Revelation 13:1-10

Albanian(i) 1 Dhe pashë të ngjitej nga deti një bishë, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë krerë, dhe mbi brirë dhjetë kurora dhe mbi krerë emra blasfemie. 2 Dhe bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh. 3 Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua; dhe gjithë dheu u mrekullua pas bishës. 4 Dhe adhuruan dragoin që i dha autoritet bishës dhe adhuruan bishën duke thënë: ''Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?''. 5 Dhe iu dha një gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemi; dhe iu dha pushtet të veprojë për dyzet e dy muaj. 6 Dhe ajo hapi gojën e vet për të blasfemuar kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij, tabernakullin e tij dhe ata që banojnë në qiell. 7 Dhe iu dha t'u bëjë luftë kundër të shenjtorëve dhe t'i mundë; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb. 8 Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës. 9 Kush ka veshë, le të dëgjojë. 10 Kush e çon tjetrin në robëri, në robëri do të bjerë; kush vret me shpatë, duhet edhe ai të vritet me shpatë. Këtu është qëndrueshmëria dhe besimi i shenjtorëve.