Psalms 145:4-12

Albanian(i) 4 Një brez do t'i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t'i njoftojë mrekullitë e tua. 5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme. 6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde. 7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde. 8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. 9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij. 10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë. 11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde, 12 për t'u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.