Bible verses about "transcendence" | Albanian

Exodus 3:1-22

1 Ndërkaq Moisiu po kulloste kopenë e Jethros, vjehrrit të tij dhe prift i Madianit; ai e çoi kopenë matanë shkretëtirës dhe arriti në malin e Perëndisë, në Horeb. 2 Dhe Engjëlli i Zotit iu shfaq në një flakë zjarri, në mes të një ferrishtjeje. Moisiu vështroi dhe ja që ferrishtja po digjej nga zjarri, por nuk konsumohej. 3 Atëherë Moisiu tha: "Tani do të zhvendosem për të parë këtë shfaqje madhështore: pse ferrishtja nuk po konsumohet!". 4 Zoti vuri re që ai ishte zhvendosur për të parë, dhe Perëndia e thirri nga mesi i ferrishtes dhe i tha: "Moisi, Moisi!". Ai u përgjigj: "Ja ku jam". 5 Perëndia tha: "Mos u afro këtu: hiq sandalet nga këmbët, sepse vendi në të cilin ndodhesh është vend i shenjtë". 6 Pastaj tha dhe këto fjalë: "Unë jam Perëndia i atit tënd, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit". Dhe Moisiu fshehu fytyrën e tij, sepse kishte frikë të shikonte Perëndinë. 7 Pastaj Zoti tha: "Sigurisht që e kam parë pikëllimin e popullit tim që ndodhet në Egjipt dhe e kam dëgjuar britmën e tij për shkak të shtypësve të tij, sepse i njoh vuajtjet e tij. 8 Kështu zbrita për ta çliruar nga dora e Egjiptasve dhe për ta çuar nga ky vend në një vend të mirë dhe të hapur, në një vend ku rrjedh qumështi dhe mjalti, në vendin ku ndodhen Kananejtë, Hitejtë, Amorejtë, Perezejtë, Hivejtë dhe Jebusejtë. 9 Dhe tani, ja britma e bijve të Izraelit ka arritur deri tek unë, dhe kam parë gjithashtu se si Egjiptasit i shtypin. 10 Prandaj eja dhe unë do të të dërgoj te Faraoni me qëllim që ta nxjerrësh popullin tim, bijtë e Izraelit, nga Egjipti". 11 Por Moisiu i tha Perëndisë: "Kush jam unë që të shkoj te Faraoni dhe t'i nxjerr bijtë e Izraelit nga Egjipti?". 12 Perëndia tha: "Unë do të jem me ty, dhe kjo do të jetë për ty shenja që të kam dërguar unë: Kur ta kesh nxjerrë popullin nga Egjipti, ju do t'i shërbeni Perëndisë mbi këtë mal". 13 Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t'u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju", po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?", ç'përgjigje duhet t'u jap?". 14 Perëndia i tha Moisiut: "UNÉ JAM AI QÉ JAM". Pastaj tha: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju"". 15 Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë". 16 Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit m'u shfaq, duke thënë: Unë patjetër ju kam vizituar dhe kam parë atë që ju bëjnë në Egjipt; 17 dhe kam thënë: Nga shtypja e Egjiptit do t'ju çoj në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë". 18 Dhe ata do t'i binden zërit tënd; dhe ti dhe pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit dhe do t'i thoni: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve na doli përpara; dhe tani na lër të shkojmë dhe të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t'i bëjmë fli Zotit, Perëndisë tonë". 19 Por unë e di që mbreti i Egjiptit nuk do t'ju lejojë të shkoni, veç po të jetë i shtrënguar nga një dorë e fuqishme. 20 Atëherë unë do të shtrij dorën time dhe do të godas Egjiptin me të gjitha mrekullitë që unë do të bëj në mes tyre; pas kësaj ai do t'ju lërë të ikni. 21 Dhe do t'i jap këtij populli të mira para syve të Egjiptasve; dhe do të ndodhë që kur të niseni, nuk do të shkoni duarbosh; 22 por çdo grua do t'i kërkojë fqinjës së saj dhe gruas që banon në shtëpinë e saj sende argjendi, sende ari dhe rroba; dhe ju do t'ua vini në shtat bijve dhe bijave tuaja; kështu do t'i zhvishni Egjiptasit".

Psalms 95:3-5

3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë. 4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve. 5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.

Isaiah 57:15

15 Sepse kështu thotë i Larti dhe i Madhërishmi që banon përjetësinë dhe emri i të cilit është i "Shenjti": "Unë banoj në vendin e lartë dhe të shenjtë dhe bashkë me atë që është i penduar dhe i përulur nga fryma, për të ngjallur frymën e të përulurve, për të ngjallur frymën e të penduarve.

Jeremiah 1:1-19

1 Fjalët e Jeremias, birit të Hilkiahut, një nga priftërinjtë që ishin në Anathoth, në vendin e Beniaminit. 2 Fjala e Zotit iu drejtua në kohën e Josias, birit të Amonit, mbret i Judës, në vitin e trembëdhjetë të mbetërimit të tij; 3 iu drejtua gjithashtu në kohën e Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, deri në fund të vitit të njëmbëdhjetë të Sedekias, birit të Josias, mbret i Judës, domethënë deri në robërimin e Jeruzalemit, që ndodhi në muajin e pestë. 4 Fjala e Zotit m'u drejtua, duke më thënë: 5 "Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar dhe të kam caktuar profet të kombeve". 6 Unë u përgjigja: "Mjerisht, o Zot, Zot, unë nuk di të flas, sepse jam një djalosh"". 7 Por Zoti më tha: "Mos thuaj: "Jam një djalosh", sepse ti do të shkosh te të gjithë ata te të cilët do të të dërgoj unë dhe do t'u thuash tërë ato që do të urdhëroj. 8 Mos ki frikë para tyre, sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti". 9 Pastaj Zoti shtriu dorën e tij dhe preku gojën time; mandej Zoti më tha: "Ja, unë i vura fjalët e mia në gojën tënde. 10 Ja, sot unë të caktoj mbi kombet dhe mbi mbretëritë për të çrrënjosur dhe për të rrënuar, për të shembur dhe për të shkatërruar, për të ndërtuar dhe për të mbjellë". 11 Pastaj fjala e Zotit m'u drejtua mua, duke thënë: "Jeremia, çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një degë bajameje". 12 Zoti më tha: "Ke parë mirë, sepse unë vigjëloj mbi fjalën time që të ketë efekt". 13 Fjala e Zotit m'u drejtua për herë të dytë, duke thënë: "Çfarë shikon?". Unë u përgjigja: "Shikoj një vorbë që zien dhe që e ka grykën të kthyer në drejtim të kundërt me veriun". 14 Zoti më tha: "Nga veriu fatkeqësia do të bjerë mbi gjithë banorët e vendit. 15 Sepse, ja, unë po bëhem gati të thëras tërë popujt e mbretërive të veriut, thotë Zoti. Ata do të vijnë dhe do të vendosin secili fronin e tij në hyrje të portave të Jeruzalemit, kundër tërë mureve të tij, rreth e qark, dhe kundër tërë qyteteve të Judës. 16 Atëherë do të shpall mendimet e mia kundër tyre, për shkak të gjithë ligësisë së tyre, sepse më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera dhe kanë rënë përmbys përpara veprës së duarve të tyre. 17 Prandaj ngjeshi ijët e tua, çohu dhe thuaju atyre tërë ato që do të të urdhëroj. Mos u tmerro para tyre, përndryshe do të të bëj që të tmerrohesh para tyre. 18 Ja, sot po të bëj një qytet të fortifikuar, një shtyllë të hekurt dhe një mur bronzi kundër gjithë vendit, kundër princave të tij dhe priftërinjve të tij dhe kundër popullit të vendit. 19 Ata do të luftojnë kundër teje por nuk do të të mundin sepse unë jam me ty për të të çliruar, thotë Zoti".

2 Peter 1:21

21 Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet.

John 1:1

1 Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi.

Job 26:7

7 Ai shtrin veriun në zbrazëti dhe e mban tokën pezull mbi hiçin.

Job 11:6-7

6 për të treguar të fshehtat e diturisë, sepse dituria e vërtetë është e shumëtrajtshme, atëherë do të mësoje se Perëndia harron një pjesë të fajit tënd. 7 A mundesh ti të hulumtosh thellësitë e Perëndisë? A mund të depërtosh në përsosmërinë e të Plotfuqishmit?

Romans 11:33-36

33 O thellësi pasurie, urtësie dhe diturie të Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pashtershme janë udhët e tij! 34 ''Sepse kush e njohu mendjen e Zotit? Ose kush u bë këshilltar i tij? 35 Ose kush i dha atij më parë, që të ketë për të marrë shpagim?''. 36 Sepse prej tij, me anë të tij dhe për të janë të gjitha gjëra. Lavdi atij përjetë! Amen!

Isaiah 40:22

22 Ai është ai që rri ulur mbi rruzullin e tokës, banorët e së cilës janë si karkaleca; ai i shpalos qiejtë si një velo dhe i hap si një çadër ku mund të banosh.

Isaiah 55:8-9

8 "Duke qenë se mendimet e mia nuk janë mendimet tuaja, dhe as rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia", thotë Zoti. 9 "Ashtu si qiejtë janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.