Bible verses about "bondage" | Albanian

Genesis 4:1-26

1 Por Adami njohu Evën, gruan e tij, e cila u ngjiz dhe lindi Kainin, dhe ai tha: "Fitova një burrë nga Zoti". 2 Pastaj lindi Abeli, vëllai i tij. Dhe Abeli u bë bari kopesh, ndërsa Kaini u bë punonjës i tokës. 3 Me kalimin e kohës, Kaini i bëri një ofertë frutash të tokës Zotit; 4 por Abeli i ofroi edhe ai të parëlindurit e kopesë së tij dhe yndyrën e tyre. Dhe Zoti e çmoi Abelin dhe dhuratën e tij, 5 por nuk çmoi Kainin dhe ofertën e tij. Dhe kështu Kaini u pezmatua shumë dhe fytyra e tij mori një pamje të dëshpëruar. 6 Atëherë Zoti i tha Kainit: "Pse je pezmatuar dhe pse fytyra jote është dëshpëruar? 7 Në rast se bën mirë a nuk do të pranohesh? Por në qoftë se bën keq, mëkati po të ruan te porta dhe dëshirat e tij drejtohen ndaj teje; por ti duhet ta sundosh". 8 Dhe Kaini foli me të vëllanë, Abelin; kur u gjendën në fushë, Kaini u ngrit kundër vëllait të tij Abelit dhe e vrau. 9 Atëherë Zoti i tha Kainit: "Ku është vëllait yt Abeli?". Ai u përgjegj: "Nuk e di; mos jam unë rojtari i vëllait tim?". 10 Zoti i tha: "Çfarë ke bërë? Zëri i gjakut të vëllait tënd më vëngon nga toka. 11 Dhe ti tani je më i mallkuar se toka që hapi gojën për të marrë gjakun e vëllait tënd nga dora jote. 12 Kur të punosh tokën, ajo nuk do të të japë më prodhimet e saj, dhe ti do të jesh një endacak dhe një ikanak mbi tokë". 13 Atëherë Kaini i tha Zotit; "Ndëshkimi im është tepër i madh aq sa unë nuk mund ta duroj. 14 Ja, ti po më dëbon sot nga faqja e këtij dheu dhe do të fshihem nga fytyra jote; dhe do të bëhem endacak dhe ikanak nëpër botë dhe do të ndodhë që të më vrasë kushdo që do të më gjejë". 15 Dhe Zoti i tha: "Prandaj, kushdo qoftë të vrasë Kainin, do të dënohet shtatë herë". Dhe Zoti vuri një shenjë mbi Kainin, me qëllim që kushdo që ta gjente të mos e vriste. 16 Atëherë Kaini u largua nga prania e Zotit dhe banoi në vendin e quajtur Nod, në lindje të Edenit. 17 Dhe Kaini njohu të shoqen, e cila u ngjiz dhe lindi Enokun. Pastaj Kaini ndërtoi një qytet, të cilit i vuri emrin Enok, emri i të birit. 18 Dhe Enokut i lindi Iradi; Iradit i lindi Mehujaeli; Mehujaelit i lindi Methusaeli dhe Mathusaelit i lindi Lameku. 19 Dhe Lameku mori dy gra: emri i njërës ishte Ada dhe emri i tjetrës Cilah. 20 Dhe Ada lindi Jabalin, që ishte babai i atyre që banojnë nën çadra dhe merren me rritjen e bagëtisë. 21 Por emri i të vëllait ishte Jubal, që ishte babai i gjithë atyre që i binin qestes dhe flautit. 22 Cilah lindi edhe ajo Tubal-kainin, krijuesi i çfarëdo lloji veglash prej bronzi dhe hekuri, dhe motra e Tubal-kainit qe Naama. 23 Pastaj Lameku u tha grave të tij: "Ada dhe Cilah, dëgjoni zërin tim; gra të Lamekut, u vini re fjalëve të mia! Po, unë vrava një njeri sepse më plagosi, dhe një të ri sepse më shkaktoi një irnim. 24 Në rast se do t'i merret hak Kainit shtatë herë, Lamekut do t'i merret hak shtatëdhjetë herë shtatë". 25 Pastaj Adami njohu përsëri gruan e tij, që lindi një djalë dhe e quajti Seth, sepse ajo tha: "Perëndia më dha një tjetër pasardhës në vend të Abelit, që u vra nga Kaini". 26 Edhe Sethit i lindi një djalë, të cilin e quajti Enosh. Atëherë filluan të kërkojnë emrin e Zotit.

Luke 10:30-37

30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: ''Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur. 31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër. 32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër. 33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri. 34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të. 35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç'të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem". 36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?''. 37 Dhe ai tha: ''Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij''. Atëherë Jezusi i tha: ''Shko dhe bëj kështu edhe ti''.

Exodus 20:1-26

1 Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë: 2 "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. 3 Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. 4 Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. 5 Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t'i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijve të tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë, 6 dhe unë përdor dashamirësi për mijëra, për ata që më duan dhe që zbatojnë urdhërimet e mia. 7 Nuk do ta përdorësh emrin e Zotit, të Perëndisë tënd, kot, sepse Zoti nuk do të lërë të pandëshkuar atë që përdor kot emrin e tij. 8 Mbaje mend ditën e shtunë për ta shenjtëruar. 9 Do të punosh gjashtë ditë dhe në ato do të bësh të gjithë punën tënde; 10 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh në atë ditë asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafshët e tua, as i huaji që ndodhet brenda portave të tua; 11 sepse në gjashtë ditë Zoti krijoi qiejt dhe tokën, detin dhe gjithçka që është në to, dhe ditën e shtunë ai pushoi; prandaj Zoti e ka bekuar ditën e shabatit dhe e ka shenjtëruar atë. 12 Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde, me qëllim që ditët e tua të jenë të gjata mbi tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep. 13 Nuk do të vrasësh. 14 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore. 15 Nuk do të vjedhësh. 16 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd. 17 Nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd; nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as asgjë tjetër që është e të afërmit tënd". 18 Tani tërë populli dëgjonte bubullimat, tingullin e borisë dhe shihte shkreptimat dhe malin që nxirrte tym. Para kësaj pamjeje, populli dridhej dhe qëndronte larg. 19 Prandaj ata i thanë Moisiut: "Fol ti me ne dhe ne do të të dëgjojmë, por të mos na flasë Perëndia që të mos vdesim". 20 Moisiu i tha popullit: "Mos u trembni, sepse Perëndia erdhi që t'ju provojë, dhe me qëllim që frika e tij të jetë gjithmonë para jush, dhe kështu të mos mëkatoni". 21 Populli, pra, qëndronte larg, por Moisiu iu afrua errësirës së dendur ku ndodhej Perëndia. 22 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Do t'u thuash kështu bijve të Izraelit: "Ju vetë e patë që kam folur me ju nga qielli. 23 Nuk do të bëni perëndi të tjera afër meje; nuk do të bëni perëndi prej argjendi ose prej ari. 24 Do të bësh për mua një altar prej dheu dhe mbi të do të ofrosh olokaustet e tua, flitë e tua të falënderimit, delet dhe qetë e tua; në çdo vend ku do të bëj që emri im të kujtohet, do të vij te ti dhe do të të bekoj. 25 Dhe në rast se do të ndërtosh për mua një altar me gurë, nuk do ta ndërtosh me gurë të latuar; sepse duke ngritur mbi to daltën do t'i ndotësh. 26 Dhe nuk do të ngjitesh në altarin tim me anë shkallaresh, me qëllim që mbi të të mos zbulohet lakuriqësia jote"".

Psalms 46:1

1 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.

Proverbs 25:26

26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.

Matthew 5:1-48

1 Dhe ai, kur pa turmat, u ngjit në mal dhe, pasi u ul, iu afruan dishepujt e tij. 2 Atëherë ai hapi gojën dhe i mësoi duke u thënë: 3 ''Lum skamësit në frymë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. 4 Lum ata që vajtojnë, sepse ata do të ngushëllohen. 5 Lum ata që janë zemërbutë, sepse ata do ta trashëgojnë tokën. 6 Lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi, sepse ata do të ngopen. 7 Lum ata që janë të mëshirshëm, sepse ata do të gjejnë mëshirë. 8 Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse ata do ta shohin Perëndinë. 9 Lum ata që përpiqen për paqen, sepse ata do të quhen bij të Perëndisë. 10 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejve. 11 Lum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. 12 Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush''. 13 ''Ju jeni kripa e tokës; por në qoftë se kripa bëhet e amësht, me se mund ta rifitojë shijen? Nuk vlen për asgjë, veçse për t'u hedhur dhe ta shkelin njerëzit. 14 Ju jeni drita e botës; një qytet i ngritur në majë të malit nuk mund të fshihet. 15 Po ashtu nuk ndizet një qiri për ta vënë nën babunë, por për ta vënë mbi shandan, dhe t'u bëjë dritë të gjithë atyre që janë në shtëpi. 16 Ashtu le të shndritë drita juaj para njerëzve, që të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej''. 17 ''Mos mendoni se unë erdha për të shfuqizuar ligjin ose profetët; unë nuk erdha për t'i shfuqizuar, po për t'i plotësuar. 18 Sepse në të vërtetë ju them: Deri sa qielli dhe toka, të kalojnë asnjë jotë a asnjë pikë e ligjit nuk do të kalojnë, para se të plotësohet gjithçka. 19 Ai, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla, dhe do t'u ketë mësuar kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse ai që do t'i vërë në praktikë dhe do t'ua mësojë të tjerëve, do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve. 20 Prandaj unë po ju them: në qoftë se drejtësia juaj nuk është më e lartë nga ajo e skribëve dhe e farisenjve ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve. 21 Ju keni dëgjuar se u qe thënë të lashtëve: "Mos vrisni"; dhe: "Kushdo që vret do t'i nënshtrohet gjyqit"; 22 por unë po ju them: "Kushdo që zemërohet pa shkak kundër vëllait të tij, do t'i nënshtrohet gjyqit; dhe kush i thotë vëllait të vet: "Rraka", do t'i nënshtrohet sinedrit; dhe kush do t'i thotë: "Budalla", do t'i nënshtrohet zjarrit të Gehenës. 23 Nëse ti, pra, po paraqet ofertën tënde te altari, dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, 24 lëre atje ofertën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; pastaj kthehu dhe paraqite ofertën tënde. 25 Bëj një marrëveshje miqësore me kundërshtarin tënd, sa je në një rrugë me të, që kundërshtari yt të mos të dorëzojë te gjykatësi dhe gjykatësi të të dorëzojë te rojtari dhe ti të futesh në burg. 26 Në të vërtetë të them se nuk do të da-lësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit. 27 Ju keni dëgjuar se të lashtëve u qe thënë: "Mos shkel kurorën". 28 Por unë po ju them se kushdo që shikon një grua për ta dëshiruar, ka shkelur kurorën me të në zemrën e vet. 29 Në qoftë se syri yt i djathtë të çon në mëkat, hiqe dhe flake larg teje, sepse është më mirë për ty që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehenën gjithë trupi yt; 30 dhe në qoftë se dora jote e djathtë të çon në mëkat, preje dhe hidhe larg teje, sepse është më mirë që të humbësh një nga gjymtyrët e tua se sa të hidhet në Gehena gjithë trupi yt. 31 Qe thënë gjithashtu: "Kush e lë gruan e tij, le t'i japë letrën e ndarjes". 32 Por unë po ju them: Kushdo që e përzë gruan e tij, me përjashtim të rastit të kurvërisë, e bën atë të shkelë kurorën; dhe kushdo që martohet me një grua të ndarë, shkel kurorën. 33 Keni dëgjuar gjithashtu se të lashtëve u qe thënë: "Mos bëj betim të rremë; por plotëso premtimet për të cilat je betuar para Zotit". 34 Por unë po ju them: "Mos u betoni fare, as për qiellin, sepse është froni i Perëndisë, 35 as për tokën, sepse është stol i këmbëve të tij, as për Jeruzalemin, sepse është qyteti i Mbretit të madh. 36 Mos u beto as për kokën tënde, sepse nuk ke fuqi të zbardhësh ose të nxish qoftë edhe një fije floku; 37 Por fjala jote të jetë: Po, po; jo, jo; gjithçka më tepër vjen nga i ligu. 38 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Sy për sy dhe dhëmb për dhëmb". 39 Por unë po ju them: Mos i rezisto të ligut; madje, në qoftë se dikush të qëllon mbi faqen e djathtë, ktheja dhe tjetrën, 40 dhe në qoftë se dikush do të të nxjerrë në gjyq për të të marrë tunikën, jepi edhe mantelin. 41 Dhe në qoftë se dikush të detyron të ecësh një milje, ti bëji dy me të. 42 Jepi atij që të kërkon, dhe mos refuzo t'i japësh atij që të kërkon hua. 43 Ju keni dëgjuar se qe thënë: "Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun tënd". 44 Por unë po ju them: "Duani armiqtë tuaj, bekoni ata që ju mallkojnë, u bëni të mirë atyre që ju urrejnë, dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë dhe ju përndjekin, 45 për të qenë bij të Atit tuaj, që është në qiej, sepse ai bën të lindë diellin e tij mbi të mirët dhe mbi të këqijtë, dhe bën të bjerë shi mbi të drejtët dhe të padrejtët. 46 Sepse, po të doni vetëm ata që ju duan, çfarë shpërblimi do të keni? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 47 Dhe nëse përshendetni vetëm vëllezërit tuaj, çfarë bëni të veçantë? A nuk bëjnë kështu edhe tagrambledhësit? 48 Jini, pra, të përkryer, ashtu siç është i përsosur Ati juaj, që është në qiej''.

John 14:15

15 ''Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.

James 1:14

14 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;

Leviticus 26:1-46

1 "Nuk do të bëni idhuj, nuk do të ngrini figura të gdhendura ose ndonjë kolonë dhe nuk do të vendosni në vendin tuaj asnjë gur të stolisur me figura, me qëllim që të përuleni para tij; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj. 2 Do të respektoni të shtunat e mia dhe do të respektoni shenjtëroren time. Unë jam Zoti. 3 Në rast se silleni simbas statuteve të mia, në se respektoni urdhrat e mia dhe i zbatoni në praktikë, 4 unë do t'ju jap shirat simbas stinëve, toka do të japë prodhimin e saj dhe drurët e fshatit do të japin frytet e tyre. 5 Të shirat do të vazhdojnë deri në kohën e vjeljes së rrushit dhe vjelja e rrushit do të vazhdojë deri në kohën e mbjelljeve; do të hani bukën tuaj sa të ngopeni dhe do të banoni të sigurt në vendin tuaj. 6 Unë do të bëj që të mbretërojë paqja në vend; do të bini në shtrat dhe askush nuk ka për t'ju trembur; do të zhduk nga vendi juaj kafshët e këqia dhe shpata nuk ka për të kaluar nëpër vendin tuaj. 7 Ju do t'i ndiqni armiqtë tuaj dhe ata do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. 8 Pesë prej jush do të ndjekin njëqind prej tyre, dhe njëqind prej jush do të ndjekin dhjetë mijë prej tyre, dhe armiqtë tuaj do të bien para jush të shpuar tej për tej nga shpata. 9 Unë do të kthehem nga ju, do t'ju bëj pjellorë dhe do t'ju shumzoj, dhe kështu do të vërtetoj besëlidhjen time me ju. 10 Ju do të hani nga prodhimi i vjetër, i ruajtur për një kohë të gjatë dhe do ta hiqni atë për t'i bërë vend prodhimit të ri. 11 Unë do ta vendos banesën time midis jush dhe nuk do t'ju përzë. 12 Do të eci midis jush dhe do të jem Perëndia juaj, dhe ju do të jeni populli im. 13 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit, që të mos ishit më skllevërit e tij; e kam thyer zgjedhën tuaj dhe kam bërë që të ecni me kokën lart. 14 Por në rast se nuk më dëgjoni dhe nuk zbatoni në praktikë të gjitha urdhërimet e mia, 15 në rast se përçmoni statutet e mia dhe shpirti juaj hedh poshtë dekretet e mia, duke mos zbatuar në praktikë të gjithë urdhërimet e mia, duke shkelur besëlidhjen time, 16 edhe unë do ta bëj këtë për ju: do të çoj kundër jush tmerrin, ligështimin dhe ethet, të cilët do të konsumojnë sytë tuaj dhe do ta bëj jetën tuaj të meket; dhe do ta mbillni kot farën tuaj, sepse do ta hanë armiqtë tuaj. 17 Do ta kthej fytyrën time kundër jush dhe armiqtë tuaj do t'ju mundin; do të sundoheni prej atyre që ju urrejnë dhe do t'ua mbathni këmbëve pa qenë të ndjekur nga askush. 18 Dhe në qoftë se edhe mbas kësaj nuk më dëgjoni, unë do t'ju dënoj shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja. 19 Do ta thyej kryelartësinë e forcës suaj, do ta bëj qiellin tuaj si hekur dhe tokën tuaj si bakër. 20 Forca juaj do të konsumohet më kot, sepse toka juaj nuk do të japë më prodhimet e saj, dhe drurët e fushës nuk do të japin më frutat e tyre. 21 Dhe në rast se silleni si armiq të mi dhe nuk doni të më dëgjoni, unë do t'ju godas shtatë herë më tepër me plagë, simbas mëkateve tuaja. 22 Do të dërgoj kundër jush bishat e fushës, që do të rrëmbejnë fëmijët tuaj, do të shfarosin bagëtinë tuaj, do t'ju pakësojnë shumë dhe do t'i bëjnë të shkreta rrugët tuaja. 23 Dhe në se, me gjithë këto gjëra, nuk do të ndreqeni për t'u kthyer tek unë, por me sjelljen tuaj 24 silleni si armiq të mi, edhe unë do të bëhem armiku juaj, dhe do t'ju godas shtatë herë më tepër për mëkatet tuaja. 25 Dhe do të sjell kundër jush shpatën që do të kryejë hakmarrjen e besëlidhjes sime; ju do të mblidheni në qytetet tuaja, por unë do të dërgoj në mes jush murtajën dhe do të bini në duart e armikut. 26 Kur do t'ju heq bukën e gojës, dhjetë gra do të pjekin bukën tuaj në të njëjtën furrë dhe do të racionojnë bukën tuaj, duke e shpërndarë me peshë; ju do të hani, por nuk do të ngopeni. 27 Dhe në se, me gjithë këtë nuk do të më dëgjoni, por do të silleni si armiq të mi, 28 edhe unë do të bëhem armiku i juaj plot mëri dhe do t'ju dënoj shtatë herë më shumë për mëkatet tuaja. 29 Do të hani mishin e bijve tuaj dhe do të hani mishin e bijave tuaja. 30 Unë do të shkatërroj vendet tuaja të larta, do të rrëzoj idhujtë tuaj dhe do t'i hedh kufomat tuaja mbi gërmadhat pa jetë të idhujve tuaj; dhe do t'ju urrej. 31 Do t'i katandis qytetet tuaja në shkretëtira, do të shkretoj vendet tuaja të shenjta dhe nuk do të thith më erën e këndshme të parfumeve tuaja. 32 Do të shkretoj vendin; dhe armiqtë tuaj që banojnë në të do të mbeten të habitur. 33 Do t'ju shpërndaj midis kombeve dhe do të nxjerr shpatën kundër jush; vendi juaj do të shkretohet dhe qytetet tuaja do të jenë të shkretuara. 34 Atëherë toka do të gëzojë të shtunat e saj për gjithë kohën që do të jetë e shkretuar dhe ju do të jeni në vendin e armiqve tuaj; kështu toka do të pushojë dhe do të gëzojë të shtunat e saj. 35 Për gjithë kohën që do të mbetet e shkretuar do të gëzojë pushimin që nuk pati në të shtunat tuaja, kur banonit në të. 36 Atyre prej jush që do të shpëtojnë do t'u kall në zemër tmerrin në vendin e armiqve të tyre; fërfërima e një gjethi që lëviz do t'i bëjë që t'ua mbathin këmbëve; do të turren ashtu siç iket përpara shpatës dhe do të bien pa i ndjekur askush. 37 Do të përplasen njëri me tjetrin, ashtu si përpara shpatës, pa i ndjekur askush; dhe nuk do të mund të qëndroni përpara armiqve tuaj. 38 Do të shuheni midis kombeve dhe vendi i armiqve tuaj do t'ju gëlltisë. 39 Ata prej jush që do të mbijetojnë do të përgjërohen për shkak të paudhësisë së tyre në vendin e armiqve; edhe do të përgjërohen gjithashtu për shkak të paudhësisë së etërve të tyre. 40 Por në se do të pranojnë paudhësinë e tyre dhe paudhësinë e etërve të tyre në shkeljet që kanë kryer kundër meje dhe gjithashtu sepse janë sjellë si armiq të mi, 41 sa që më kanë shtyrë të bëhem armik i tyre dhe t'i çoj në vendin e armiqve të tyre; në rast se zemra e tyre e parrethprerë do të përulet dhe do të pranojë ndëshkimin e paudhësisë së tyre, 42 atëherë unë do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Jakobin, do të kujtohem për besëlidhjen time të lidhur me Isakun dhe për besëlidhjen time me Abrahamin dhe do të kujtohem për vendin; 43 sepse vendi do të braktiset prej tyre dhe do të gëzojë të shtunat e tij, ndërsa do të jetë i shkretuar pa ta; kështu ata do të pranojnë ndëshkimin e paudhësisë së tyre për faktin se kanë përçmuar dekretet e mia dhe kanë kundërshtuar statutet e mia. 44 Megjithatë kur do të ndodhen në vendin e armiqve të tyre, unë nuk do t'i përçmoj dhe nuk do t'i urrej aq sa t'i asgjësoj krejt dhe të prish besëlidhjen time që kam lidhur me ta; unë jam Zoti, Perëndia i tyre; 45 por për dashuri ndaj tyre do të kujtohem për besëlidhjen e lidhur me stërgjyshërit e tyre, që i nxora nga vendi i Egjiptit para syve të kombeve për të qënë Perëndia i tyre. Unë jam Zoti". 46 Këto janë statutet, dekretet dhe ligjet që Zoti vendosi midis tij dhe bijve të Izraelit, mbi malin Sinai me anë të Moisiut.

Romans 6:6-7

6 duke ditur këtë: se njeriu ynë i vjetër u kryqëzua me të, që trupi i mëkatit mund të jetë anuluar dhe që ne të mos i shërbejmë më mëkatit. 7 Në fakt, ai që ka vdekur është shfajësuar nga mëkati.

James 4:7

7 Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.

Hebrews 13:8

8 Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit.

Romans 12:2

2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.

1 John 1:9

9 Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.