Psalms 43:1-119:176

Albanian(i) 1 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig. 2 Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut? 3 Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate. 4 Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im. 5 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im. 44 1 O Perëndi, e kemi dëgjuar me veshët tona, etërit tanë na kanë treguar veprën që ti ke bërë në ditët e tyre në kohërat e lashta. 2 Për t'i vendosur me dorën tënde ti ke shpronësuar kombet, ke çrrënjosur popuj për t'u bërë vend atyre. Në fakt nuk e pushtuan vendin me shpatën e tyre dhe nuk qe krahu i tyre që i shpëtoi, por ishte dora jote e djathtë, krahu yt dhe drita e fytyr 3 ës sate, sepse të pëlqenin. 4 Ti je mbreti im, o Perëndi, që vendos fitoret për Jakobin. 5 Me anën tënde do të përmbysim armiqtë tanë; në emër tënd do të shkelim ata që ngrihen kundër nesh. 6 Sepse nuk kam besim tek harku im dhe nuk do të jetë shpata ime ajo që do të më shpëtojë. 7 Por je ti ai që na shpëton nga armiqtë tanë dhe që i mbulon me turp ata që na urrejnë. 8 Ne do të lëvdojmë çdo ditë Perëndinë dhe do të kremtojmë emrin tënd përjetë. (Sela) 9 Por ti na dëbove dhe na mbulove me turp, dhe nuk del më me ushtritë tona. 10 Ti ke bërë të kthejmë kurrizin përpara armikut, dhe ata që na urrejnë na kanë grabitur. 11 Ti na ke dhënë si dele për therje dhe na ke shpërndarë midis kombeve. 12 Ti e ke shitur popullin tënd për asgjë dhe nuk ke nxjerrë asnjë fitim nga shitja e tij. 13 Ti na bëre për turp me fqinjët tanë, u bëmë gazi dhe tallja e atyre që rrijnë rreth nesh. 14 Ti na ke bërë të jemi gazi i kombëve; përsa na përket neve, popujt tundin kokën. 15 Turpi im më rri gjithmonë përpara, dhe fytyra ime është e mbuluar nga turpi, 16 për shkak të atij që më fyen dhe më poshtëron, për shkak të armikut dhe atij që kërkon hakmarrje. 17 Të tëra këto na kanë rënë mbi kurriz, por ne nuk kemi harruar dhe nuk kemi tradhëtuar besëlidhjen tënde. 18 Zemra jonë nuk është kthyer prapa dhe hapat tona nuk janë larguar nga rruga jote, 19 por ti na ke copëtuar, duke na futur në vende çakejsh dhe duke na mbuluar me hijen e vdekjes. 20 Po të kishim harruar emrin e Perëndisë tonë dhe po t'i kishim shtrirë duart tona drejt një perëndie të huaj, 21 a nuk do ta kishte zbuluar Perëndia këtë gjë? Në fakt ai i njeh sekretet e zemrës. 22 Po, për shkakun tënd ne vritemi çdo ditë dhe konsiderohemi si dele. 23 Zgjohu! Pse fle, o Zot? Çohu, mos na kthe për gjithnjë. 24 Pse e fsheh fytyrën tënde, dhe harron pikëllimin tonë dhe shtypjen tonë? 25 Sepse shpirtërat tona janë ulur deri te pluhuri dhe trupi ynë i është ngjitur tokës. 26 Çohu të na ndihmosh dhe na shpëto për hir të mirësisë sate. 45 1 Më burojnë nga zemra fjalë shumë të ëmbla; unë i këndoj mbretit poemën time. Gjuha ime do të jetë si pena e një shkruesi të shpejtë. 2 Ti je shumë i bukur ndër të gjithë bijtë e njerëzve; buzët e tua janë plot nur, prandaj Perëndia të ka bekuar në përjetësi. 3 Ngjeshe shpatën në brezin tënd, o trim, i rrethuar nga shkëlqimi yt dhe nga madhështia jote, 4 dhe në madhështinë tënde shko përpara mbi qerren fitimtare për çështjen e së vërtetës, të shpirtmadhësisë dhe të drejtësisë, dhe dora jote e djathtë do të të tregojë vepra të tmerrshme. 5 Shigjetat e tua janë të mprehta; popujt do të bien poshtë teje; ato do të hyjnë në zemërën e armiqve të mbretit. 6 Froni yt, o Perëndi, vazhdon në përjetësi; skeptri i mbretërisë sate është një skeptër drejtësie. 7 Ti e do drejtësinë dhe urren mbrapshtinë; prandaj Perëndia, Perëndia yt, të ka vajosur me vaj gëzimi përmbi shokët e tu. 8 Tërë rrobat e tua mbajnë erë mirre, aloe dhe kasie; nga pallatet e fildishta veglat muzikore me tela të gëzojnë. 9 Midis zonjave të nderit që të rrethojnë ka bija mbretërish; në të djathtën tënde është mbretëresha, e zbukuruar me ar Ofiri. 10 Dëgjo, vashë, shiko dhe vër veshin; harro populin tënd dhe shtëpinë e atit tënd, 11 dhe mbreti do të dëshirojë me të madhe bukurinë tënde; bjer përmbys para tij, sepse ai është Zoti yt. 12 Bija e Tiros do të të sjellë disa dhurata dhe të pasurit e popullit do të kërkojnë favoret e tua. 13 Tërë shkëlqim është brenda e bija e mbretit; rrobat e saj janë të qëndisura me ar. 14 Atë do ta çojnë te mbreti me rroba të qëndisura, të shoqëruar nga virgjëresha shoqe të saj, që do të të paraqiten ty. 15 Ato do t'i çojnë me gëzim dhe hare dhe do të hyjnë në pallatin e mbretit. 16 Bijtë e tu do të zënë vendin e etërve të tu; ti do t'i bësh princa për tërë tokën. 17 Unë do të shpall kujtimin e emrit tënd për të gjitha brezat; prandaj popujt do të të kremtojnë në përjetësim, përjetë. 46 1 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi. 2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit, 3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela) 4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti. 5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit. 6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri. 7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela) 8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë. 9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr. 10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë. 11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela) 47 1 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi. 2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun. 3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t'i vërë nën këmbët tona. 4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela) 5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive. 6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde! 7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi. 8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë. 9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe. 48 1 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë. 2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh. 3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme. 4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht, 5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar. 6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes, 7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit. 8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë. 9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde. 10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi. 11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua. 12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij, 13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t'ia tregoni brezave që do të vijnë. 14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje. 49 1 Dëgjoni gjithë popujt, vini veshin, o banorë të botës, 2 qofshin njerëz të popullit dhe fisnikë, të pasur dhe të varfër tok. 3 Nga goja ime do të dalin fjalë diturie dhe kredhja në mendime e zemrës sime do të sjellë mirëkuptim. 4 Unë do ta ndjek një proverb, do ta paraqes enigmën time me harpë. 5 Pse duhet të kem frikë nga ditët e fatkeqësisë, kur më rrethon ligësia e kundërshtarëve të mi, 6 ata që kanë besim në pasuritë e tyre dhe mburren me bollëkun e pasurisë së tyre? 7 Asnjeri nuk mund të shpengojë kurrsesi vëllanë e tij, as t'i japë Perëndisë çmimin e shpengimit të tij, 8 sepse shpengimi i shpirtit të tij është shumë i shtrenjtë, dhe çmimi i saj nuk do të mjaftonte kurrë, 9 për të bërë që ai të jetojë përjetë dhe të mos shohë gropën. 10 Në fakt të gjithë shohin që njerëzit e urtë vdesin dhe që po në atë mënyrë vdesin njerëzit e pamend a mendjeshkurtër, duke ua lënë të tjerëve pasuritë e tyre. 11 Me mendjen e tyre ata pandehin se shtëpitë e tyre do të qëndrojnë për gjithnjë, që banesat e tyre janë të përjetshme; dhe kështu u vënë tokave emrin e tyre. 12 Megjithatë edhe njeriu që jeton në mes të pasurive nuk e ka të gjatë; ai është njëlloj si kafshët që mbarojnë. 13 Kjo është sjellja e njerëzve pa mend dhe e atyre që u shkojnë dhe miratojnë fjalimet e tyre. (Sela) 14 Shtyhen si dele në drejtim të Sheolit; vdekja do t'i përpijë dhe në mëngjes njerëzit e drejtë do të sundojnë mbi ta. Luksi i tyre do të marrë fund në Sheol, larg banesës së tyre. 15 Por Perëndia im do ta shpengojë shpirtin tim nga pushteti i Sheolit, sepse ai do të më pranojë. (Sela) 16 Mos kij frikë kur dikush pasurohet, kur lavdia e shtëpisë së tij rritet, 17 sepse kur do të vdesë, nuk do të marrë asgjë me vete; lavdia e tij nuk do të zbresë pas tij. 18 Edhe në se në jetë e ndjente veten të lumtur (në fakt njerëzia të lavdëron kur pasurohesh), 19 ai do të arrijë brezin e etërve të tij, që nuk do ta shohin kurrë më dritën. 20 Njeriu që jeton në mes të pasurive pa pasur gjykim është njëlloj si kafshët që zhduken. 50 1 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim. 2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen. 3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe. 4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij, 5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit". 6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela) 7 "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt. 8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara. 9 Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua. 10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male. 11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat. 12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat. 13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi? 14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit. 15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh". 16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time, 17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia? 18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën. 19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime. 20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate. 21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu. 22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot. 23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t'i tregoj shpëtimin e Perëndisë". 51 1 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate; për dhembushurinë e madhe që ke fshiji të ligat që kam bërë. 2 Më pastro tërësisht nga paudhësia ime dhe më pastro nga mëkati im, 3 Sepse i pranoj të ligat që kam bërë, dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara. 4 Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje, dhe kam bërë atë që është e keqe për sytë e tu, me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet dhe i ndershëm kur gjykon. 5 Ja, unë jam mbruajtur në paudhësi, dhe nëna ime më ka lindur në mëkat. 6 Por ty të pëlqen e vërteta që qëndron në thelb, dhe më mëson diturinë në sekretin e zemrës. 7 Më pastro me hisop dhe do të jem i pastruar; më laj dhe do të jem më i bardhë se bora. 8 Bëj që të ndjej gëzim dhe ngazëllim; bëj që kockat që ke thyer të kremtojnë edhe ato. 9 Fshih fytyrën tënde nga mëkatet e mia dhe fshi të tëra paudhësitë e mia. 10 O Perëndi, krijo tek unë një zemër të pastër dhe përtëri tek unë një frymë të patundur. 11 Mos më largo nga prania jote dhe mos më hiq Frymën tënde të shenjtë. 12 Kthemë gëzimin e shpëtimit dhe përkahmë me frymë dashamirës. 13 Atëherë do t'u mësoj rrugët e tua shkelësve dhe mëkatarët do të kthehen drejt teje. 14 Çliromë nga gjaku i derdhur, o Perëndi, Perëndi i shpëtimit tim, dhe gjuha ime do të kremtojë tërë gaz drejtësinë tënde. 15 O Zot, hap buzët e mia, dhe goja ime do të shpallë lëvdimin tënd. 16 Ti në fakt nuk ndjen ndonjë kënaqësi në flijim, përndryshe do ta ofroja, nuk të pëlqen as olokausti. 17 Flijimet e Perëndisë janë frymë e thyer; o Perëndi, ti nuk e përçmon zemrën e thyer dhe të penduar. 18 Bëj të mirën Sionit për dashamirësinë tënde, ndërto muret e Jeruzalemit. 19 Atëherë do të gëzohesh në flijimet e drejtësisë, në olokaustet dhe në ofertat që digjen tërësisht; atëherë do të ofrohen dema të rinj mbi altarin tënd. 52 1 Pse mburresh me të keqen, o njeri i fuqishëm? Mirësia e Perëndisë është e përjetshme. 2 Gjuha jote shkakton rrënim; ajo është si një brisk i mprehur, o veprues mashtrimesh. 3 Ty të pëlqen e keqja ndaj së mirës, gënjeshtra më tepër se e folura drejt. (Sela) 4 Ty të pëlqen çdo fjalë shkatërrimi, o gjuhë hileqare. 5 Prandaj Perëndia do të të shkatërrojë për gjithnjë; ai do të të kapë, do të të heqë nga çadra jote dhe do të të shkulë nga toka e të gjallëve. (Sela) 6 Të drejtët do ta shohin, do të kenë frikë dhe do ta përqeshin atë, duke thënë: 7 "Ky është njeriu që nuk e kishte bërë Perëndinë kështjellë të tij; por kishte besim në bollëkun e pasurive të tij dhe bëhej i fortë nga ligësia e tij". 8 Por unë jam si një dru ulliri që gjelbëron në shtëpinë e Perëndisë; kam besim gjithnjë në mirësinë e Perëndisë. 9 Do të të kremtoj gjithnjë për sa ke bërë, dhe në prani të shenjtorëve të tu do të kem shpresë të patundur në emrin tënd, sepse ai është i mirë. 53 1 Njeriu i pamend në zemër të vet ka thënë: "Perëndi nuk ka". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; s'ka njeri që të bëjë të mirën. 2 Perëndia shikon nga qielli bijtë e njerëzve, për të parë në se ndonjë prej tyre ka mend dhe kërkon Perëndinë. 3 Të gjithë janë shmangur, të gjithë janë prishur; nuk ka njeri që të bëjë të mirën, as edhe një. 4 Nuk kanë asnjë dije këta veprues të paudhësisë që gllabërojnë popullin tim sikur të hanin bukë, dhe nuk kërkojnë Perëndinë? 5 Sepse i ka zënë një frikë e madhe, aty kur nuk kishte arsye për frikë, sepse Perëndia i ka shpërndarë eshtrat e atyre që ngrihen kundër teje. Ti e mbulove me turp, sepse Perëndia i ka hedhur poshtë. 6 Kush do të dërgojë nga Sioni shpëtimin e Izraelit? Kur Perëndia do të rivendosë fatin e popullit të tij në robëri, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet. 54 1 O Perëndia im, më shpëto me emrin tënd dhe siguromë drejtësi me fuqinë tënde. 2 O Perëndia im, dëgjo lutjen time dhe vëru veshin fjalëve të gojës sime. 3 Sepse disa të huaj janë ngritur kundër meje dhe njerëz të furishëm kërkojnë jetën time, njerëz që nuk e kanë Perëndinë para syve të tyre. (Sela) 4 Ja, Perëndia është ndihma ime, Zoti e përkrah jetën time. 5 Ai do t'i ndëshkojë armiqtë e mi për të keqen që më kanë bërë; në besnikërinë tënde shkatërroji. 6 Me gjithë zemër do të ofroj flijime; do të kremtoj emrin tënd, o Zot, sepse është i mirë; 7 sepse më ke çliruar nga çdo ankth, sytë e mi kanë parë mbi armiqtë e mi atë që unë dëshiroja. 55 1 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time. 2 Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj, 3 për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës. 4 Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua. 5 Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur. 6 Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje. 7 Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela) 8 Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna". 9 Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet. 10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja. 11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij. 12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t'i isha fshehur atij. 13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë. 14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë. 15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi. 16 Sa për mua, do t'i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë. 17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim. 18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje. 19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t'i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela) 20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij. 21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura. 22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet. 23 Por ti, o Perëndi, do t'i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti. 56 1 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre. 2 Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre. 3 Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti. 4 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu? 5 Ata i shtrëmbërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq. 6 Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hepat e mia, në pritje që të më marrin jatën. 7 Ata mendojnë të shpëtojnë me anë të ligësisë; në zemërimin tënd, o Perëndi, hidhi për tokë popujt. 8 Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd? 9 Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua. 10 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; me ndihmën e Zotit do të kremtoj fjalën e tij. 11 Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu? 12 Kushtet që kam lidhur me ty, o Perëndi, më detyrojnë. Do të të lëvdoj. 13 Sepse ti ke çliruar shpirtin tim nga vdekja dhe ke ruajtur këmbët e mia nga rënia, në mënyrë që unë të eci përpara Perëndisë në dritën e të gjallëve. 57 1 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë. 2 Unë do t'i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua. 3 Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij. 4 Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë. 5 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën. 6 Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela) 7 Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj. 8 Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin. 9 Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve, 10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë. 11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën. 58 1 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve? 2 Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë. 3 Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje. 4 Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet, 5 për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji. 6 O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve. 7 U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë. 8 U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin. 9 Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t'i heqë tutje si një vorbull. 10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit. 11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë". 59 1 Më çliro nga armiqtë e mi, o Perëndia im; më vër në një vend të sigurt aty lart, larg atyre që ngrihen kundër meje. 2 Më çliro nga ata që bëjnë paudhësi dhe më shpëto nga njerëzit gjakatarë. 3 Sepse, ja, ata më ngrejnë prita; njerëz të fuqishëm mblidhen kundër meje pa ekzistuar, o Zot, ndonjë faj apo mëkat nga ana ime. 4 Megjithëse nuk ekziston ndonjë gabim nga ana ime, ata nxitojnë dhe përgatiten; zgjohu që të më vish në ndihmë dhe shiko. 5 Prandaj ti, o Zot, Perëndia i ushtrive, Perëndia i Izraelit, zgjohu, për të ndëshkuar tërë kombet; mos fal asnjë prej atyre që veprojnë në mënyrë të pabesë. (Sela) 6 Ata kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet. 7 Ja, ata nxjerrin fyerje nga goja e tyre; kanë shpata mbi buzët e tyre dhe thonë: "Kush na dëgjon?". 8 Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta; do të tallesh me të gjitha kombet. 9 O forca ime, do të shikoj ty, sepse Perëndia është kështjella ime. 10 Perëndia im i dhembshur do të më dalë përballë; Perëndia im do të më bëjë të shoh atë që dëshiroj mbi armiqtë e mi. 11 Mos i vrit, që populli im të mos harrojë; në sajë të fuqisë sate lëri të enden dhe rrëzoji, o Zot, mburoja jonë. 12 Për mëkatin e gojës së tyre dhe për fjalët e buzëve të tyre i zëntë laku i kryelartësisë së tyre, për shkak të mallkimeve dhe të gënjeshtrave që thonë. 13 Asgjesoji në zemërimin tënd, asgjesoji dhe mos qofshin më; dhe le të dinë që Perëndia mbretëron te Jakobi dhe deri në kufijtë e tokës. (Sela) 14 Në mbrëmje ata kthehen, ulërijnë si qentë dhe sillen nëpër qytet. 15 Enden për të kërkuar ushqim dhe po të jetë se nuk e gjejnë për të ngrënë, e kalojnë natën duke u ankuar. 16 Por unë do të kremtoj fuqinë tënde dhe në mëngjes do të lëvdoj me zë të lartë mirësinë tënde, sepse ti ke qenë për mua një kështjellë dhe një strehë ditën e fatkeqësisë. 17 O forca ime, ty do të këndoj lavdet, sepse ti, o Perëndi, je kështjella ime, Perëndia që ka mëshirë për mua. 60 1 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos. 2 Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet. 3 Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos. 4 Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela) 5 Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen. 6 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit. 7 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im; 8 Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje". 9 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom? 10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona? 11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut. 12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë. 61 1 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time. 2 Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë, 3 sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut. 4 Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela) 5 Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt. 6 Ti do t'i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza. 7 Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë. 8 Kështu do t'i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t'i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë. 62 1 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im. 2 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë. 3 Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet? 4 Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela) 5 Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai. 6 Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë. 7 Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia. 8 Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela) 9 Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t'i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli. 10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën. 11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë; 12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij. 63 1 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë. 2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde. 3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë. 4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia. 5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara. 6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën. 7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu. 8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban. 9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës. 10 Ata do t'i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve. 11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet. 64 1 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut. 2 Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi. 3 Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura 4 për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë. 5 I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: "Kush ka për t'i parë?". 6 Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: "Kemi përgatitur një plan të përsosur". Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme. 7 Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur. 8 Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t'i parë do të tundë kokën. 9 Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë. 10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen. 65 1 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje. 2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë. 3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona. 4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd. 5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta. 6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë. 7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve. 8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi. 9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën. 10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat. 11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave. 12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim. 13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë. 66 1 Lëshoni klithma gëzimi Perëndisë, ju të gjithë banorë të tokës; 2 i këndoni himne lavdisë së emrit të tij; bëjeni zulmëmadh lëvdimin e tij. 3 I thoni Perëndisë: "Sa të tmerrshme janë veprat e tua! Për shkak të madhështisë së fuqisë sate armiqtë e tu do të të nënshtrohen ty. 4 Tërë toka do të të adhurojë dhe do të këndojë për ty, do të këndojë lëvdimet e emrit tënd. (Sela) 5 Ejani dhe admironi atë që Perëndia ka bërë; ai është i tmerrshëm në veprat tij për bijtë e njerëzve. 6 Ai e ndryshoi detin në tokë të thatë; populli i tij e kaloi lumin me këmbë të thata; le të gëzohemi, pra, bashkë me të. 7 Me fuqinë e tij ai mbretëron në përjetësi; sytë e tij këqyrin kombet. Mos lejoni që rebelët të ngrenë krye. (Sela) 8 Ju o popuj, bekoni Perëndinë tonë; dhe shpallni me zë të lartë lëvdimin e tij. 9 Ai na mban gjallë dhe nuk lejon që këmbët tona të pengohen. 10 Sepse ti na ke vënë në provë, o Perëndi, na ke pastruar ashtu si pastrohet argjendi. 11 Na ke bërë të biem në rrjetë, ke vënë një barrë të rëndë mbi kurrizet tona. 12 Ke bërë që njerëzit të ecin me kalë mbi kokën tonë; kemi kaluar nëpër zjarr dhe nëpër ujë, por ti na ke nxjerrë jashtë në një vend të freskët. 13 Unë do të hyj në shtëpinë tënde me olokauste; do të plotësoj zotimet e mia, 14 që buzët e mia kanë formuluar dhe që goja ime ka shqiptuar kur kaloja fatkeqësi. 15 Do të të ofroj olokauste kafshësh të majme, me erën e këndshme të deshve; do të flijoj qe dhe cjep. (Sela) 16 Ejani dhe dëgjoni, ju të gjithë që i trëmbeni Perëndisë, dhe unë do t'ju tregoj atë që ai bëri për shpirtin tim. 17 I thirra atij me gojën time dhe e përlëvdova me gjuhën time. 18 Po të kisha ruajtur të keqen në zemrën time, Zoti nuk do të më kishte dëgjuar. 19 Por Perëndia më dëgjoi dhe i kushtoi kujdes zërit të lutjes sime. 20 Qoftë i bekuar Perëndia, që nuk e hodhi poshtë lutjen time dhe nuk më mohoi mirësinë e tij. 67 1 Perëndia pastë mëshirë për ne dhe na bekoftë; Perëndia e bëftë fytyrën e tij të shkëlqejë mbi ne, (Sela) 2 me qëllim që mbi tokë të njihet rruga jote dhe shpëtimi yt midis gjithë kombeve. 3 Popujt do të të kremtojnë, o Perëndi, të gjithë popujt do të të kremtojnë. 4 Kombet do të gëzohen dhe do të ngazëllojnë, sepse ti do t'i gjykosh drejt popujt dhe do t'i udhëheqësh kombet mbi tokë. (Sela) 5 Le të të lëvdojnë popujt, o Perëndi, le të të lëvdojnë tërë popujt. 6 Toka do të prodhojë frytin e vet; Perëndia, Perëndia ynë, do të na bekojë. 7 Perëndia do të na bekojë dhe tërë skajet e tokës do ta kenë frikë. 68 1 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij. 2 Ti do t'i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë. 3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi. 4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij. 5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave. 6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur. 7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela) 8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit. 9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate. 10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit. 11 Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur: 12 "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën. 13 Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë". 14 Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë. 15 Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit. 16 O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë. 17 Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij. 18 Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje. 19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela) 20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja. 21 Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij. 22 Zoti ka thënë: "Do t'i kthej nga Bashani, do t'i kthej nga humnerat e detit, 23 me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon". 24 Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore. 25 Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve. 26 Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit. 27 Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit. 28 Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne. 29 Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata. 30 Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë. 31 Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t'i shtrijë Perëndisë duart e saj. 32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela) 33 atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm. 34 Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë. 35 O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia! 69 1 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë. 2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete. 3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim. 4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur. 5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur. 6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit. 7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën. 8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime. 9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua. 10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim. 11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje. 12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve. 13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar. 14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella. 15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua. 16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë. 17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh. 18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi. 19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje. 20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë. 21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull. 22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth. 23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht. 24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate. 25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre, 26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur. 27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde. 28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve. 29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë. 30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde. 31 Dhe kjo do t'i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj. 32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj. 33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij. 34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to. 35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t'i zotërojnë. 36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty. 70 1 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh. 2 U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time. 3 Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!". 4 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!". 5 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono. 71 1 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë. 2 Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto. 3 Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime. 4 Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën. 5 Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë. 6 Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im. 7 Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë. 8 Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën. 9 Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet. 10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë, 11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë". 12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh. 13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen. 14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër. 15 Goja ime do të tregojë tërë ditën drejtësinë tënde dhe çlirimet e tua, sepse nuk njoh numrin e tyre. 16 Do të thellohem në veprat e fuqishme të Zotit, të Zotit, dhe do të kujtoj drejtësinë tënde, vetëm tënden. 17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në fëmijëri; dhe deri më sot unë kam shpallur mrekullitë e tua. 18 Edhe tani që jam plakur dhe jam thinjur, o Perëndi, mos më braktis deri sa t'i kem treguar këtij brezi fuqinë tënde dhe mrekullitë e tua gjithë atyre që do të vijnë. 19 Edhe drejtësia jote, o Perëndi, arrin deri në lartësitë e qiejve; ti ke bërë gjëra të mëdha. O Perëndi, kush të përngjan ty? 20 Ti, që më bëre të provoj shumë fatkeqësira, të rënda, do të më japësh përsëri jetën dhe do të më bësh të ngrihem lart nga humnerat e tokës. 21 Ti do të rritesh madhështinë time dhe do të kthehesh të më ngushëllosh. 22 Dhe unë do të lëvdoj me harpe për besnikërinë tënde, o Perëndia im, dhe do të këndoj lavdet e tua me qeste, o i Shenjti i Izraelit. 23 Buzët e mia do të ngazëllojnë kur do të këndoj lavdet e tua bashkë me shpirtin tim, që ti ke shpenguar. 24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde, sepse janë turpëruar dhe janë hutuar ata që kërkonin të më bënin të keqen. 72 1 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit, 2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi. 3 Malet do t'i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë. 4 Ai do t'u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin. 5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat. 6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën. 7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë. 8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës. 9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin. 10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t'i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t'i ofrojnë dhurata. 11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t'i shërbejnë. 12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë. 13 Atij do t'i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve. 14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij. 15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t'i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën. 16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës. 17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur. 18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli. 19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen. 20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait. 73 1 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra. 2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin. 3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij. 4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë. 5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë. 6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe. 7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë. 8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë. 9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën. 10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre, 11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?". 12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre. 13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time. 14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes. 15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu", ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu. 16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m'u duk shumë e vështirë. 17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre. 18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim. 19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri! 20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë. 21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda, 22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë. 23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë. 24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi. 25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje. 26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi. 27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje. 28 Por sa për mua, e mira është t'i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua. 74 1 O Perëndi, pse na ke hedhur poshtë për gjithnjë? Pse vlon zemërimi yt kundër kopesë së kullotës sate? 2 Kujto popullin tënd, që dikur e more, që ti e shpengove që të ishte fisi i trashëgimisë sate, të këtij mali të Sionit, mbi të cilin ke banuar. 3 Drejto hapat e tua në këto rrënoja të pandreqshme; armiku i ka prishur të gjitha në shenjtërore. 4 Armiqtë e tu vrumbullojnë në vendin e kuvendeve të tua; kanë vënë aty shenjat e tyre si flamuj. 5 Dukej sikur godisnin me sëpata në pjesën e dëndur të një pylli. 6 Dhe tani me sqeparë dhe çekane po prishin tërë skulpturat e tij. 7 I kanë vënë zjarrin shenjtërores sate; kanë përdhosur banesën që mban emrin tënd, duke e hedhur poshtë. 8 Kanë thënë në zemër të tyre: "T'i shkatërrojmë të gjithë"; kanë djegur tërë qendrat e kuvendeve të shenjta në vend. 9 Ne nuk i shohim më shenjat tona; nuk ka më profet dhe midis nesh nuk ka asnjë që të dijë deri kur. 10 Deri kur, o Perëndi, kundërshtari do të fyejë? Armiku vallë, do ta përçmojë emrin tënd përjetë? 11 Pse e tërheq dorën tënde, pikërisht të djathtën? Nxirre nga gjiri yt dhe shkatërroji. 12 Por Perëndia është mbreti im qysh prej kohëve të lashta; ai sjell shpëtimin mbi tokë. 13 Me forcën tënde ndave detin dhe shtype kokën e përbindëshve të detit në ujërat. 14 Copëtove kokat e Levitanëve dhe ia dhe për të ngrënë popullit të shkretëtirës. 15 Bëre që të dalin burime dhe përrenj dhe thave lumenj të përhershëm. 16 Jotja është dita, jotja është edhe nata; ti ke vendosur dritën dhe diellin. 17 Ti ke caktuar tërë kufijtë e tokës dhe ke bërë verën dhe dimrin. 18 Mbaje mend këtë, o Zot, që armiku të ka fyer dhe që një popull i pamend ka përbuzur emrin tënd. 19 Mos ia braktis bishave jetën e turtulleshës sate; mos harro përjetë jetën e të përvuajturve të tu. 20 Respekto besëlidhjen, sepse vendet e errëta të tokës janë plot me strofka dhune. 21 Mos lejo që i shtypuri të kthehet i turpëruar; bëj që i përvuajturi dhe nevojtari të lëvdojnë emrin tënd. 22 Çohu o Perëndi, mbro kauzën tënde! Mos harro që i pamendi të fyen tërë ditën. 23 Mos harro britmën e armiqve të tu; zhurma e tyre që ngrihen kundër teje ngjitet vazhdimisht në qiell. 75 1 Ne të lëvdojmë, o Perëndi, ne të lëvdojmë, sepse emri yt na është i afërt; njeriu tregon mrekullitë e tua. 2 Kur do të vijë koha e caktuar, unë do të gjykoj me drejtësi. 3 Toka dhe tërë banorët e saj shkrihen, por unë i bëj të qëndrueshme shtyllat e saj. (Sela) 4 U kam thënë fodullëve: "Mos u mburrni!", dhe të pabesëve: "Mos u bëni hundëpërpjetë! 5 Mos e ngrini lart kokën, mos flisni me qafë të fortë". 6 Sepse lëvdimi nuk vjen as nga lindja, as nga perëndimi, as edhe nga shkretëtira. 7 Sepse Perëndia është ai që gjykon; ai ul njerin dhe ngre tjetrin. 8 Sepse Zoti ka në dorë një kupë vere që shkumon dhe plot me erëza, që ai e zbraz. Me siguri tërë të pabesët e dheut do ta kullojnë dhe do të pinë deri llumin. 9 Por unë do të shpall përjetë dhe do t'i këndoj lavde Perëndisë të Jakobit. 10 Dhe do të dërrmoj tërë fuqinë e të pabesëve, por fuqia e të drejtëve do të përlëvdohet. 76 1 Perëndia njihet mirë në Judë, emri i tij është i madh në Izrael. 2 Tabernakulli i tij është në Salem dhe ai banon në Sion. 3 Këtu ai ka copëtuar shigjetat e zjarrta të harkut, mburojën dhe shpatën e luftës. (Sela) 4 Ti dukesh i lavdishëm dhe i fuqishëm mbi malet e presë. 5 Trimat i kanë zhveshur, i ka zënë gjumi, dhe asnjë prej atyre trimave nuk ka mundur të përdorë duart e tij. 6 Mbas qortimit tënd, o Perëndia i Jakobit, qerret dhe kuajt mbetën të shushatur. 7 Nga ti, pikërisht nga ti, duhet të kenë frikë; dhe kush mund të rezistojë para teje kur zemërohesh? 8 Ti ke bërë që të dëgjohet nga qielli vendimi yt, tokën e zuri frika dhe heshti, 9 kur Perëndia u ngrit për të gjykuar, për të çliruar tërë nevojtarët e tokës. (Sela) 10 Edhe zemërimi i njerëzve do të shndrrohet në lavdi për ty, dhe ti do të rrethohesh me vetë mbeturinat e zemërimi të tyre. 11 Bëjini zotime Zotit, Perëndisë tuaj, dhe plotësojini; tërë ata që rinë rreth tij t'i çojnë dhurata të Tmerrshmit. 12 Ai u heq frymën qeveritarëve, nga ai druhen mbretërit e tokës. 77 1 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar. 2 Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet. 3 Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela) 4 Ti m'i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas. 5 Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara. 6 Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime. 7 A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë? 8 Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme? 9 Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela) 10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar". 11 Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, 12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua. 13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia? 14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve. 15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela) 16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan. 17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan. 18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh. 19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën. 20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit. 78 1 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime. 2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta. 3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar, 4 nuk do t'ua fshehim bijve të tyre, por do t'i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë. 5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t'ua bëjnë të njohura bijve të tyre, 6 me qëllim që brezi i ardhshëm t'i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t'ua tregojnë bijve të tyre, 7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij; 8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë. 9 Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës, 10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij, 11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar. 12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit. 13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull. 14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri. 15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe. 16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj. 17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë, 18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre. 19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë? 20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t'i japë bukë dhe mish popullit të tij? 21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez, 22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij. 23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit, 24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit. 25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin. 26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut, 27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit. 28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre. 29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar. 30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë, 31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit. 32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij. 33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura. 34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell. 35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre. 36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre. 37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij. 38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë, 39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më. 40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi! 41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit. 42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku, 43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit; 44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot. 45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t'i hanin dhe bretkosa që t'i shkatërronin. 46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave. 47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica. 48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve. 49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë. 50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës. 51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit. 52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope. 53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre. 54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar. 55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre. 56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij. 57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon; 58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre. 59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin. 60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve; 61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut. 62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij. 63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme. 64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi. 65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës. 66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm. 67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit, 68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do. 69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë. 70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve, 71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij. 72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij. 79 1 O Perëndi, kombet kanë hyrë në trashëgiminë tënde, kanë përdhosur tempullin tënd të shenjtë, e kanë katandisur Jeruzalemin në një grumbull gërmadhash. 2 Trupat e vdekur të shërbëtorëve të tu ua dhanë për të ngrënë shpendëve të qiellit dhe mishin e shenjtorëve të tu bishave të fushave. 3 Kanë derdhur gjakun e tyre si ujë rreth Jeruzalemit, në mënyrë që asnjeri të mos i varroste. 4 Jemi bërë një turp për fqinjët tanë, tallja dhe gazi i atyre që na rrinë rreth e qark. 5 Deri kur, o Zot? A do të jesh i zemëruar përjetë? A do të flakërojë smira jote si një zjarr? 6 Lësho zemërimin tënd mbi kombet që nuk të njohin dhe mbi mbretëritë që nuk përmendin emrin tënd, 7 sepse kanë gllabëruar Jakobin dhe kanë shkretuar banesën e tij. 8 Mos kujto kundër nesh fajet e të pabesëve tanë; nxito të na dalësh para me dhembshuritë e tua, sepse jemi shumë të vuajtur. 9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit, për lavdinë e emrit tënd, dhe na çliro dhe na fal mëkatet tona për hir të emrit tënd. 10 Sepse kombet do të thonin: "Ku është Perëndia i tyre?". Para syve tona bëju të njohur kombeve hakmarrjen e gjakut të derdhur të shërbëtorëve të tu. 11 Le të arrijë deri tek ti rrënkimi i robërve; sipas fuqisë së krahut tënd, shpëto ata që janë të dënuar me vdekje. 12 Dhe ktheju fqinjëve tonë shtatëfish të zezën që të kanë bërë o Zot. 13 Dhe ne populli yt dhe kopeja e kullotës sate, do të të kremtojmë përjetë dhe do të shpallim lavdinë tënde brez pas brezi. 80 1 Dëgjo, o bari i Izraelit, që udhëheq Jozefin si një kope; ti që rrin mbi Kerubinët, shkëlqe në lavdinë tënde. 2 Rizgjoje fuqinë tënde përpara Efraimit, Beniaminit dhe Manasit, dhe eja të na çlirosh. 3 O Perëndi, na përtëri fuqitë, bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe ne do të shpëtojmë. 4 O Zot, Perëndi i ushtrive, deri kur do të jesh i zemëruar kundër lutjes së popullit tënd? 5 Ti u ke dhënë për të ngrënë bukë të njomur me lot, dhe u ke dhënë për të pirë lot me shumicë. 6 Ti na ke bërë objekt mosmarëveshjeje për fqinjët tanë, dhe armiqtë tanë qeshin njeri me tjetrin. 7 O Perëndi i ushtrive, na përtëri forcat tona; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë përsëri dhe do të shpëtojmë. 8 Ti çove jashtë Egjiptit një hardhi; i dëbove kombet dhe e mbolle. 9 Ti e pastrove dheun para saj dhe ajo lëshoi rrënjë dhe e mbushi dheun. 10 Malet u mbuluan nga hija e saj dhe kedrat e Perëndisë me degët e saj. 11 I zgjati degët e saj deri në det dhe llastarët deri te lumi. 12 Pse i prishe gjerdhet e saj dhe kështu tërë kalimtarët kanë mundësi të korrin frytet e saj? 13 Derri i egër i pyllit e shkreton dhe egërsirat e fushës kullotin aty. 14 O Perëndi i ushtrive, të lutemi kthehu; shiko nga qielli, vështro dhe vizito këtë vresht 15 dhe drurët që mbolli e djathta jote dhe filizin që e ke forcuar për ty. 16 Ajo u dogj nga zjarri dhe është prerë; ata vdesin para kërcënimit të fytyrës sate. 17 Dora jote qoftë mbi njeriun e të djathtë tënde, mbi njeriun që ti e ke bërë të fortë për ty. 18 Kështu ne nuk do të largohemi më prej teje. Na ngjall dhe ne do të kërkojmë emrin tënd. 19 O Zot, Perëndia i ushtrive, na përtëri; bëje fytyrën tënde të shkëlqejë dhe do të shpëtojmë. 81 1 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit. 2 Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën. 3 I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë. 4 Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit. 5 Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja; 6 "O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën. 7 Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t'u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela) 8 Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje! 9 Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj. 10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush. 11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur. 12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre. 13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia! 14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij. 15 Ata që urrejnë Zotin do t'i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë. 16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi". 82 1 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive. 2 Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela) 3 Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit. 4 Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit. 5 Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë. 6 Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit. 7 Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër". 8 Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet. 83 1 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi! 2 Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën. 3 Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron. 4 Ata thonë: "Ejani t'i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më". 5 Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje. 6 Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët, 7 Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros; 8 dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela) 9 Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit, 10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën. 11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna, 12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë". 13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës. 14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet, 15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd. 16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot. 17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin; 18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun. 84 1 Oh, sa të dashura janë banesat e tua, o Zot i ushtrive! 2 Shpirti im dëshiron me zjarr dhe shkrihet për oborret e Zotit; zemra ime dhe mishi im i dërgojnë britma gëzimi Perëndisë të gjallë. 3 Edhe rabecka gjen një shtëpi dhe dallëndyshja një fole, ku të vërë të vegjëlit e saj pranë altarëve të tu, o Zot i ushtrive, Mbreti im dhe Perëndia im. 4 Lum ata që banojnë në shtëpinë tënde dhe të lëvdojnë vazhdimisht. (Sela) 5 Lum ata që e vënë forcën e tyre te ti dhe kanë në zemër rrugët e tua! 6 Kur kalojnë luginën e Bakas, e shndërrojnë atë në një vend burimesh, dhe shiu i parë e mbulon me bekime. 7 Ata kalojnë nga një forcë te tjetra dhe në fund paraqiten para Perëndisë në Sion. 8 O Zot, Perëndi i ushtrive, dëgjo lutjen time; vëri veshin, o Perëndi i Jakobit. (Sela) 9 Shiko, o Perëndi, mburojën tonë, dhe shiko fytyrën e të vajosurit tënd. 10 Po, një ditë në oborret e tua vlen më tepër se një mijë gjetiu; mua më pëlqen më tepër të qëndroj në pragun e shtëpisë së Perëndisë tim, se sa të banoj në çadrat e të pabesëve. 11 Sepse Zoti Perëndi është diell dhe mburojë; Zoti do të japë hir dhe lavdi; ai nuk u refuzon asnjë të mirë atyre që ecin drejt. 12 O Zot i ushtrive, lum njeriu që ka besim te ti! 85 1 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria. 2 Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela) 3 Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë. 4 Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh. 5 A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi? 6 A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti? 7 Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd. 8 Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t'i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend. 9 Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë. 10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën. 11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli. 12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj. 13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij. 86 1 Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar. 2 Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti. 3 Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën. 4 Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim. 5 Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë. 6 Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia. 7 Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh. 8 Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat. 9 Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd. 10 Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia. 11 Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd. 12 Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë. 13 Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli. 14 O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre. 15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë. 16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate. 17 Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar. 87 1 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta. 2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit. 3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela) 4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje". 5 Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm". 6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela) 7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti". 88 1 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje. 2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time, 3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol. 4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë. 5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote. 6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat. 7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela) 8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal. 9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia. 10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela) 11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit? 12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës? 13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes. 14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde? 15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur. 16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar, 17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur. 18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira. 89 1 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t'u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave. 2 Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë". 3 "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë: 4 "Do t'i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela) 5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve. 6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit? 7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë. 8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo. 9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson. 10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu. 11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të. 12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd. 13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell. 14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate. 15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate; 16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde. 17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë. 18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit. 19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli. 20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë. 21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë. 22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë. 23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë. 24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm. 25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë. 26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit". 27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut. 28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme. 29 Do t'i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve. 30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia, 31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia, 32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura, 33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët. 34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t'i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime. 35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin; 36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje, 37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela) 38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd. 39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë. 40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij. 41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij. 42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu. 43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë. 44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij. 45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela) 46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt? 47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve? 48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela) 49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde? 50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve, 51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd. 52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen! 90 1 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi. 2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia. 3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve". 4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë. 5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes. 6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet. 7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt. 8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate. 9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë. 10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t'u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje. 11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje? 12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë. 13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu. 14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona. 15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë. 16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre. 17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona. 91 1 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit. 2 Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj". 3 Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse. 4 Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore. 5 Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën, 6 as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë. 7 Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet. 8 Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve. 9 Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde, 10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t'i afrohet çadrës sate. 11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua. 12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur. 13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën. 14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim. 15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t'i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj. 16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t'i tregoj shpëtimin tim. 92 1 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti; 2 të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde, 3 me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes. 4 Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua. 5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua! 6 Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë: 7 që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t'u shkatërruar përjetë. 8 Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë. 9 Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen. 10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët. 11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje. 12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit. 13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë. 14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë, 15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai. 93 1 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë. 2 Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia. 3 Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë; 4 por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit. 5 Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë. 94 1 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe. 2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve. 3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë? 4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë. 5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde. 6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët, 7 dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton". 8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar? 9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon? 10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t'i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut? 11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi. 12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd, 13 për t'i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t'i hapet gropa të pabesit. 14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij. 15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t'i shkojnë pas. 16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi? 17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes. 18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron", mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur. 19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër. 20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit? 21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm. 22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë. 23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t'i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t'i shkatërrojë. 95 1 Ejani, t'i këndojmë me gëzim Zotit; t'i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë. 2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë. 3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë. 4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve. 5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar. 6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë. 7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij, 8 "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë, 9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia. 10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia. 11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time". 96 1 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës! 2 Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij. 3 Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve. 4 Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera. 5 Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë. 6 Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij. 7 Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë. 8 Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij. 9 Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës. 10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t'i gjykojë popujt me drejtësi". 11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të. 12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit, 13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij. 97 1 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj. 2 Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij. 3 Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark. 4 Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet. 5 Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës. 6 Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij. 7 U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë. 8 Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot. 9 Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera. 10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve. 11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra. 12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë. 98 1 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin. 2 Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve. 3 Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë. 4 Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde. 5 Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës. 6 Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit. 7 Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj. 8 Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit, 9 sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi. 99 1 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet. 2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt. 3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë. 4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi. 5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë. 6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre. 7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre. 8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre. 9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë. 100 1 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës! 2 I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi. 3 Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij. 4 Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij. 5 Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat. 101 1 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot. 2 Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime. 3 Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata. 4 Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t'ia di për të keqen. 5 Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar. 6 Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t'i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im. 7 Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi. 8 Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi. 102 1 O Zot, dëgjo lutjen time dhe britma ime arriftë tek ty. 2 Mos ma fshih fytyrën tënde ditën e fatkeqësisë sime. Zgjate ndaj meje veshin tënd; kur unë të kërkoj, nxito të më përgjigjesh. 3 Sepse ditët e mia davariten si tymi dhe kockat e mia digjen si urë zjarri. 4 Zemra ime është goditur dhe thahet si bari, dhe unë harroj madje të ha ushqim. 5 Duke vajtuar vazhdimisht, lëkura ime po u ngjitet kockave të mia. 6 I ngjaj pelikanit të shketëtirës dhe jam bërë si bufi i vendeve të shkretuara. 7 Jam pa gjumë dhe si harabeli i vetmuar mbi çati. 8 Armiqtë e mi tallen me mua tërë ditën; ata që më përqeshin flasin kundër meje. 9 Sepse e ha hirin si buka dhe përzjej lotët me atë që pi. 10 Po, për shkak të indinjatës sate dhe të zemërimit tënd, më ngrite dhe më hodhe larg. 11 Ditët e mia janë si hija që zgjatet, dhe unë po thahem si bari. 12 Por ti, o Zot, mbetesh përjetë, dhe kujtimi yt zgjat brez pas brezi. 13 Ti do të ngrihesh dhe do të të vijë keq për Sionin, sepse erdhi koha të tregosh dhembshuri ndaj tij; dhe koha e caktuar erdhi. 14 Sepse shërbëtorët e tu i duan edhe gurët e tij dhe u vjen keq për pluhurin e tij. 15 Po, kombet do të kenë frikë nga emri i Zotit dhe gjithë mbretërit e dheut nga lavdia jote, 16 kur Zoti do të rindërtojë Sionin dhe do të duket në lavdinë e tij. 17 Ai do të dëgjojë lutjen e njerëzve të braktisur dhe nuk do ta përbuzë lutjen e tyre. 18 Kjo do të shkruhet për brezin e ardhshmëm, dhe populli që do të krijohet do të lëvdojë Zotin, 19 sepse ai shikon nga lartësia e shenjtërores së tij; nga qielli Zoti këqyr dheun, 20 për të dëgjuar vajtimin e robërve, për të çliruar të dënuarit me vdekje; 21 me qëllim që në Sion të shpallin emrin e Zotit dhe në Jeruzalem lavdinë e tij, 22 kur popujt dhe mbretëritë do të mblidhen bashkë për t'i shërbyer Zotit. 23 Rrugës ai ka pakësuar fuqinë time dhe ka shkurtuar ditët e mia. 24 Kam thënë: "O Perëndia im, mos më merr në mes të ditëve të mia. Vitet e tua zgjasin brez pas brezi. 25 Së lashti ti ke vendosur tokën dhe qiejtë janë vepër e duarve të tua; 26 ata do të zhduken, por ti do të mbetesh; do të konsumohen të gjithë si një rrobe; ti do t'i ndërrosh si një rrobe dhe ata do të ndryshohen. 27 Por ti je gjithnjë po ai dhe vitet e tua nuk do të kenë kurrë fund. 28 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim dhe pasardhësit e tyre do të jenë të qëndrueshëm para teje". 103 1 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë. 2 Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë. 3 Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua, 4 shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri; 5 ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja. 6 Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve. 7 Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij. 8 Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. 9 Ai nuk grindet përjetë dhe nuk e ruan zemërimin gjithnjë. 10 Ai nuk na trajton siç e meritojnë mëkatet tona dhe nuk na dënon në bazë të fajeve tona. 11 Sepse sa të lartë janë qiejtë mbi tokën, aq e madhe është mirësia e tij ndaj atyre që kanë frikë prej tij. 12 Sa larg është lindja nga perëndimi, aq shumë ai ka larguar nga ne fajet tona. 13 Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm Zoti me ata që kanë frikë prej tij. 14 Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur. 15 Ditët e njeriut janë si bari; ai lulëzon si lulja e fushës; 16 në qoftë se era i kalon sipër, ai nuk është më dhe vendi i tij nuk njihet më. 17 Por mirësia e Zotit vazhdon nga përjetësia në përjetësi për ata që kanë frikë prej tij, dhe drejtësia e tij për bijtë e bijve, 18 për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe mbajnë në mendje urdhërimet e tij për t'i zbatuar në praktikë. 19 Zoti e ka vendosur fronin e tij në qiejtë, dhe mbretërimi i tij sundon mbi gjithçka. 20 Bekoni Zotin ju, engjëj të tij të pushtetshëm dhe të fortë, që bëni atë që thotë ai, duke iu bindur zërit të fjalës së tij. 21 Bekoni Zotin, ju, tërë ushtritë e tij, ju, tërë ministrat e tij, që zbatoni vullnetin e tij. 22 Bekoni Zotin, ju, të gjitha veprat e tij, në të tëra vendet e sundimit të tij. Shpirti im, beko Zotin! 104 1 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi. 2 Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër; 3 ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës. 4 I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij. 5 Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë. 6 Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet. 7 Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim. 8 Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to. 9 Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën. 10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve, 11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre. 12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre. 13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua. 14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij, 15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut. 16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë; 17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij. 18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve. 19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij. 20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit. 21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre. 22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre. 23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje. 24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua. 25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta; 26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t'u tallur në të. 27 Të gjithë presin që ti t'u japësh ushqimin në kohën e duhur. 28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira. 29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre. 30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut. 31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij; 32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym. 33 Unë do t'i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t'i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem. 34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti. 35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja. 105 1 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve. 2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij. 3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin. 4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij. 5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij, 6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij. 7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën. 8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij, 9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut, 10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme, 11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj", 12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend, 13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër. 14 Ai nuk lejoi që t'i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre, 15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi". 16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh. 17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav. 18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri. 19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë. 20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin, 21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij, 22 për t'i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t'u mësuar pleqve të tij diturinë. 23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit. 24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij. 25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij. 26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur. 27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit. 28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij. 29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij. 30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre. 31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre. 32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre; 33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre. 34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh, 35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre. 36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre; 37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej. 38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta. 39 Ai shpalosi një re për t'i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t'i ndriçuar natën. 40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit. 41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë. 42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij; 43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi, 44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve, 45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t'u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja. 106 1 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij? 3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë. 4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd, 5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde. 6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija. 7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq. 8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij. 9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë. 10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut. 11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre. 12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij. 13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. 14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. 15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. 16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, 17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. 18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. 19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, 20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar. 21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, 22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. 23 Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte. 24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, 25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. 26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, 27 dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. 28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. 29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. 30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. 31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. 32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, 33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. 34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; 35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; 36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; 37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, 38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. 39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. 40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. 41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. 42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. 43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. 44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, 45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua. 46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. 47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. 48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja. 107 1 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2 Kështu thonë të shpenguarit prej Zotit që ai i ka çliruar nga dora e kundërshtarit, 3 add dhe që ka mbledhur nga vende të ndryshme, nga lindja dhe perëndimi, nga veriu dhe nga jugu. 4 Ata endeshin nëpër shkretëtirë, në vënde të shkretuara, dhe nuk gjenin asnjë qytet ku të banonin. 5 Të uritur e të etur, jeta e tyre po ligështohej. 6 Por në fatkeqësitë e tyre ata i thirrën Zotit dhe ai i çliroi nga ankthet e tyre; 7 dhe i çoi në rrugën e drejtë, me qëllim që të arrinin në një qytet ku të banonin. 8 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve. 9 Sepse ai ka ngopur shpirtin e etur dhe e ka mbushur me të mira shpirtin e uritur. 10 Të tjerë rrinin në terr dhe në hijen e vdekjes, robër të pikëlluar dhe në zinxhira, 11 sepse ishin rebeluar kundër fjalëve të Perëndisë dhe i kishin përçmuar këshillat e Shumë të Lartit; 12 prandaj ai rrëzoi zemrën e tyre me shqetësime; ata ranë poshtë dhe asnjeri nuk u vajti në ndihmë. 13 Por në fatkeqësinë e tyre ata i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre, 14 i nxori nga terri dhe nga hija e vdekjes dhe i këputi lidhjet e tyre. 15 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve, 16 sepse ai ka shembur portat prej bronzi dhe ka këputur shufrat prej hekuri. 17 Disa njerëz pa mend vuanin për sjelljen e tyre rebele dhe për mëkatet e tyre; 18 ata urrenin çdo ushqim dhe kishin arritur në prag të vdekjes, 19 por në fatkeqësinë e tyre i thirrën Zotit, dhe ai i shpëtoi nga ankthet e tyre. 20 Ai dërgoi fjalën e tij dhe i shëroi, i shpëtoi nga gropa. 21 Le ta kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë e tij në dobi të bijve të njerëzve; 22 le të ofrojnë flijime lëvdimi dhe le të tregojnë veprat e tij me këngë gëzimi. 23 Ata që zbresin në det me anije dhe që bëjnë tregëti mbi ujërat e mëdha, 24 shohin veprat e Zotit dhe mrekullitë e tij në humnerat e detit. 25 Sepse ai urdhëron dhe shkakton një erë furtune, që i ngre përpjetë valët e detit. 26 Ata ngjiten deri në qiell dhe bien në humnera; shpirti i tyre ligështohet nga ankthi. 27 Atyre u merren këmbët dhe lëkunden si të dehur, dhe nuk dinë më ç'të bëjnë. 28 Por në fatkeqësitë e tyre i këlthasin Zotit, dhe ai i shpëton nga ankthet e tyre. 29 Ai e fashit furtunën në një murmurim dhe valët e saj pushojnë. 30 Kur ato qetësohen, ata gëzohen, dhe ai i çon në portin e dëshiruar prej tyre. 31 Le të kremtojmë Zotin për mirësinë e tij dhe për mrekullitë që bën në dobi të bijve të njerëzve; 32 le ta lëvdojnë në kuvendin e popullit dhe le ta lavdojnë në këshillin e pleqve. 33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata; 34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj. 35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji. 36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar, 37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme. 38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre. 39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit. 40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë. 41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope. 42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur. 43 Ai që është i urtë le t'i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit. 108 1 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time. 2 Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin. 3 Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve. 4 Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë. 5 Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën, 6 me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu. 7 Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit. 8 Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im; 9 Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi". 10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom? 11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona? 12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë. 13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t'i shtypë armiqtë tanë. 109 1 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht, 2 sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare; 3 më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak. 4 Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes. 5 Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje. 6 Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij. 7 Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat. 8 Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij. 9 Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve. 10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara. 11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij. 12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij. 13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë. 14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë. 15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre. 16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t'u shkaktonte vdekjen. 17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij. 18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij; 19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë. 20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje. 21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde, 22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje. 23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec. 24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit. 25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën. 26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde, 27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë. 28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet. 29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel, 30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe, 31 sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje. 110 1 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua". 2 Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu. 3 Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate. 4 Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut". 5 Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij. 6 Ai do të gjykojë kombet, do t'i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës. 7 Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën. 111 1 Aleluja. Unë do të kremtoj Zotin me gjithë zemër në këshillën e të drejtëve dhe në kuvend. 2 Të mëdha janë veprat e Zotit, të kërkuara nga të gjithë ata që kënaqen me to. 3 Veprat e tij janë madhështore dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë. 4 Ai bën që mrekullitë e tij të kujtohen; Zoti është i dhemshur dhe plot mëshirë. 5 Ai u jep ushqime atyre që kanë frikë prej tij dhe do ta mbajë mend gjithnjë besëlidhjen e tij. 6 Ai i tregoi popullit të tij fuqinë e veprave të tij, duke i dhënë trashëgiminë e kombeve. 7 Veprat e duarve të tij janë e vërteta dhe drejtësia; tërë urdhërimet e tij janë të qëndrueshme, 8 të patundura përjetë, për gjithnjë, të kryera me vërtetësi dhe drejtësi. 9 Ai i dërgoi popullit të tij shpëtimin, ka vendosur besëlidhjen e tij përjetë; i shenjtë dhe i tmerrshëm është emri i tij. 10 Frika e Zotit është zanafilla e diturisë; kanë dituri të madhe ata që zbatojnë në praktikë urdhërimet e tij; lëvdimi i tij vazhdon në përjetësi. 112 1 Aleluja. Lum njeriu që ka frikë nga Zoti dhe gjen një gëzim të madh në urdhërimet e tij. 2 Pasardhësit e tij do të jenë të fuqishëm mbi tokë, brezat e njerëzve të drejtë do të jenë të bekuar. 3 Në shtëpinë e tij ka bollëk dhe pasuri dhe drejtësia e tij vazhdon përjetë. 4 Drita lind në terr për ata që janë të drejtë, për njeriun e dhemshur, të mëshirshëm dhe të drejtë. 5 Do të jetë i lumtur njeriu që ka dhemshuri dhe jep hua, dhe i drejton punët e tij me drejtësi, 6 sepse nuk do të lëvizet kurrë; i drejti do të kujtohet gjithnjë. 7 Ai nuk do t'u trëmbet lajmeve të këqia; zemra e tij është e fortë, me besim tek Zoti. 8 Zemra e tij është e sigurt; ai nuk do të ketë fare frikë, deri sa të mos shikojë triumfues mbi armiqtë e tij. 9 Ai ka shpërndarë lirisht, u ka dhënë nevojtarëve, drejtësia e tij vazhdon përjetë dhe fuqia e tij do të ngrihet në lavdi. 10 I pabesi do ta shohë dhe do të zemërohet, do të kërcëllijë dhëmbët dhe do të konsumohet; dëshira e të pabesëve nuk do të realizohet kurrë. 113 1 Aleluja. Lëvdoni, o shërbëtorë të Zotit, lëvdoni emrin e Zotit. 2 Qoftë i bekuar emri i Zotit tani dhe përjetë. 3 Nga lindja e diellit deri në perëndim të tij u lëvdoftë emri i Zotit. 4 Zoti shkëlqen mbi tërë kombet, lavdia e tij ndodhet përmbi qiejtë. 5 Kush i përngjan Zotit, Perëndisë tonë, që banon në vende shumë të larta, 6 kush ulet për të parë gjërat që ndodhen në qiejtë dhe mbi tokë? 7 Ai e ngre të mjerin nga pluhuri dhe nevojtarin nga plehrat, 8 për ta bërë të ulet me princat, me princat e popullit të tij. 9 Ai bën që gruaja shterpe të banojë në familje, si nënë e lumtur e fëmijëve. Aleluja. 114 1 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj, 2 Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij. 3 Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa. 4 Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja. 5 Ç'pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa? 6 Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja? 7 Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit, 8 që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji. 115 1 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde. 2 Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?". 3 Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë. 4 Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut. 5 kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin, 6 kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin, 7 kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë. 8 Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre. 9 O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre. 10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre. 11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre. 12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit. 13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj. 14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj. 15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën. 16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve. 17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes. 18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja. 116 1 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia. 2 Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime. 3 Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund. 4 Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto". 5 Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm. 6 Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi. 7 Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira. 8 Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi. 9 Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve. 10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar, 11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar". 12 Ç'do t'i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë? 13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit. 14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij. 15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij. 16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia. 17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit. 18 Do t'i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij, 19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja. 117 1 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt! 2 Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja. 118 1 Kremtojeni Zotin sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 2 Po, Izraeli le të thotë tani: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë". 3 Po, tani shtëpia e Aaronit le të thotë: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë". 4 Po, le të thonë tani ata që kanë frikë nga Zoti: "Dhemshuria e tij vazhdon përjetë". 5 Në ankth kërkova Zotin, dhe Zoti m'u përgjigj dhe më çoi larg. 6 Zoti është për mua; unë nuk do të kem fare frikë; çfarë mund të më bëjë njeriu? 7 Zoti është për mua nga ata që më ndihmojnë, dhe unë do t'i shikoj triumfues armiqtë e mi. 8 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'i kesh besim njeriut. 9 Éshtë më mirë të gjesh strehë tek Zoti se sa t'u kesh besim princave. 10 Tërë kombet më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i zhduk ato. 11 Më kishin rrethuar, po, më kishin rrethuar, por në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj. 12 Më kishin rrethuar si bleta, por u shuan si zjarr ferrishtash; në emër të Zotit unë do t'i shkatërroj. 13 Ti më kishe shtyrë me dhunë për të më rrëzuar, por Zoti më ndihmoi. 14 Zoti është forca ime dhe kënga ime, ai ka qenë shpëtimi im. 15 Një britmë gëzimi dhe fitoreje jehon në çadrat e të drejtëve; dora e djathtë e Zotit bën çudi. 16 E djathta e Zotit u ngrit; e djathta e Zotit bën çudi. 17 Unë nuk do të vdes, por do të jetoj dhe do të tregoj veprat e Zotit. 18 Zoti më ka ndëshkuar rëndë, por nuk më ka lënë në dorë të vdekjes. 19 Më hapni portat e drejtësisë; unë do të hyj dhe do të kremtoj Zotin. 20 Kjo është porta e Zotit, të drejtët do të kalojnë nëpër të. 21 Unë do të të kremtoj, sepse më je përgjigjur dhe ke qenë shpëtimi im. 22 Guri, që ndërtuesit kishin hedhur, u bë guri i qoshes. 23 Kjo është vepër e Zotit, dhe është një gjë e mrekullueshme në sytë tona. 24 Kjo është dita që Zoti ka bërë; le të gëzohemi dhe të ngazëllojmë në të. 25 O Zot, na ndihmo tani; o Zot, bëj që tani të kemi mbarësi. 26 I bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit; ne ju bekojmë nga shtëpia e Zotit. 27 Zoti është Perëndia dhe ka bërë që mbi ne të shkëlqejë drita e tij; lidheni viktimën e flijimit në brirët e altarit. 28 Ti je Perëndia im, unë do të të kremtoj; ti je Perëndia im, unë do të të përlëvdoj. 29 Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë. 119 1 Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin me ligjin e Zotit. 2 Lum ata që respektojnë mësimet e tij, që e kërkojnë me gjithë zemër 3 dhe nuk kryejnë të keqen, por ecin në rrugët e tij. 4 Ti na ke urdhëruar të respektojmë urdhërimet e tua me kujdes. 5 Oh, rrugët e mia qofshin të qëndrueshme në respektimin e statuteve të tua. 6 Atëherë nuk do të turpërohem, kur të kem parasysh të gjitha urdhërimet e tua. 7 Do të të kremtoj me zemër të drejtë ndërsa mësoj dekretet e tua të drejta. 8 Do të respektoj statutet e tua, mos më braktis plotësisht. 9 Si mundet një i ri të bëjë rrugën e tij të pastër? Duke e ruajtur me fjalën tënde. 10 Të kam kërkuar me gjithë zemër; mos më lër të devijoj nga urdhërimet e tua. 11 E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. 12 Ti je i bekuar, o Zot, më mëso statutet e tua. 13 Me buzët e mia kam numëruar të gjitha dekretet e gojës sate. 14 Gëzohem duke ndjekur porositë e tua, ashtu sikur të zotëroja tërë pasuritë. 15 Do të mendoj thellë mbi urdhërimet e tua dhe do të marrë në konsideratë shtigjet e tua. 16 Do të kënaqem me statutet e tua dhe nuk do ta harroj fjalën tënde. 17 Bëji të mirë shërbëtorit tënd, dhe unë do të jetoj dhe do të respektoj fjalën tënde. 18 Hapi sytë e mi dhe unë do të sodit mrekullitë e ligjit tënd. 19 Unë jam i huaji mbi dhe; mos m'i fshih urdhërimet e tua. 20 Shpirti im tretet nga dëshira e dekreteve të tua në çdo kohë. 21 Ti i qorton kryelartët, që janë të mallkuar, sepse largohen nga urdhërimet e tua. 22 Hiq prej meje turpin dhe përbuzjen, sepse unë i kam respektuar porositë e tua. 23 Edhe sikur princat të ulen dhe të flasin kundër teje, shërbëtori yt do të mendohet thellë mbi ligjet e tua. 24 Porositë e tua janë gëzimi im dhe këshilltarët e mi. 25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate. 26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua. 27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua. 28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate. 29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd. 30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes. 31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem. 32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën. 33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund. 34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër. 35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time. 36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë. 37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua. 38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty. 39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira. 40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde. 41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate. 42 Kështu do të mund t'i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote. 43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua. 44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë. 45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua. 46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem. 47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua. 48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua. 49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa. 50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë. 51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt. 52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon. 53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd. 54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim. 55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd. 56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua. 57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua. 58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate. 59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua. 60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua. 61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd. 62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta. 63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua. 64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua. 65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate. 66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua. 67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde. 68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua. 69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër. 70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd. 71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua. 72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi. 73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua. 74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde. 75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde. 76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd. 77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime. 78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua. 79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua. 80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem. 81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde. 82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?". 83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua. 84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t'u vish hakut atyre që më ndjekin? 85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd. 86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë. 87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua. 88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate. 89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë. 90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston. 91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd. 92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim. 93 Nuk do t'i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën. 94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua. 95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua. 96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak. 97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën. 98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua. 99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime. 100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua. 101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde. 102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar. 103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time. 104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti. 105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim. 106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta. 107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate. 108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua. 109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd. 110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua. 111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime. 112 Jam zotuar me gjithë zemër për t'i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund. 113 Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd. 114 Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde. 115 Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim. 116 Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time. 117 Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t'i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi. 118 Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër. 119 Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua. 120 Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua. 121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi. 122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin. 123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate. 124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua. 125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua. 126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd. 127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar. 128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës. 129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton. 130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë. 131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua. 132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd. 133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë. 134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua. 135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua. 136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt. 137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta. 138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe. 139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua. 140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do. 141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua. 142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë. 143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im. 144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj. 145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua. 146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua. 147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote. 148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde. 149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë. 150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd. 151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta. 152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë. 153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd. 154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate. 155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua. 156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta. 157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua. 158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde. 159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate. 160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë. 161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote. 162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe. 163 Urrej dhe s'e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd. 164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta. 165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t'i rrëzojë. 166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua. 167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe. 168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje. 169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate. 170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate. 171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua. 172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta. 173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua. 174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im. 175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua. 176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.