Revelation 16:1-17

Albanian(i) 1 Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: ''Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë''. 2 I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj. 3 Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq. 4 Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak. 5 Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: ''Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra. 6 Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë''. 7 Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: ''Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta''. 8 Dhe engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi dielli; dhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr. 9 Dhe njerëzit u dogjën nga një nxehtësi e madhe dhe ata blasfemuan emrin e Perëndisë që ka pushtet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan që t'i japin lavdi atij. 10 Dhe engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës; dhe mbretëria e tij u mbulua me terr; dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga dhembja, 11 dhe blasfemuan Perëndinë e qiellit për shkak të dhembjeve të tyre dhe ulçerët e tyre, por nuk u penduan për veprat e tyre. 12 Pastaj engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij në lumin e madh Eufrat dhe uji i tij u tha për të bërë gati udhën e mbretërve që vijnë nga lindja e diellit. 13 Dhe pashë të dilte nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë, tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave. 14 Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t'i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm. 15 ''Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij''. 16 Dhe i mblodhën në një vend që hebraisht quhet ''Armagedon''. 17 Pastaj engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në erë; dhe doli një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke thënë: ''U bë''.