Bible verses about "preparation" | Albanian

Proverbs 21:31

31 Kali është gati për ditën e betejës, por fitorja i përket Zotit.

Ezekiel 38:7

7 Përgatitu dhe ji gati, ti dhe gjithë turmat e tua të mbledhura rreth teje, dhe ji roje për ta.

Matthew 24:13

13 por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.

Matthew 24:42

42 Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj.

Luke 12:47

47 Shërbëtori që e dinte vullnetin e zotërisë së tij dhe nuk u bë gati e nuk e kreu vullnetin e tij, do të rrihet shumë.

Luke 14:28

28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?

Luke 21:9-36

9 Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë''. 10 Atëherë u tha atyre: ''Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë; 11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli. 12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t'ju përndjekin dhe do t'ju dorëzojnë në sinagoga e do t'ju futin në burg; dhe do t'ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim, 13 por kjo do t'ju japë rastin që të dëshmoni. 14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t'u mbrojtur, 15 sepse unë do t'ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t'i rezistojnë. 16 Dhe ju madje do t'ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t'i vrasin. 17 Dhe të gjithë do t'ju urrejnë për shkak të emrit tim. 18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t'ju humbasë. 19 Me durimin tuaj ju do t'i fitoni shpirtrat tuaj''. 20 ''Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër. 21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të. 22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar. 23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull. 24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t'i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve''. 25 ''Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij; 26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden. 27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe. 28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër''. 29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: ''Vini re fikun dhe të gjitha pemët. 30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër; 31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër. 32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur. 33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë''. 34 ''Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi. 35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut. 36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut''.

Proverbs 16:1-33

1 Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. 2 Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. 3 Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. 4 Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. 5 Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. 6 Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. 7 Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. 8 Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. 9 Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij. 10 Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë. 11 Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij. 12 Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë. 13 Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt. 14 Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë. 15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit. 16 Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend. 17 Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij. 18 Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. 19 Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët. 20 Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. 21 I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. 22 Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve. 23 Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. 24 Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. 25 Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. 26 Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. 27 Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. 28 Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. 29 Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë. 30 Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. 31 Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. 32 Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. 33 Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.

John 16:33

33 Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!''.

Romans 12:1-2

1 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur. 2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

Romans 13:11

11 Dhe këtë aq më shumë duhet të bëjmë, duke ditur kohën, sepse tanimë erdhi ora të zgjohemi nga gjumi, sepse shpëtimi ynë është më afër, se kur besuam.

Proverbs 6:6-8

6 Shko te milingona, o përtac, vër re zakonet e saj dhe bëhu i urtë. 7 Ajo nuk ka as kryetar, as mbikëqyrës, as zot; 8 e gjen ushqimin në verë dhe mbledh zahirenë e saj gjatë korrjes.

Proverbs 22:3

3 Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet; por njerëzit naivë shkojnë tutje dhe dënohen.

Matthew 25:1-46

1 ''Atëherë mbretëria e qiejve do t'u ngjajë dhjetë virgjëreshave, të cilat i morën llampat e tyre, dhe i dolën para dhëndrit. 2 Tani pesë nga ato ishin të mençura dhe pesë budallaçka. 3 Budallaçkat, kur morën llampat e tyre, nuk morën me vet vajin; 4 kurse të mençurat, bashkë me llampat, morën edhe vajin në enët e tyre. 5 Tani, duke qenë se dhëndri po vononte, dremitën të gjitha dhe i zuri gjumi. 6 Aty nga mesnata u dëgjua një britmë: "Ja, po vjen dhëndri, i dilni para!". 7 Atëherë të gjitha ato virgjëreshat u zgjuan dhe përgatitën llampat e tyre. 8 Dhe budallaçkat u thanë të mençurave: "Na jepni nga vaji juaj, sepse llampat tona po na fiken". 9 Por të mençurat duke u përgjigjur thanë: "Jo, sepse nuk do të mjaftonte as për ne e as për ju; më mirë shkoni te tregtarët dhe e blini". 10 Tani kur ato shkuan ta blejnë, erdhi dhëndri; virgjëreshat që ishin gati, hynë bashkë me të në dasmë; dhe dera u mbyll. 11 Më pas erdhën edhe virgjëreshat e tjera, duke thënë: "Zot, zot, hapna". 12 Por ai, duke u përgjigjur, tha: "Në të vërtetë po ju them se nuk ju njoh". 13 Prandaj rrini zgjuar, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilët do të vijë Biri i njeriut''. 14 ''Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta. 15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill. 16 Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë. 17 Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë. 18 Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet. 19 Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta. 20 Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë". 21 Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd". 22 Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë". 23 Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd". 24 Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë, 25 prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej". 26 Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë; 27 Ti duhet t'ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes. 28 Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta. 29 Sepse atij që ka do t'i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t'i merret edhe ajo që ka. 30 Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh"''. 31 ''Dhe kur të vijë Biri i njeriut në lavdinë e tij, bashkë me të gjithë engjëjt e shenjtë, atëherë do të ulet mbi fronin e lavdisë së vet. 32 Dhe të gjithë kombet do të mblidhen para tij; dhe ai do ta ndajë njërin nga tjetri ashtu si i ndan bariu delet nga cjeptë. 33 Dhe delet do t'i vërë në të djathtën e tij dhe cjeptë në të majtën. 34 Atëherë Mbreti do t'u thotë atyre që do të jenë në të djathtën e tij: "Ejani, të bekuar të Atit tim; merrni në trashëgim mbretërinë që u bë gati për ju që nga krijimi i botës. 35 Sepse pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë; isha i huaj dhe më pritët, 36 isha i zhveshur dhe më veshët, isha i sëmurë dhe ju më vizitonit, isha në burg dhe erdhët tek unë". 37 Atëherë të drejtët do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur dhe të dhamë për të ngrënë; ose të etur dhe të dhamë për të pirë? 38 Dhe kur të pamë të huaj dhe të pritëm ose të zhveshur dhe të veshëm? 39 Dhe kur të pamë të lënguar ose në burg dhe erdhëm te ti?". 40 Dhe Mbreti duke iu përgjigjur do t'u thotë: "Në të vërt etë po ju them: sa herë ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre vëllezërve të mi më të vegjël, këtë ma bëtë mua. 41 Pastaj ai do t'u thotë edhe atyre që do të jenë në të majtë: "Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij. 42 Sepse pata uri dhe nuk më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe nuk më dhatë për të pirë, 43 isha i huaj dhe nuk më pritët, i zhveshur dhe nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg dhe nuk erdhët të më shihni". 44 Atëherë edhe ata do t'i përgjigjen duke thënë: "Zot, kur të pamë të uritur ose të etur, ose të huaj, ose të zhveshur, ose të lëngatë ose në burg dhe nuk të shërbyem?". 45 Atëherë ai do t'u përgjigjet atyre duke thënë: "Në të vërtetë ju them: sa herë nuk ia keni bërë këtë ndonjërit prej këtyre më të vegjëlve, këtë nuk ma bëtë as edhe mua". 46 Dhe ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme''.

Matthew 24:44

44 Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni''.

Luke 21:36

36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut''.

1 Peter 3:15

15 Sepse është më mirë, nëse është i tillë vullneti i Perëndisë, të vuani duke bërë mirë, se sa duke bërë keq,

Proverbs 24:27

27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.