Bible verses about "self-defense" | Albanian

Genesis 4:1-26

1 Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti". 2 Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. 3 Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; 4 por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, 5 por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. 6 Atëherë Zoti i tha Kainit: "Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? 7 Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh". 8 Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau. 9 Atëherë Zoti i tha Kainit: "Ku është vëllait yt Abeli?". Ai u përgjegj: "Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?". 10 Zoti i tha: "Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. 11 Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. 12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë". 13 Atëherë Kaini i tha Zotit; "Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. 14 Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë". 15 Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo qoftë të vrasë Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste. 16 Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit. 17 Dhe Kaini njohu të shoqen, e cila u ngjiz dhe lindi Enokun. Pastaj Kaini ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit. 18 Dhe Enokut i lindi Iradi; Iradit i lindi Mehujaeli; Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe Mathusaelit i lindi Lameku. 19 Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah. 20 Dhe Ada lindi Jabalin, që ishte babai i atyre që banojnë nën çadra dhe merren me rritjen e bagëtisë. 21 Por emri i të vëllait ishte Jubal, që ishte babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit. 22 Cilah lindi edhe ajo Tubal-kainin, krijuesi i çfarëdo lloji veglash prej bronzi dhe hekuri, dhe motra e Tubal-kainit qe Naama. 23 Pastaj Lameku u tha grave të tij: "Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim; gra të Lamekut, u vini re fjalëve të mia! Po, unë vrava një njeri sepse më plagosi, dhe një të ri sepse më shkaktoi një irnim. 24 Në rast se do t'i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t'i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë". 25 Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: "Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini". 26 Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit.

Exodus 20:1-26

1 Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: 2 "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. 3 Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. 4 Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. 5 Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, 6 dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia. 7 Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij. 8 Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. 9 Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; 10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; 11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë. 12 Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep. 13 Nuk do të vrasësh. 14 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore. 15 Nuk do të vjedhësh. 16 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd. 17 Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd". 18 Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg. 19 Prandaj ata i thanë Moisiut: "Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim". 20 Moisiu i tha popullit: "Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t'ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni". 21 Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia. 22 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "Ju vetë e patë që kam folur me ju nga qielli. 23 Nuk do të bëni perëndi të tjera afër meje; nuk do të bëni perëndi prej argjendi ose prej ari. 24 Do të bësh për mua një altar prej dheu dhe mbi të do të ofrosh olokaustet e tua, flitë e tua të falënderimit, delet dhe qetë e tua; në çdo vend ku do të bëj që emri im të kujtohet, do të vij te ti dhe do të të bekoj. 25 Dhe në rast se do të ndërtosh për mua një altar me gurë, nuk do ta ndërtosh me gurë të latuar; sepse duke ngritur mbi to daltën do t'i ndotësh. 26 Dhe nuk do të ngjitesh në altarin tim me anë shkallaresh, me qëllim që mbi të të mos zbulohet lakuriqësia jote"".

Leviticus 26:1-46

1 "Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj. 2 Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti. 3 Në rast se silleni simbas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë, 4 unë do t'ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre. 5 Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj. 6 Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t'ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj. 7 Ju do t'i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. 8 Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. 9 Unë do të kthehem nga ju, do t'ju bëj pjellorë dhe do t'ju shumzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju. 10 Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t'i bërë vend prodhimit të ri. 11 Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t'ju përzë. 12 Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im. 13 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart. 14 Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia, 15 në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time, 16 edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj. 17 Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t'ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t'ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush. 18 Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t'ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja. 19 Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër. 20 Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre. 21 Dhe në rast se silleni si armiq të mi dhe nuk doni të më dëgjoni, unë do t'ju godas shtatë herë më tepër me plagë, simbas mëkateve tuaja. 22 Do të dërgoj kundër jush bishat e fushës, që do të rrëmbejnë fëmijët tuaj, do të shfarosin bagëtinë tuaj, do t'ju pakësojnë shumë dhe do t'i bëjnë të shkreta rrugët tuaja. 23 Dhe në se, me gjithë këto gjëra, nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por me sjelljen tuaj 24 silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku juaj, dhe do t'ju godas shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja. 25 Dhe do të sjell kundër jush shpatën që do të kryejë hakmarrjen e besëlidhjes sime; ju do të mblidheni në qytetet tuaja, por unë do të dërgoj në mes jush murtajën dhe do të bini në duart e armikut. 26 Kur do t'ju heq bukën e gojës, dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë dhe do të racionojnë bukën tuaj, duke e shpërndarë me peshë; ju do të hani, por nuk do të ngopeni. 27 Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi, 28 edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t'ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja. 29 Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja. 30 Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujtë tuaj dhe do t'i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t'ju urrej. 31 Do t'i katandis qytetet tuaja në shkretëtira, do të shkretoj vendet tuaja të shenjta dhe nuk do të thith më erën e këndshme të parfumeve tuaja. 32 Do të shkretoj vendin; dhe armiqtë tuaj që banojnë në të do të mbeten të habitur. 33 Do t'ju shpërndaj midis kombeve dhe do të nxjerr shpatën kundër jush; vendi juaj do të shkretohet dhe qytetet tuaja do të jenë të shkretuara. 34 Atëherë toka do të gëzojë të shtunat e saj për gjithë kohën që do të jetë e shkretuar dhe ju do të jeni në vendin e armiqve tuaj; kështu toka do të pushojë dhe do të gëzojë të shtunat e saj. 35 Për gjithë kohën që do të mbetet e shkretuar do të gëzojë pushimin që nuk pati në të shtunat tuaja, kur banonit në të. 36 Atyre prej jush që do të shpëtojnë do t'u kall në zemër tmerrin në vendin e armiqve të tyre; fërfërima e një gjethi që lëviz do t'i bëjë që t'ua mbathin këmbëve; do të turren ashtu siç iket përpara shpatës dhe do të bien pa i ndjekur askush. 37 Do të përplasen njëri me tjetrin, ashtu si përpara shpatës, pa i ndjekur askush; dhe nuk do të mund të qëndroni përpara armiqve tuaj. 38 Do të shuheni midis kombeve dhe vendi i armiqve tuaj do t'ju gëlltisë. 39 Ata prej jush që do të mbijetojnë do të përgjërohen për shkak të paudhësisë së tyre në vendin e armiqve; edhe do të përgjërohen gjithashtu për shkak të paudhësisë së etërve të tyre. 40 Por në se do të pranojnë paudhësinë e tyre dhe paudhësinë e etërve të tyre në shkeljet që kanë kryer kundër meje dhe gjithashtu sepse janë sjellë si armiq të mi, 41 sa që më kanë shtyrë të bëhem armik i tyre dhe t'i çoj në vendin e armiqve të tyre; në rast se zemra e tyre e parrethprerë do të përulet dhe do të pranojë ndëshkimin e paudhësisë së tyre, 42 atëherë unë do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Jakobin, do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Isakun dhe për besëlidhjen time me Abrahamin dhe do të kujtohem për vendin; 43 sepse vendi do të braktiset prej tyre dhe do të gëzojë të shtunat e tij, ndërsa do të jetë i shkretuar pa ta; kështu ata do të pranojnë ndëshkimin e paudhësisë së tyre për faktin se kanë përçmuar dekretet e mia dhe kanë kundërshtuar statutet e mia. 44 Megjithatë kur do të ndodhen në vendin e armiqve të tyre, unë nuk do t'i përçmoj dhe nuk do t'i urrej aq sa t'i asgjësoj krejt dhe të prish besëlidhjen time që kam lidhur me ta; unë jam Zoti, Perëndia i tyre; 45 por për dashuri ndaj tyre do të kujtohem për besëlidhjen e lidhur me stërgjyshërit e tyre, që i nxora nga vendi i Egjiptit para syve të kombeve për të qënë Perëndia i tyre. Unë jam Zoti". 46 Këto janë statutet, dekretet dhe ligjet që Zoti vendosi midis tij dhe bijve të Izraelit, mbi malin Sinai me anë të Moisiut.

Deuteronomy 28:1-68

1 "Tani, në rast se ti i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh tërë urdhërimet e tij që sot unë po të urdhëroj, do të ndodhë që Zoti, Perëndia yt, do të të lartësojë mbi të gjitha kombet e dheut; 2 të gjitha këto bekime do të bien mbi ty dhe do të të zënë, në rast se dëgjon zërin e Zotit, Perëndisë tënd: 3 Do të jesh i bekuar në qytete dhe në fshatra. 4 I bekuar do të jetë edhe fryti i barkut tënd, fryti i tokës dhe i bagëtisë sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua. 5 Të bekuara do të jenë shporta dhe magjja jote. 6 Do të jesh i bekuar kur hyn dhe i bekuar kur del. 7 Zoti do të veprojë në mënyrë që armiqtë e tu, që ngrihen kundër teje, të munden para teje; do të dalin kundër teje nëpër një rrugë, por do të ikin para teje nëpër shtatë rrugë. 8 Dhe Zoti do ta urdhërojë bekimin të ndodhet mbi ty në hambaret e tua dhe mbi të gjitha ato gjëra ku ti do të vësh dorë; dhe do të të bekojë në vendin që Zoti, Perëndia yt, të jep. 9 Zoti do të të vendosë në mënyrë që të jesh për të një popull i shenjtë, ashtu si të është betuar, në qoftë se do të respektosh urdhërimet e Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të ecësh në rrugët e tij; 10 kështu tërë popujt e dheut do të shohin që ti je i thirrur me emrin e Zotit, dhe do të kenë frikë prej teje. 11 Zoti, Perëndia yt, do të të mbushë me të mira, me frytin e barkut tënd, me frytin e bagëtisë sate dhe me frytin e tokës sate në vendin që Zoti u betua t'u japë etërve të tu. 12 Zoti do të hapë për ty qiellin, thesarin e tij të mirë, për t'i dhënë tokës sate shiun në kohën e duhur dhe për të bekuar veprën e duarve të tua; ti do t'u japësh hua shumë kombeve, por nuk do të marrësh asgjë hua. 13 Zoti do të bëjë që të jesh koka dhe jo bishti, dhe do të jesh gjithnjë lart dhe kurrë poshtë, në rast se u bindesh urdhërimeve të Zotit, Perëndisë tënd, që sot të urdhëron t'i respektosh dhe t'i zbatosh në praktikë. 14 Kështu nuk do të shmangesh as djathtas, as majtas nga asnjë prej fjalëve që sot ju urdhëroj, për të shkuar pas perëndive të tjera dhe për t'u shërbyer atyre. 15 Por në rast se nuk i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, për të respektuar me kujdes të gjitha urdhërimet dhe të gjitha statutet e tij që sot të urdhëroj, do të ndodhë që të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty dhe do të të gjejnë. 16 Do të jesh i mallkuar në qytet dhe do të jesh i mallkuar në fshat. 17 Të mallkuara do të jenë shporta jote dhe magjja jote. 18 I mallkuar do të jetë fryti i barkut tënd, fryti i tokës sate, pjelljet e lopëve të tua dhe fryti i deleve të tua. 19 Do të jesh i mallkuar kur hyn dhe i mallkuar kur del. 20 Zoti do të dërgojë kundër teje mallkimin, rrëmujën dhe mosmiratimin për çdo gjë mbi të cilën do të vësh dorë dhe që do të bësh, deri sa ti të shkatërrohesh dhe të vdesësh shpejt, për shkak të ligësisë së veprimeve të tua në të cilat më ke braktisur. 21 Zoti do të bëjë që të të zërë murtaja, deri sa të konsumohesh prej saj në vendin ku je duke hyrë për ta pushtuar. 22 Zoti do të godasë me ligështim, me ethe, me mahisje, me vapë djegëse, me shpatë, me plasje dhe vrug, që do të ndjekin deri në shkatërrimin tënd. 23 Qielli mbi kokën tënde do të jetë prej bakri dhe toka poshtë teje do të jetë prej hekuri. 24 Zoti do ta kthejë shiun e vendit tënd në rërë dhe pluhur, që do të bien mbi ty deri sa të shkatërrohesh. 25 Zoti do të të braktisë në disfatë dhe në masakër para armiqve të tu; do të dalësh kundër tyre nga një rrugë dhe do të largohesh prej tyre duke ua mbathur nëpër shtatë rrugë; dhe kështu do të bëhesh një objekt urrejtjeje nga ana e të gjitha mbretërive të dheut. 26 Kufomat e tua do t'u shërbejnë si ushqim tërë zogjve të qiellit dhe kafshëve të tokës, dhe askush nuk ka për t'i përzënë. 27 Zoti do të të godasë me ulcerën e Egjiptit, me hemorroidet, me zgjeben dhe me qerren, sëmundje nga të cilat nuk do të mund të shërohesh. 28 Zoti do të të godasë me marrëzinë, me verbërinë dhe me shushatjen e zemrës; 29 dhe do të ecësh me tahmin në mes të ditës, ashtu si ecën i verbëri në errësirë; nuk do të kesh mbarësi në rrugët e tua, por do të jesh vetëm i shtypur dhe i zhveshur vazhdimisht pa pasur ndihmën e askujt. 30 Do të fejohesh me një femër, por një burrë tjetër do të bjerë në shtrat me të; do të ndërtosh një shtëpi, por nuk do të banosh në të; do të mbjellësh një vresht, por nuk do të mbledhësh rrushin e tij. 31 Kau yt do të vritet para syve të tu, por ti nuk do të hash mishin e tij; gomarin tënd do të ta marrin në praninë tënde dhe nuk do të ta kthejnë; delet e tua do t'ua japin armiqve të tu dhe askush nuk do të të ndihmojë. 32 Bijtë e tu dhe bijat e tua do t'i jepen një populli tjetër; sytë e tu do të shikojnë dhe do të përgjerohen tërë ditën nga dëshira për t'i parë, dhe dora jote do të jetë pa fuqi. 33 Një popull që ti nuk e ke njohur, do të hajë frytin e tokës sate dhe të gjithë mundit tënd, dhe pa tjetër do të jesh i shtypur dhe i dërmuar vazhdimisht. 34 Do të çmëndesh para pamjes që do të shohin sytë e tu. 35 Zoti do të të godasë në gjunjët dhe në kofshët me një ulcer të keqe, nga e cila nuk do të mund të shërohesh, nga tabani i këmbëve deri në majë të kokës. 36 Zoti do të të çojë ty dhe mbretin tënd, që e ke vënë mbi ty, në një komb që as ti, as etërit e tu, nuk e keni njohur; dhe atje do t'u shërbeni perëndive të tjera prej druri dhe prej guri; 37 dhe do të bëhesh objekt habie, proverbi dhe talljeje në mes tërë popujve pranë të cilëve do të të çojë Zoti. 38 Do të çosh shumë farë në arë por do të korrësh pak, sepse karkaleci do ta gllabërojë. 39 Do të mbjellësh vreshta, do t'i punosh, por nuk do të pish verë as do të mbledhësh rrush, sepse krimbi do t'i hajë. 40 Do të kesh ullinj në të gjithë territorin tënd, por nuk do të lyesh me vaj, sepse ullinjtë e tu do të bien. 41 Do të të lindin bij dhe bija, por nuk do të jenë të tutë, sepse do të shkojnë në skllavëri. 42 Tërë pemët e tua dhe frytet e tokës sate do të jenë pre nga karkalecit. 43 I huaji që ndodhet në mes teje do të ngrihet gjithnjë e më lart mbi ty dhe ti do të biesh gjithnjë e më poshtë. 44 Ai do të të japë hua, por ti nuk do t'i japësh hua atij; ai do të jetë koka dhe ti bishti. 45 Të gjitha këto mallkime do të bien mbi ty, do të të ndjekin dhe do të të zënë deri sa të shkatërrohesh, sepse nuk iu binde zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet që ai të ka urdhëruar. 46 Ato do të jenë si një shenjë dhe si një mrekulli për ty dhe pasardhësit e tu, për gjithnjë. 47 Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë, 48 do t'u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundr teje, në një gjendje urije, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate deri sa të të shkatërrojë. 49 Zoti do të sjellë kundër teje nga larg, nga skajet e dheut, një komb të shpejtë, si shqiponja që fluturon, një komb gjuhën e të cilit ti nuk do ta kuptosh, 50 një komb me një pamje të egër që nuk do të respektojë plakun dhe nuk do të ketë mëshirë për të voglin, 51 dhe do të hajë frytin e bagëtisë sate dhe prodhimin e tokës sate, deri sa të shkatërrohesh; dhe nuk do të lërë as grurë, as musht, as vaj as pjelljet e lopëve të tua ose pjelljet e deleve të tua, deri sa të të ketë shkatërruar. 52 Dhe do të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, deri sa të rrëzohen në të gjithë vendin muret e larta dhe të fortifikuara te të cilat kishte besim. Do të të rrethojë në të gjitha qytetet e tua, në të gjithë vendin që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. 53 Përveç kësaj gjatë rrethimit dhe në fatkeqësinë në të cilën do të të katandisë armiku yt, do të hash frytin e barkut tënd, mishin e bijve dhe të bijave të tua, që Zoti, Perëndia yt, të ka dhënë. 54 Njeriu më zemërbutë dhe më delikat do të ketë një zemër kaq keqdashëse ndaj vëllait të tij, ndaj gruas që pushon mbi kraharorin e tij e ndaj fëmijëve që ka akoma, 55 sa të mos i japë asnjerit prej tyre mishin e bijve të tij, që ai do të hajë për vete, sepse nuk do t'i mbetet asgjë gjatë rrethimit dhe në mjerimin në të cilin do ta katandisin armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua. 56 Gruaja më zemërbutë dhe delikate midis jush, që për delikatesën dhe elegancën e saj do të kishte guxuar të vendoste tabanin e këmbës në tokë, do të ketë një zemër keqbërëse ndaj burrit që pushon mbi gjirin e saj, ndaj djalit dhe vajzës së saj, 57 ndaj placentës që del nga barku i saj dhe ndaj fëmijëve që lind, sepse ajo do t'i hajë fshehurazi, për shkak se çdo gjë mungon gjatë rrethimit dhe për shkak të mjerimit të madh që do të pësosh nga armiqtë e tu në të gjitha qytetet e tua. 58 Po të mos kesh kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha fjalët e këtij ligji, që janë shkruar në këtë libër, duke pasur frikë nga ky emër i lavdishëm dhe i tmerrshëm, Zoti, Perëndia yt, 59 atëherë Zoti do të lëshojë mbi ty dhe mbi pasardhësit e tu mjerime të papërshkrueshme, të mëdha dhe të zgjatura, si dhe sëmundje të këqija dhe të qëndrueshme; 60 përveç kësaj do të kthejë mbi ty të gjitha sëmundjet e Egjiptit, nga të cilat kishe frikë, dhe ato do të të ngjiten. 61 Edhe të gjitha sëmundjet dhe tërë fatkeqësitë e pashkruara në librin e këtij ligji, Zoti do t'i sjellë mbi ty, deri sa të shkatërrohesh. 62 Kështu do të mbeteni pak, mbasi keni qenë shumë si yjet e qiellit, sepse nuk i je bindur zërit të Zotit, Perëndisë tënd. 63 Dhe do të ndodhë që, ashtu si Zoti ndjente kënaqësi t'ju bënte të mirë dhe t'ju shumëzonte, po kështu Zoti do të ndjejë kënaqësi duke ju zhdukur dhe shkatërruar; dhe do t'ju rrëmbejnë nga vendi ku po hyni për ta pushtuar. 64 Zoti do të të shpërndajë midis tërë popujve, nga njeri skaj i tokës në tjetrin; dhe atje ti do t'u shërbesh perëndive të tjera, që as ti as etërit e tu nuk i keni njohur kurrë, perëndi prej druri dhe prej guri. 65 Dhe midis atyre kombeve nuk do të gjesh prehje dhe vend ku të pushojnë tabanët e këmbëve të tua; aty Zoti do të të japë një zemër të drithëruar, sy përgjërues dhe ankth në shpirt. 66 Jeta jote do të qëndrojë përpara pezull në pasiguri; do të dridhesh natën dhe ditën dhe nuk do të kesh asnjë siguri për qenien tënde. 67 Në mëngjes do të thuash: "Ah, të ishte mbrëmje!", dhe në mbrëmje do të thuash: "Ah, të ishte mëngjes!", për shkak të llahtarës që do të mbushë zemrën tënde dhe të pamjes që do të shohin sytë e tu. 68 Dhe Zoti do të të kthejë në Egjipt me anije, nëpër rrugën që të pata thënë: "Nuk do ta shohësh më kurrë!". Dhe aty do t'ju ofrojnë armiqve tuaj për t'ju shitur si skllevër dhe si skllave, por askush nuk do t'ju blejë".

Deuteronomy 28:47-48

47 Sepse nuk i ke shërbyer Zotit, Perëndisë tënd, me gëzim dhe hare në zemër për bollëkun në çdo gjë, 48 do t'u shërbesh armiqve të tu që Zoti do të dërgojë kundr teje, në një gjendje urije, etjeje, lakuriqësie dhe mungese të çdo gjëje; dhe ai do të vërë një zgjedhë të hekurt rreth qafës sate deri sa të të shkatërrojë.

Judges 5:8

8 Ata zgjidhnin perëndi të tjera, kur lufta ishte te pragu. Nuk shihej asnjë mburojë apo shtizë midis dyzet mijë burrave të Izraelit.

2 Chronicles 17:1-19

1 Në vend të tij mbretëroi i biri Jozafat, që u fortifikua kundër Izraelit. 2 Ai vendosi trupa në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetin e Efraimit, që ati i tij kishte pushtuar. 3 Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci në rrugët e para të Davidit, atit të tij. Ai nuk kërkoi Baalin, 4 por kërkoi Perëndinë e atit të tij dhe eci sipas urdhërimeve të tij dhe jo sipas bëmave të Izraelit. 5 Prandaj Zoti e përforcoi mbretërinë në duart e tij. Tërë Juda i çonte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumicë pasuri dhe lavdi. 6 Zemra e tij u forcua në rrugët e Zotit dhe ai hoqi përsëri vendet e larta dhe Asherimët nga Juda. 7 Vitin e tretë të mbretërisë së tij ai i dërgoi krerët e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht që të jepnin mësime në qytetin e Judës; 8 dhe me ta dërgoi Levitët Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashkë me këta edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram. 9 Kështu ata dhanë mësime në Judë, duke pasur me vete librin e ligjit të Zotit; ata kaluan nëpër tërë qytetet e Judës, duke e mësuar popullin. 10 Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit. 11 Disa nga Filistejtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe Arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjepë. 12 Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë. 13 Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima. 14 Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijëshëve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima; 15 pas tij vinin Jehohanani, siprijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra; 16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima. 17 Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja; 18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë. 19 Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.

Psalms 46:1

1 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Proverbs 25:26

26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

Matthew 4:1-25

1 Atëherë Fryma e çoi Jezusin në shkretëtirë, që djalli ta tundonte. 2 Dhe, mbasi agjëroi dyzet ditë e dyzet net, në fund e mori uria. 3 Atëherë tunduesi, pasi iu afrua, i tha: ''Në qoftë se je Biri i Perëndisë, thuaj që këta gurë të bëhen bukë''. 4 Por ai, duke iu përgjigjur, tha: ''Éshtë shkruar: "Njeriu nuk rron vetëm me bukë, por me çdo fjalë që del nga goja e Perëndisë"''. 5 Atëherë djalli e çoi në qytetin e shenjtë dhe e vendosi në majë të tempullit 6 dhe i tha: ''Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë, sepse është shkruar: "Ai do t'u japë urdhër engjëjve të tij për ty; edhe ata do të mbajnë mbi duart e tyre që të mos ndeshësh me këmbën tënde ndonjë gur"''. 7 Jezusi i tha: ''Éshtë shkruar gjithashtu: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd"''. 8 Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre, 9 dhe i tha: ''Unë do të t'i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron''. 10 Atëherë Jezusi i tha: ''Shporru, Satan, sepse është shkruar: "Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij"''. 11 Atëherë djalli e la; dhe ja, u afruan engjëjt dhe i shërbenin. 12 Jezusi, mbasi dëgjoi se Gjonin e kishin futur në burg, u tërhoq në Galile. 13 Pastaj la Nazaretin dhe shkoi të banojë në Kapernaum, qytet bregdetar, në kufijtë të Zabulonit dhe të Neftalit, 14 që të përmbushej ç'ishte thënë nëpërmjet profetit Isaia kur tha: 15 ''Toka e Zabulonit, toka e Neftalit, mbi bregun e detit, krahina përtej Jordanit, Galileja e paganëve, 16 populli që dergjej në errësirë ka parë një dritë të madhe, dhe përmbi ata që dergjeshin në krahinë dhe në hijen e vdekjes, doli drita''. 17 Që nga ajo kohë Jezusi filloi të predikojë dhe të thotë: ''Pendohuni, sepse mbretëria e qiejve është afër!''. 18 Duke ecur gjatë bregut të detit të Galilesë, Jezusi pa dy vëllezër: Simonin, të quajtur Pjetër, dhe Andrean, të vëllanë, të cilët po hidhnin rrjetën në det, sepse ishin peshkatarë; 19 dhe u tha atyre: ''Ndiqmëni dhe unë do t'ju bëj peshkatarë njerëzish''. 20 Dhe ata i lanë menjëherë rrjetat dhe e ndoqën. 21 Dhe, duke vazhduar rrugën, pa dy vëllezër të tjerë: Jakobin, birin e Zebedeut dhe Gjonin, vëllanë e tij, në barkë bashkë me Zebedeun, atin e tyre, duke ndrequr rrjetat; dhe i thirri. 22 Dhe ata lanë menjëherë barkën dhe atin e tyre dhe i shkuan pas. 23 Jezusi shkonte kudo nëpër Galile, duke mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje dhe çdo lëngatë në popull. 24 Dhe fama e tij u përhap në gjithë Sirinë; dhe i sillnin të gjithë të sëmurët që vuanin nga lëngata dhe dhimbje të ndryshme, të demonizuar, epileptikë dhe paralitikë; dhe ai i shëronte. 25 Dhe një mori e madhe njerëzish i shkonte pas, nga Galileja, nga Dekapoli, nga Jeruzalemi, nga Judeja dhe nga përtej Jordanit.

Exodus 22:1-31

1 "Në rast se ndokush vjedh një ka a një dele dhe i vret ose i shet, do të kthejë pesë qe për kaun dhe katër dele për delen. 2 Në rast se vjedhësi, i kapur kur po bën një thyerje, rrihet dhe vdes, pronari nuk është fajtor për vrasjen e tij. 3 Në rast se dielli ishte ngritur kur ndodhi ngjarja, ai është fajtor për vrasje. Hajduti duhet ta lajë dëmin; dhe po të jetë se nuk ka me se ta lajë, shitet për vjedhjen e kryer prej tij. 4 Në rast se gjëja e vjedhur, qoftë ka ose gomar ose dele, gjendet e gjallë në duart e tij, do të kthejë dyfishin e saj. 5 Në rast se ndokush dëmton një arë ose një vresht, duke i lëshuar kafshët e tij të kullosin në arën e një tjetri, do ta lajë dëmin e bërë me atë që ka më të mirë në arën dhe në vreshtin e tij. 6 Në rast se një zjarr përhapet dhe shtrihet deri te ferrat kështu që digjet gruri në duaj ose gruri në këmbë ose ara, ai që ka ndezur zjarrin do ta lajë dëmin. 7 Në rast se dikush i jep fqinjit të vet para ose sende për ruajtje, dhe këto vidhen nga shtëpia e këtij, në rast se gjendet vjedhësi, ai do të kthejë dyfishin. 8 Në rast se nuk gjendet vjedhësi, i zoti i shtëpisë do të dërgohet para Perëndisë për t'u betuar se nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e fqinjit të tij. 9 Për çfarëdo lloj krimi, fjala vjen qoftë edhe për një ka, një gomar, një dele, një veshje apo çfarëdo sendi të humbur që një tjetër thotë se është i tij, çështja e të dy palëve do të shtrohet para Perëndisë; ai që Perëndia do të dënojë, do t'i kthejë dyfishin fqinjit të tij. 10 Në qoftë se ndokush i jep për ruajtje fqinjit të tij një gomar, një ka, një dele apo çfarëdo lloj tjetër kafshe, dhe kjo ngordh ose plagoset ose dhe merret pa e parë njeri, 11 të dy palët do të betohen para Zotit për të mësuar në se marrësi në dorëzim nuk ka vënë dorë mbi pasurinë e fqinjit të tij. I zoti i gjësë do të pranojë betimin, dhe tjetri nuk do të jetë i detyruar të lajë dëmet. 12 Por në qoftë se gjëja i është vjedhur, ai duhet ta lajë dëmin që ka pësuar i zoti. 13 Në qoftë se kafsha është shqyer, do ta çojë si provë, dhe nuk do të jetë i detyruar të dëmshpërblejë kafshën e shqyer. 14 Në qoftë se dikush merr hua nga fqinji i tij një kafshë, dhe kjo plagoset apo ngordh kur i zoti nuk është i pranishëm, ai duhet të dëmshpërblejë dëmin. 15 Në qoftë se i zoti është i pranishëm, nuk do të dëmshpërblejë dëmin; në qoftë se kafsha është marrë me qira, ajo përfshihet në çmimin e qirasë. 16 Në qoftë se dikush mashtron një vajzë ende të pafejuar dhe bie në shtrat me të, duhet të paguajë për pajën e saj dhe ta marrë për grua. 17 Në qoftë se ati refuzon prerazi t'ia japë, ai do të paguajë shumën e kërkuar për pajën e vajzave të virgjëra. 18 Nuk do ta lësh të jetojë shtrigën. 19 Kush çiftëzohet me një kafshë do të dënohet me vdekje. 20 Kush i bën flijime një perëndie tjetër, veç Zotit, do të shfaroset. 21 Mos keqtrajto të huajin dhe mos e mundo, sepse edhe ju ishit të huaj në vendin e Egjiptit. 22 Nuk do të mundosh asnjë grua të ve, as asnjë jetim. 23 Në rast se i mundon ata në një farë mënyre dhe ata bërtasin në drejtimin tim, unë do ta dëgjoj pa tjetër britmën e tyre; 24 do të zemërohem dhe do t'ju vras me shpatë; gratë tuaja do të mbeten të veja dhe bijtë tuaj jetimë. 25 Në rast se ti i jep para hua dikujt nga populli yt, të varfrin që është me ty, nuk do ta trajtosh si fajdexhi; nuk do t'i imponosh asnjë kamatë. 26 Në qoftë se merr peng rrobën e fqinjit tënd, do t'ia kthesh para se të perëndojë dielli, 27 sepse ajo është e vetmja mbulesë e tij dhe veshja me të cilën mbështjell trupin. Me se tjetër mund të flinte ai? Dhe po të ndodhë që ai të më drejtohet mua, unë do ta dëgjoj, sepse jam mëshirëplotë. 28 Mos blasfemo Perëndinë dhe mos mallko princin e popullit tënd. 29 Mos ngurro të më japësh detyrimin nga korrja jote dhe nga ajo që rrjedh nga mokrrat e tua. Do të më japësh të parëlindurin e bijve të tu. 30 Do të veprosh njëlloj me lopën dhe me delen tënde: pjella e tyre e parë do të rrijë shtatë ditë pranë nënës; ditën e tetë do të ma japësh mua. 31 Ju do të jeni për mua njerëz të shenjtë; nuk do të hani mish të asnjë kafshe të shqyer në fusha; hidhuani atë qenve".

Matthew 5:1-48

1 Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij. 2 Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë: 3 ''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. 4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. 5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. 6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen. 7 Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë. 8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë. 9 Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë. 10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. 11 Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. 12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''. 13 ''Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t'u hedhur dhe ta shkelin njerëzit. 14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. 15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t'u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. 16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej''. 17 ''Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, po për t'i plotësuar. 18 Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka. 19 Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t'u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t'i vërë në praktikë dhe do t'ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. 21 Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t'i nënshtrohet gjyqit"; 22 por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t'i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t'i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t'i thotë: "Budalla", do t'i nënshtrohet zjarrit të Gehenës. 23 Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde. 25 Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg. 26 Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit. 27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën". 28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. 29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt; 30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt. 31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes". 32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën. 33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit". 34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; 37 Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu. 38 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb". 39 Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën, 40 dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin. 41 Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të. 42 Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t'i japësh atij që të kërkon hua. 43 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd". 44 Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, 45 për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. 46 Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47 Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 48 Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej''.

Matthew 26:52-54

52 Atëherë Jezusi i tha: ''Ktheje shpatën në vendin e vet, sepse të gjithë ata që rrokin shpatën, prej shpate do të vdesin. 53 A kujton ti, vallë, se unë nuk mund t'i lutem Atit tim, që të më dërgojë më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh? 54 Po atëherë si do të përmbusheshin Shkrimet, sipas të cilave duhet të ndodhë kështu?''.

Matthew 5:38-39

38 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb". 39 Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën,

Luke 22:36

36 U tha, pra, atyre: ''Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.

Romans 13:4

4 sepse eprori është shërbëtor i Perëndisë për ty për të mirë; por, po të bësh të këqija, druaj, sepse nuk e mban kot shpatën; sepse ai është shërbëtor i Perëndisë, hakmarrës plot zemërim kundër atij që bën të keqen.

1 Timothy 5:8

8 Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm,

Exodus 22:2-3

2 Në rast se vjedhësi, i kapur kur po bën një thyerje, rrihet dhe vdes, pronari nuk është fajtor për vrasjen e tij. 3 Në rast se dielli ishte ngritur kur ndodhi ngjarja, ai është fajtor për vrasje. Hajduti duhet ta lajë dëmin; dhe po të jetë se nuk ka me se ta lajë, shitet për vjedhjen e kryer prej tij.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.