Exodus 40:4 Cross References - Albanian

4 Do të sjellësh brenda tryezën dhe do të vendosësh mbi të gjërat që duhen; do të sjellësh gjithashtu shandanin dhe do të ndezësh llambat e tij.

Exodus 25:23-39

23 Do të bësh edhe një tryezë prej druri të akacies, e gjatë dy kubitë, e gjërë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë. 24 Do ta veshësh me ar safi dhe do t'i bësh rreth e qark një kurorë prej ari. 25 Do t'i bësh rreth e përqark një buzë të lartë një pëllëmbë dore dhe rreth kësaj buze një kurorë prej ari. 26 Do t'i bësh gjithashtu katër unaza ari dhe do t'i vësh unazat në katër qoshet, që ndodhen në katër këmbët e tryezës. 27 Unazat do të jenë pranë buzës për të kaluar shufrat e caktuara që do ta mbajnë tryezën. 28 Shufrat do t'i bësh me dru të akacies dhe do t'i veshësh me ar; ato do të shërbejnë për të mbajtur tryezën. 29 Do të përgatisësh edhe pjatat e tij, gotat e tij, kupat e tij dhe filxhanët e tij me të cilët bëhen libacionet; dhe do t'i bësh me ar safi. 30 Dhe do të vësh mbi tryezë bukën e paraqitjes, që do të rrijë vazhdimisht para meje. 31 Do të përgatisësh një shandan prej ari safi; shandani, këmba dhe trungu i tij do të punohen me çekiç; kupat, mollët dhe lulet e tij do të jenë një copë. 32 Nga anët e tij do të dalin gjashtë krahë: tre krahë nga njëra anë e shandanit dhe tre krahë nga ana tjetër e tij; 33 mbi njerin krah do të modelohen tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule, dhe mbi krahun tjetër tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule. Kështu do të veprohet për gjashtë krahët që dalin nga shandani. 34 Në trungun e shandanit do të ketë katër kupa në formë të bajames, me mollët dhe lulet e tyre. 35 Do të ketë një mollë poshtë dy krahëve të parë që dalin prej tij, një mollë poshtë dy krahëve të tjerë që dalin jashtë tij, dhe një mollë poshtë dy krahëve të fundit që dalin prej shandanit: kështu do të bëhet për të gjashtë krahët që dalin nga shandani. 36 Këto mollë dhe këta krahë, do të përbëjnë tërësinë, shandani do të jetë prej ari safi dhe i punuar me çekiç. 37 Do të bësh edhe shtatë llambat e tij, të cilat duhet të vendosen në mënyrë që të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit. 38 Dhe tërë veglat për të lëvizur qiririn dhe mbajtësin e tij do të jenë prej ari safi. 39 Shandani dhe veglat e tij do të bëhen me një talent prej ari të papërzier.

Exodus 26:35-36

35 Jashtë velit do të vësh përkundrazi tryezën, ndërsa shandani do të shkojë përballë tryezës në krahun jugor të tabernakullit, dhe do ta vendosësh tryezën në krahun verior. 36 Do të bësh gjithashtu për hyrjen e çadrës një perde me fije në ngjyrë vjollce, të purpurt, flakë të kuqe dhe prej liri të përdredhur, puna e një qëndistari.

Exodus 37:10-24

10 Bëri edhe tryezën me dru të akacies me gjatësi dy kubitë, gjerësi një kubit dhe një lartësi një kubit e gjysmë. 11 E veshi me ar safi dhe i bëri rreth e rrotull një kurorë prej ari. 12 Dhe i bëri rreth e qark një buzë të lartë sa pëllëmba e dorës dhe rreth e rrotull kësaj buze bëri një kurorë prej ari. 13 Dhe për këtë qëllim derdhi katër unaza ari dhe i vuri unazat në të katër qoshet, që janë në katër këmbët e tryezës. 14 Unazat ishin afër buzës për të kaluar nëpër to shtizat e caktuara për të mbartur tryezën. 15 I bëri shtizat me dru të akacies dhe i veshi me ar; ato do të shërbenin për ta mbartur tryezën. 16 I bëri edhe orenditë që do të viheshin mbi tryezë prej ari safi: pjatat e tij, gotat e tij, filxhanët e tij, kupat e tij me të cilët bëhen libacionet. 17 Edhe shandanin e bëri me ar safi; e punuan me çekiç; këmba, trungu, kupat, mollët dhe lulet e tij përbënin të gjitha një tërësi të vetme. 18 Nga anët e tij dilnin gjashtë krahë: tre krahë të shandanit nga një anë dhe tre krahë të shandanit nga ana tjetër; 19 mbi njërin krah kishte tri kupa në formë bajameje, me një mollë dhe një lule; në krahun tjetër tri kupa në formë të bajames me një mollë dhe një lule. E njëjta gjë ndodhte për të gjashtë krahët që dilnin nga shandani. 20 Dhe në trungun e shandanit kishte katër kupa në formë të bajames, me mollët dhe lulet e tyre. 21 Kishte një mollë poshtë dy krahëve të para që dilnin prej tij, një mollë poshtë dy krahëve të tjerë që dilnin prej tij, dhe një mollë poshtë dy krahëve të fundit që dilnin prej tij; kështu ishte për të gjashtë krahët që dilnin nga shandani. 22 Këto mollë dhe këto krahë përbënin një të tërë të vetme me shandanin; gjithçka ishte prej ari safi të punuar me çekiç. 23 Ai i bëri gjithashtu shtatë llambat e tij, zbrazësit dhe mbajtësit e tyre, me ar safi. 24 Për të bërë shandanin dhe të gjitha pjesët e tij përdori një talent ari të pastër.

Exodus 40:22-25

22 Vendosi gjithashtu tryezën në çadrën e mbledhjes, në krahun verior të tabernakullit, jashtë velit. 23 Vendosi sipër me rregull bukën përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun. 24 Pastaj vuri shandanin në çadrën e mbledhjes, përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; 25 dhe ndezi llambat përpara Zotit, ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Leviticus 24:5-6

5 Do të marrësh majë mielli dhe me të do të pjekësh dymbëdhjetë kulaç; çdo kulaç do të jetë dy të dhjetat e efës. 6 Do t'i vendosësh në dy radhë, gjashtë në çdo radhë, mbi tryezën prej ari të pastër, përpara Zotit.

Leviticus 24:8

8 Çdo të shtunë ai do t'i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme.

Cross Reference data is from OpenBible.info, retrieved June 28, 2010, and licensed under a Creative Commons Attribution License.