë e tyre, që Moisiu u dha atyre matanë Jordanit, në lindje, ashtu siç ua kishte dhënë Moisiu, shërbëtor i Zotit; 9 nga Aroeri që ndodhet në brigjet e përroit Arnon dhe nga qyteti që është në mes të luginës, tërë rrafshnaltën e Medebas deri në Dibon; 10 tërë qytetet e Sihonit, mbretit të Amorejve, që mbretëronte në Heshbon, deri në kufirin e bijve të Amonit; 11 Galaadin, territorin e Geshuritëve dhe të Maakathitëve, tërë malin Hermon dhe tërë Bashanin deri në Salkah; 12 tërë mbretërinë e Ogut, në Bashan, që mbretëronte në Ashtaroth dhe në Edrei dhe ishte i vetmi gjigant i mbetur gjallë. Në fakt Moisiu i kishte mundur dhe dëbuar. 13 Por bijtë e Izraelit nuk i përzunë Geshuritët dhe Maakathitët; kjo është arësyeja pse Geshuritët dhe Maakathitët banojnë në mes të Izraelit deri në ditët e sotme. 14 Vetëm fisit të Levit, Moisiu nuk i kishte dhënë asnjë trashëgimi; flijimet e bëra me zjarr për nder të Zotit, Perëndisë së Izraelit, përfaqësonin trashëgiminë e tij, ashtu si u kishte thënë ai.

Joshua 19:28-29

28 dhe në drejtim të Ebronit, Rehobit, Hamonit dhe Kanahut deri në Sidonin e Madh. 29 Pastaj kufiri kthente në drejtim të Ramahut deri në qytetin e fortifikuar të Tirit, kthente nga ana e Hosas dhe mbaronte në det nga ana e territorit të Akzibit.

Psalms 45:12

12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua.

Psalms 87:4

4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".

Isaiah 23:1-18

1 Profecia kundër Tiros. Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse Tiro është shkatërruar, dhe nuk kanë mbetur as shtëpitë as porti. Ky lajm iu erdhi nga vendi i Kitimit. 2 Mos hapni gojën, o banorë të bregut të detit, o tregtarë të Sidonit; ata që çajnë detet ju kanë mbushur me pasuri. 3 Nëpërmjet ujërave të mëdha gruri i Shihorit, prodhimi i lumit, ishte e ardhura e tij; dhe ai ishte tregu i kombeve. 4 Ki turp, o Sidon, sepse ka folur deti, kalaja e detit, duke thënë: "Unë nuk kam pasur dhembje, as kam lindur fëmijë; nuk kam ushqyer të rinj as kam rritur virgjëresha". 5 Kur lajmi do të arrijë në Egjipt, do të hidhërohen për lajmin e Tiros. 6 Kaloni në Tarshish, vajtoni o banorë të bregut të detit! 7 Ky qënka qyteti juaj i qejfeve, prejardhja e të cilit është e lashtë? Këmbët e tij e çonin të banonte në toka të largëta. 8 Kush, pra, e ka vendosur këtë kundër Tiros, dhurues kurorash, tregëtarët e të cilit ishin princa dhe dyqanxhinjtë e të cilit ishin njerëzit e nderuar të dheut? 9 E ka vendosur Zoti i ushtrive, për të errur krenarinë nga çfarëdo shkëlqimi, për të ulur gjithë njerëzit e nderuar të dheut. 10 Kalo nëpër vendin tënd si Nili, o bijë e Tarshishit, nuk ka më forcë. 11 Zoti ka shtrirë dorën e tij mbi detin, i ka bërë mbretëritë të dridhen, për Kanaanin ka urdhëruar t'i shkatërrohen kalatë e tij. 12 Ai ka thënë: "Ti nuk do të vazhdosh të gëzohesh, o bijë e Sidonit, virgjëreshë që ke humbur nderin". Çohu, kalo në vendin e Kitimit; as aty nuk do të gjesh prehje. 13 Ja vendi i Kaldeasve: ky popull nuk ekzistonte fare; Asiri e themeloi për kafshët e shkretëtirës. Ata kanë ngritur kalatë e tyre, kanë rrënuar pallatet e Tiros dhe e kanë katandisur në një grumbull gërmadhash. 14 Rënkoni, o anije të Tarshishit, sepse kalaja juaj është shkatërruar. 15 Atë ditë do të ndodhë që Tiro të harrohet për shtatëdhjetë vjet, aq sa janë vitet e një mbreti. Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë në Tiro ashtu siç thotë kënga e prostitutës: 16 "Merr qesten, sillu nëpër qytet, o prostitutë e harruar; bjeri me zotësi veglës, shumo këngët që të mund të të kujtojnë". 17 Pas shtatëdhjetë vjetve do të ndodhë që Zoti do të vizitojë Tiron, që do të kthehet në pagën e vet dhe do të kurvërohet me të gjitha mbretëritë e botës mbi faqen e dheut. 18 Por fitimi nga tregtia e tij dhe paga e tij do t'i shenjtërohen Zotit; nuk do të mblidhet as nuk do të vihet mënjanë, sepse fitimi nga tregtia e tij do t'u shkojë atyre që banojnë përpara Zotit, me qëllim që të hanë sa të ngopen dhe të vishen në mënyrë të shkëlqyeshme.

Isaiah 34:5

5 Me qenë se shpata ime është dehur në qiell, ja ajo po gatitet të bjerë mbi Edomin, mbi popullin që kam vendosur të shfaroset, për të vënë në vend drejtësinë.

Ezekiel 26:1-21

1 Ndodhi në vitin e njëmbëdhjetë, ditën e parë të muajit, që fjala e Zotit m'u drejtua duke thënë: 2 "Bir njeriu, duke qenë se Tiro ka folur kundër Jeruzalemit: "Ah, Ah! Porta e popujve është thyer, ajo është drejtuar nga unë; unë do të mbushem tani që ajo është prishur"". 3 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Tiro. Do të bëj të ngrihen kundër teje shumë kombe, ashtu si deti bën të ngrihen valët e tij. 4 Ata do të shkatërrojnë muret e Tiros dhe do të shembin kullat e tij; do të fshij prej tij edhe pluhurin e tij dhe do ta bëj si një shkëmb të zhveshur. 5 Ai do të jetë një vend për të hedhur rrjetat në mes të detit, sepse unë fola", thotë Zoti, Zoti; "do të plaçkitet nga kombet; 6 edhe bijat e tij që janë në fshat do të vriten nga shpata; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti". 7 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë sjell nga veriu kundër Tiros Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, mbretin e mbretërve, me kuaj, me qerre, me kalorës dhe një shumicë të madhe njerëzish. 8 Ai do të vrasë me shpatë bijat e tua që janë në fshat, do të ngrejë kundër teje kulla, do të ndërtojë kundër teje një ledh dhe do të ngrejë kundër teje një çati mburojash. 9 Do të drejtojë kundër mureve të tua deshtë e tij dhe do të rrëzojë kullat e tua me kazmat e tij. 10 Për shkak të morisë së kuajve të tij do të mbulohesh nga pluhuri i tyre; muret e tua do të dridhen nga zhurma e kalorësve, të rrotave dhe të qerreve, kur të hyjë nëpër portat e tua, ashtu siç hyhet në një qytet nëpër të cilin është hapur një e çarë. 11 Me këmbët e kuajve të tij do të shkelë tërë rrugët e tua, do të vrasë popullin tënd me shpatë dhe shtyllat e tua të fuqishme do të rrëzohen. 12 Do të grabitin pasuritë e tua, do të plaçkitin mallrat e tua, do të rrëzojnë muret e tua, do të shkatërrojnë shtëpitë e tua të bukura, do të hedhin në mes të ujit gurët e tua, drurin tënd dhe tokën tënde. 13 Do të bëj të pushojë zhurma e këngëve të tua dhe zëri i harpave të tua nuk do të dëgjohet më. 14 Do të të bëj si një shkëmb të zhveshur; do të jesh një vend për të nderur rrjetat; nuk do të rindërtohesh më, sepse unë, Zoti, fola, thotë Zoti, Zoti". 15 Kështu i thotë Zoti, Zoti, Tiros: "Në zhurmën e rënies sate, në rënkimin e të plagosurve për vdekje, në kërdinë që do të bëhet në mes teje, a nuk do të dridhen vallë ishujt? 16 Atëherë princat e detit do të zbresin nga fronet e tyre, do të heqin mantelet e tyre dhe do të heqin rrobat e tyre të qëndisura; do të vishen me drithërim, do të ulen për tokë, do të dridhen në çdo çast dhe do të jenë të tronditur thellë për ty. 17 Do të ngrenë një vajtim për ty dhe do të thonë: "Si je zhdukur, ti që ishe banuar nga princat e detit, qytet i famshëm, që ishe aq i fuqishëm në det? Ti dhe banorët e tu u kallje tmerrin gjithë atyre që banonin atje. 18 Tani ishujt do të dridhen ditën e rënies sate, ishujt e detit do të tmerrohen nga fundi yt"". 19 Sepse kështu thotë Zoti, Zoti: "Kur të të bëj një qytet të shkretë si qytetet që nuk kanë banorë dhe kur të bëj të ngjitet humnera mbi ty dhe ujërat e mëdha të të mbulojnë, 20 atëherë do të zbresësh me ata që zbresin në gropë, midis popullit të dikurshëm, do të të bëj të rrish në thellësitë e tokës, në vende të shkretuara qysh prej lashtësisë, me ata që zbresin në gropë me qëllim që ti të mos banohesh më, por do të jap shkëlqim mbi tokën e të gjallëve. 21 Do të bëj një tmerr dhe nuk do të jesh më; do të të kërkojnë, por nuk do të të gjejnë kurrë më", thotë Zoti, Zoti.

Ezekiel 35:15

15 Me qenë se u gëzove që trashëgimia e shtëpisë së Izraelit ishte katandisur në shkreti, unë do të veproj kështu me ty: do të bëhesh i shkretë, o mal i Seirit, madje edhe tërë Edomi. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

Ezekiel 36:5

5 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Po, në zjarrin e xhelozisë sime unë flas kundër kusurit të kombeve dhe kundër tërë Edomit që e kanë shtënë në dorë vendim tim me gjithë gëzimin e zemrës dhe përçmimin e shpirtit, për ta përzënë si një pre.

Malachi 1:2-4

2 "Unë ju kam dashur", thotë Zoti. Por ju thoni: "Si na ke dashur?". "Vallë Ezau nuk ishte vëllai i Jakobit?", thotë Zoti. "Megjithëatë unë e kam dashur Jakobin 3 dhe e kam urryer Ezaun; malet e tij i kam kthyer në shkreti dhe trashëgiminë e tij ua kam dhënë çakejve të shkretëtirës. 4 Edhe sikur Edomi të thotë: "Ne u shkatërruam, por do të rifillojmë ndërtimin e vendeve të shkretuara"", kështu thotë Zoti i ushtrive, "ata do të rindërtojnë, por unë do të shemb; dhe do të emërtohen Territori i paudhësisë dhe populli kundër të cilit Zoti do të jetë përjetë i indinjuar.

Matthew 11:21

21 ''Mjerë ti, Korazin! Mjerë ti Betsaida! Sepse, në se në Tiro dhe në Sidon do të ishin kryer veprat e fuqishme që u bënë ndër ju, prej kohësh do të ishin penduar me thes dhe hi.

Mark 7:24

24 Pastaj u nis që andej dhe shkoi në krahinën e Tiros dhe të Sidonit; hyri në një shtëpi dhe donte që askush të mos e dinte, por nuk mundi të qëndrojë i fshehur.

Mark 7:31

31 Mbasi u nis përsëri nga krahina e Tiros dhe e Sidonit, Jezusi arriti te deti i Galilesë, në mes të krahinës së Dekapolit.

Cross Reference data is from OpenBible.info, retrieved June 28, 2010, and licensed under a Creative Commons Attribution License.