Bible verses about "babylon" | Albanian

Genesis 10:10

10 Dhe fillimi i mbretërimit të tij qe Babeli, Ereku, Akadi dhe Kalmehu në vendin e Shinarit.

Isaiah 13:1-22

1 Profecia mbi Babiloninë, që ju paraqit në vegim Isaias, birit të Amotsit. 2 "Ngrini një flamur mbi një mal të lartë, ngrini zërin ndaj tyre, lëvizni dorën që të hyjnë në portat e princave. 3 Unë u dhashë urdhër atyre që më janë shenjtëruar mua, thirra trimat e mi për të zbatuar zemërimin tim, ata që ngazëllohen në madhërinë time. 4 Dëgjohet zhurma e një turme të madhe ndër malet, e ngjashme me atë të një populli të pamasë; zhurma plot rrëmet e mbretërive, e kombeve të mbledhura. Zoti i ushtrive kalon në revistë ushtrinë gati për betejë. 5 Vijnë nga një vend i largët, nga skaji i qiejve, Zoti dhe mjetet e zemërimit të tij, për të shkatërruar mbarë dheun. 6 Bërtisni, sepse dita e Zotit është e afërt; ajo po vjen si një shkatërrim nga ana e të Plotfuqishmit. 7 Prandaj të gjitha duart e njerëzve do të jenë të dobëta dhe çdo zemër e tyre do të ligështohet. 8 Do t'i zërë tmerri, do të kenë spazma dhe dhembje, do të përpëliten si një grua që po lind, do të shikojnë njëri tjetrin në fytyrë si të hutuar, fytyrat e tyre do të jenë fytyra të zjarrta. 9 Ja, dita e Zotit po vjen: një ditë mizore, indinjate dhe zemërimi të fortë, për ta bërë tokën shkretëtirë dhe për të shfarosur mëkatarët prej saj. 10 Sepse yjet e qiellit dhe yllësitë nuk do të shkëlqejnë më me dritën e tyre; dielli do të errësohet në lindjen e tij dhe hëna nuk do të përhapë më dritën e saj. 11 Unë do të dënoj botën për ligësinë e saj dhe të pabesët për paudhësinë e tyre; do t'i jap fund krenarisë së kryelartëve dhe do të hedh poshtë arrogancën e tiranëve. 12 Do ta bëjë njeriun e vdekshëm më të rrallë se ari i kulluar, njerëzinë më të rrallë se arin e Ofirit. 13 Prandaj do të bëj që të dridhen qiejtë, dhe toka do të tundet nga vendi i saj për shkak të indinjatës së Zotit të ushtrive ditën e zemërimit të zjarrtë të tij. 14 Atëherë si një gazelë e ndjekur apo si një kope që askush nuk e mbledh, gjithkush do të kthehet drejt popullit të tij, gjithkush do të ikë në vend të vet. 15 Kushdo që do të gjendet do të shpohet dhe kushdo që do të kapet do të vritet me shpatë. 16 Fëmijët e tyre do të bëhen copë-copë para syve të tyre, shtëpitë e tyre do të plaçkiten dhe gratë e tyre do të dhunohen. 17 Ja, unë po nxis kundër tyre Medët që nuk do ta kenë mendjen te argjendi dhe nuk gjejnë kënaqësi te ari. 18 Harqet e tyre do t'i rrëzojnë për tokë të rinjtë; nuk do të kenë mëshirë për foshnjat në bark të nënës; syri i tyre nuk do t'i kursejë fëmijët. 19 Kështu Babilonia, shkëlqimi i mbretërive, lavdia e krenarisë së Kaldeasve, do të jetë si Sodoma dhe Gomora kur Perëndia i përmbysi. 20 Ajo nuk do të banohet më as nuk do të popullohet brez pas brezi; Arabi nuk do të ngrerë më aty çadrën e tij, as barinjtë nuk do t'i ndalin aty kopetë e tyre. 21 Por aty do të pushojnë bishat e shkretëtirës, shtëpitë e tyre do të mbushen me huta, do të banojnë aty strucat, do të hedhin valle satirët. 22 Hienat do të ulërijnë në shtëpitë e tij të shkretuara, çakajtë në pallatet e tij luksoze. Koha e tij po afrohet, ditët e tij nuk do të zgjaten më".

Jeremiah 32:28

28 Prandaj kështu thotë Zoti: "Ja, unë do ta jap këtë qytet në duart e Kaldeasve, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, i cili do ta marrë.

Jeremiah 46:13-26

13 Fjala që Zoti i drejtoi profetit Jeremia për ardhjen e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, për të goditur vendin e Egjiptit. 14 Shpalleni në Egjipt, bëjeni të ditur në Migdol, bëjeni të ditur në Nof dhe në Tahpanhes. Thoni: "Çohu dhe përgatitu, sepse shpata përpin çdo gjë që të rrethon". 15 Pse burrat e tu trima janë rrëzuar? Nuk mund të rezistojnë sepse Zoti i rrëzon. 16 Ai bën që të lëkunden shumë prej tyre, bien njëri mbi tjetrin dhe thonë: "Ja, të kthehemi te populli ynë dhe në vendlindje, larg shpatës vrastare". 17 Atje ata bërtasin: "Faraoni, mbreti i Egjiptit, nuk është veçse një zhurmë e madhe, që ka lënë të kalojë koha e caktuar". 18 "Siç është e vërtetë që unë rroj", thotë Mbreti emri i të cilit është Zoti i ushtrive, "ai do të vijë si Tabori midis maleve, si Karmeli pranë detit. 19 Përgatit gjërat e nevojshme për robërinë, o bijë që banon në Egjipt, sepse Nofi do të bëhet një shkretëtirë dhe do të digjet, nuk do të banojë më askush në të. 20 Egjipti është si një mëshqerrë shumë e bukur, por i vjen shkatërrimi, i vjen nga veriu. 21 Edhe mercenarët e tij që janë në mes të tij janë si viça për majmëri; edhe ata e kanë kthyer kurrizin, ikin bashkë, nuk rezistojnë, sepse ka zbritur mbi ta dita e fatkeqësisë së tyre, koha e ndëshkimit të tyre. 22 Zëri i tij lëviz si një gjarpër, sepse ata përparojnë me një ushtri dhe dalin kundër saj me sëpata si shumë druvarë. 23 Ata do të rrëzojnë pyllin e saj", thotë Zoti, "megjithëse është i padepërtueshëm, sepse janë më të shumtë se karkalecat, nuk numërohen dot. 24 Bija e Egjiptit do të mbulohet me turp, do të jepet në dorë të popullit të veriut". 25 Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, thotë: "Ja, unë do të dënoj Amonin e Nosë, Faraonin dhe Egjiptin, perënditë e tij dhe mbretërit e tij, Faraonin dhe ata që kanë besim tek ai; 26 do t'i jap në dorë të atyre që kërkojnë jetën e tyre, në dorë të Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, dhe në dorë të shërbëtorëve të tij; por mbas kësaj do të banohet si në të kaluarën", thotë Zoti.

1 Peter 5:13

13 Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:

Psalms 137:8

8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Revelation 18:1-24

1 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij. 2 Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: ''Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm. 3 Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar''. 4 Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: ''Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj, 5 sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj. 6 Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin. 7 Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh". 8 Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë''. 9 Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj; 10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: ''Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!''. 11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre: 12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri, 13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish. 14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t'i gjesh më kurrë. 15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë, 16 duke thënë: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!''. 17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg 18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: ''Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?''. 19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: ''Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua! 20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë''. 21 Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: ''Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më; 22 dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo eksperti i arteve nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit. 23 Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde. 24 Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe''.

2 Kings 24:7

7 Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.

Revelation 16:19

19 Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve ranë, Babilona e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t'i japë kupën e verës së zemërimit të tij të tërbuar.

Jeremiah 50:1-46

1 Fjala që Zoti shqiptoi kundër Babilonisë dhe kundër vendit të Kaldeasve me anë të profetit Jeremia: 2 "Shpalleni midis kombeve, shpalleni dhe ngrini një flamur; shpalleni dhe mos e fshihni. Thoni: "Babilonia, u pushtua, Beli është mbuluar me turp, Meradoku është thyer, shëmbëlltyrat e tij janë mbuluar me turp, idhujt e tij janë copëtuar". 3 Sepse nga veriu kundër tij po ngrihet një komb që do ta katandisë vendin në një shkretëtirë dhe askush nuk do të banojë në të; njerëzit dhe kafshët do t'ia mbathin, do të ikin. 4 Në ato ditë dhe në atë kohë", thotë Zoti, "bijtë e Izraelit dhe bijtë e Judës do të vijnë bashkë; do të ecin duke qarë dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre. 5 Do të pyesin për rrugën e Sionit, drejt të cilit do të kthejnë fytyrat e tyre, duke thënë: "Ejani, të bashkohemi me Zotin, me një besëlidhje të përjetshme, që të mos harrohet më". 6 Populli im ka qënë një kope dhensh të humbura; barinjtë e tyre i kishin bërë të marrin kot, të humbin nëpër male. Kanë shkuar nga mali në kodër dhe kanë harruar vendin ku ata pushojnë. 7 Të gjithë ata që i gjenin, i hanin, dhe armiqtë e tyre thonin: "Nuk jemi fajtorë, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit, seli e drejtësisë, Zoti, shpresa e etërve të tyre". 8 Ikni nga mesi i Babilonisë, dilni nga vendi i Kaldeasve dhe bëhuni si cjeptë në ballë të kopesë. 9 Sepse ja, unë i nxit dhe bëj që të dalin kundër Babilonisë një shumicë e madhe kombesh nga vendet e veriut, dhe do të radhiten kundër saj; kështu ajo do të pushtohet. Shigjetat e tyre janë si ato 10 Kaldea do t'i lihet plaçkitjes; tërë plaçkitësit e saj do të ngopen", thotë Zoti. 11 "Gëzohuni dhe kënaquni, o plaçkitës të trashëgimisë sime, sepse jeni majmur si një mëshqerrë që shin grurin dhe hingëlloni si kuajt e fuqishëm të luftës. 12 Nëna juaj do të turpërohet me të madhe, ajo që ju ka lindur do të skuqet. Ja, ajo do të jetë kombi i fundit, një shkreti, një tokë shterpë, një vetmi. 13 Për shkak të zemërimit të Zotit nuk do të banohet më aty, do të jetë një shkreti e plotë; kushdo që do të kalojë pranë Babilonisë do të mbetet i habitur dhe do të fërshëllejë për të gjitha plagët e saj. 14 Radhituni rreth Babilonisë, o ju të gjithë harkëtarët. Gjuani kundër saj, mos kurseni asnjë shigjetë, sepse ka mëkatuar kundër Zotit. 15 Lëshoni klithma lufte kundër saj rreth e përqark; ajo është dorëzuar, themelet e saj kanë rënë, muret e saj janë shembur, sepse kjo është hakmarrja e Zotit. Hakmerruni me të. Bëjini asaj atë që ajo u ka bërë të tjerëve. 16 Shfarosni nga Babilonia atë që mbjell dhe zë draprin në kohën e korrjes. Nga frika e shpatës së shtypësit secili do të kthehet te populli i tij, secili do të turret në vendin e tij. 17 Izraeli është një dele e humbur, të cilën e ndoqën luanët; i pari që e gllabëroi ishte mbreti i Asirisë, pastaj ky i fundit, Nebukadnetsari, mbreti i Babilonisë, që ia ka thyer kockat". 18 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraleit: "Ja, unë do dënoj mbretin e Babilonisë dhe vendin e tij, ashtu si dënova mbretin e Asirisë. 19 Por do ta çoj përsëri Izraelin në kullotën e tij, do të kullotë në Karmel dhe në Bashan dhe shpirti i i tij do të ngopet në kodrinat e Efraimit dhe në Galaad. 20 Në ato ditë, në atë kohë", thotë Zoti, "do të kërkohet paudhësia e Izraelit, por nuk do të ketë fare, dhe mëkatet e Judës nuk do të gjenden; sepse unë do t'i fal ata që do të lë të gjallë. 21 Dil kundër vendit të Merathaimit dhe kundër banorëve të Pekodit. Shkatërro dhe vendos shfarosjen e tyre", thotë Zoti, "dhe bëj pikërisht ashtu si të kam urdhëruar! 22 Në vend ka zhurmë lufte dhe shkatërrimi është i madh. 23 Pse është bërë copë dhe është shkatërruar çekiçi i tërë tokës? Pse Babilonia është bërë një shkreti midis kombeve? 24 Të kam ngritur një lak dhe ti je zënë prej tij, o Babiloni, pa e kuptuar fare. U gjete dhe u pushtove, sepse ke bërë luftë kundër Zotit. 25 Zoti hapi arsenalin e tij dhe nxori jashtë armët e indinjatës së tij, sepse kjo është një vepër që Zoti, Zoti i ushtrive, duhet ta kryejë në vendin e Kaldeasve. 26 Ejani kundër saj nga skajet më të largëta, hapni hambarët e saj, bëjini një grumbull gërmadhash dhe vendosni shfarosjen e saj, që të mos mbetet asgjë. 27 Vritni të gjithë demat e saj, le të zbresin në kasaphanë. Mjerë ata, sepse erdhi dita e tyre, dita e ndëshkimit të tyre. 28 Dëgjohet zëri i atyre që ikin dhe shpëtojnë nga vendi i Babilonisë për të lajmëruar në Sion hakmarrjen e Zotit, Perëndisë tonë, hakmarrjen e tempullit të tij. 29 Mblidhni kundër Babilonisë tërë harkëtarët, tërë ata që nderin harkun. Fushoni rreth e qark kundër asaj, asnjë të mos ju shpëtojë. Shpërbleheni sipas veprave të saj, i bëni asaj pikërisht atë që ajo u ka bërë të tjerëve, sepse ka qënë arrogante kundër Zotit, kundër të Shenjtit të Izraelit. 30 Prandaj të rinjtë e saj do të bien në sheshet e saj dhe tërë luftëtarët e saj do të vdesin atë ditë", thotë Zoti. 31 "Ja ku jam kundër teje, o arrogante", thotë Zoti i ushtrive, "sepse erdhi dita jote, koha në të cilën unë do të të ndëshkoj. 32 Arrogantja do të tronditet dhe do të rrëzohet, dhe askush nuk do ta ngrerë. Unë do t'u vë zjarrin qyteteve të saj dhe ai do të përpijë gjithçka që e rrethon". 33 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Bijtë e Izraelit ishin të shtypur bashkë me bijtë e Judës. Tërë ata që i kanë çuar në robëri i kanë mbajtur me forcë dhe nuk kanë pranuar t'i lënë të ikin. 34 Shpëtimtari i tyre është i fortë; emri i tij është Zoti i ushtrive. Ai me siguri do të mbrojë çështjen e tyre, për t'i dhënë prehje dheut dhe për t'i bërë të drithërohen banorët e Babilonisë. 35 Një shpatë kërcënon Kaldeasit", thotë Zoti, "banorët e Babilonisë, princat e tij, të diturit e saj. 36 Një shpatë kërcënon gënjeshtarët mburravecë, që do të rezultojnë pa mend; një shpatë kërcënon trimat e saj, që do të tmerrohen. 37 Një shpatë kërcënon kuajt e saj, qerret e saj dhe mbi lëmshin e njerëzve që është në mes të saj, e cila do të bëhet si shumë gra; një shpatë kërcënon thesaret e saj, që do të plaçkiten. 38 Thatësira kërcënon ujërat e saj, që do të thahen, sepse është nje vend figurash të gdhendura dhe ata luajnë mendsh për idhujt e tyre. 39 Prandaj do të banojnë aty kafshët e shkretëtirës me çakejtë dhe do të vendosen aty strucat. Nuk do të banohet kurrë më, as do të popullohet brez pas brezi. 40 Ashtu si Perëndia shkatërroi Sodomën, Gomorrën dhe qytetet afër tyre", thotë Zoti, "kështu nuk do të banojë më aty askush dhe nuk do të qëndrojë më aty asnjë bir njeriu. 41 Ja, një popull vjen nga veriu; një komb i madh dhe shumë mbretër kanë dalë nga skajet e tokës. 42 Ata mbajnë në dorë harkun dhe shtizën; janë të egër dhe nuk kanë fare mëshirë; zëri i tyre do të gjëmojë si deti. U hipin kuajve, janë gati të luftojnë si një njeri i vetëm kundër teje, o bijë e Babilonisë. 43 Mbreti i Babilonisë ka dëgjuar të flitet për ta dhe duart e tij dobësohen; e ka zënë ankthi, dhembjet si një grua që po lind. 44 Ja, po del si një luan nga vërshimi i Jordanit kundër banesës së fortë. Por unë do të bëj që të ikin befas prej saj dhe do të vendos mbi të atë që kam zgjedhur. Kush është, pra, si unë dhe kush mund të më paditë në gjyq? Kush është, pra, ai bari që mund të më bëjë ballë? 45 Prandaj dëgjoni planin që Zoti ka menduar kundër Babilonisë dhe vendimet që ka marrë kundër vendit të Kaldeasve. Me siguri do të tërhiqen edhe më të vegjlit e kopesë, me siguri banesa e tyre do të shkatërrohet. 46 Në zhurmën e pushtimit të Babilonisë toka do të dridhet dhe ulërima e tyre do të dëgjohet midis kombeve".

Revelation 17:1-18

1 Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: ''Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta, 2 më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj''. 3 Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë. 4 Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj. 5 Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: ''Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut''. 6 Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe. 7 Dhe engjëlli më tha: ''Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë. 8 Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është. 9 Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja, 10 dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet. 11 Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje. 12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën. 13 Këta kanë një qëllim, dhe do t'ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës. 14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t'i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë''. 15 Pastaj më tha: ''Ujërat që ke parë, ku ulet lavirja, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë. 16 Dhe të dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr. 17 Sepse Perëndia u dha në zemër atyre të kryejnë mendjen e tij, të bëhen në një mendje, edhe t'i japin bishës mbretërinë e tyre, gjersa të plotësohen fjalët e Perëndisë. 18 Dhe gruaja që pe është qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretëritë e dheut''.

Jeremiah 51:58

58 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Muret e gjëra të Babilonisë do të prishen krejtësisht, portat e saj të larta do të digjen me zjarr; kështu popujt do të kenë punuar për asgjë dhe kombet do të jenë munduar vetëm për zjarrin".

Topical data is from OpenBible.info, retrieved November 11, 2013, and licensed under a Creative Commons Attribution License.