Psalms 137:1-150:6

Albanian(i) 1 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin; 2 mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona. 3 Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit". 4 Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj? 5 Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi; 6 m'u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh. 7 Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: "Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelet". 8 O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë! 9 Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit! 138 1 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua. 2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër. 3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m'u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim. 4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate, 5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit. 6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg. 7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë. 8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua. 139 1 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh. 2 Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim. 3 Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia. 4 Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht. 5 Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua. 6 Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij. 7 Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate? 8 Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty. 9 Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit, 10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë. 11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë", madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje: 12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty. 13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime. 14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. 15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. 16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende. 17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! 18 Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty. 19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë. 20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd. 21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje? 22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi. 23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. 24 dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme. 140 1 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm, 2 që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë. 3 Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela) 4 Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar. 5 Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela) 6 Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia. 7 O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës. 8 O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela) 9 Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre. 10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen. 11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim". 12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t'i sigurojë drejtësi të varfërit. 13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde. 141 1 O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty. 2 Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes. 3 O Zot, vër një roje para gojës sime. 4 Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme. 5 Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar. Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija. 6 Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t'i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme. 7 Ashtu si ai që lëron dhe çan tokën, kështu kockat tona janë të përhapura në hyrje të Sheolit. 8 Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur. 9 Më ruaj nga laku që më kanë përgatitur dhe nga kurthet e njerëzve që kryejnë paudhësi. 10 Të pabesët rënçin vetë në rrjetat e tyre, ndërsa unë do të kaloj tutje. 142 1 Unë i këlthas me zërin tim Zotit; me zërin tim i lutem Zotit. 2 Para tij paraqes vajtimin tim, para tij parashtroj fatkeqësinë time. 3 Kur fryma po më dobësohej, ti e dije ecjen time. Ata kanë përgatitur një lak për mua te shtegu që po kaloja. 4 Vështroj në të djathtën time dhe ja: nuk ka njeri që të më njohë; çdo rrugë shpëtimi është e mbyllur; asnjeri nuk kujdeset për jetën time. 5 Unë të këlthas ty, o Zot, dhe të them: "Ti je streha ime, pjesa ime në tokën e të gjallëve. 6 Dëgjo me vëmendje klithmën time, sepse jam katandisur si mos më keq; më çliro nga përndjekësit e mi, sepse janë më të fortë se unë. 7 Më nxirr nga burgu që të mund të kremtoj emrin tënd. Të drejtët do të mblidhen tok rreth meje, sepse ti do të më mbushësh me të mira". 143 1 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde. 2 Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje. 3 Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë. 4 Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim. 5 Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua. 6 I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela) 7 Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë. 8 Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje. 9 Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem. 10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë. 11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia. 12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt. 144 1 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë. 2 Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim. 3 O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh? 4 Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon. 5 Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym. 6 Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin. 7 Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve, 8 goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi. 9 O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela. 10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme, 11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi. 12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat. 13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona; 14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona. 15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin. 145 1 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë. 2 Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë. 3 Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme. 4 Një brez do t'i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t'i njoftojë mrekullitë e tua. 5 Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme. 6 Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde. 7 Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde. 8 Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi. 9 Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij. 10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë. 11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde, 12 për t'u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate. 13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi. 14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar. 15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur. 16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë. 17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij. 18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë. 19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton. 20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët. 21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë. 146 1 Aleluja. Shpirti im, lëvdo Zotin. 2 Unë do ta lëvdoj Zotn deri sa të kem jetë, do të këndoj lavde për Perëndinë tim gjatë gjithë jetës sime. 3 Mos kini besim te princat dhe as te ndonjë bir njeriu, që nuk mund të shpëtojë. 4 Kur fryma e tij ikën, ai kthehet përsëri në tokë dhe po atë ditë planet e tij zhduken. 5 Lum ai që ka Perëndinë e Jakobit si ndihmë, shpresa e të cilit është tek Zoti, Perëndia i tij, 6 që ka krijuar qiejtë dhe tokën, detin dhe gjithçka është në to, që ruan besnikërinë përjetë, 7 që u jep të drejtë të shtypurve dhe ushqim të uriturve. Zoti çliron të burgosurit. 8 Zoti u hap sytë të verbërve, Zoti ngre ata që janë rrëzuar, Zoti i do të drejtët. 9 Zoti mbron të huajt, ndihmon jetimin dhe gruan e ve, por përmbys udhën e të pabesëve. 10 Zoti mbretëron përjetë, Perëndia yt, o Sion, brez pas brezi. Aleluja. 147 1 Lëvdoni Zotin, sepse është një gjë e mirë t'i këndosh lavde Perëndisë tonë, sepse është e kënaqshme dhe e leverdishme ta lëvdosh. 2 Zoti ndërton Jeruzalemin, dhe mbledh të humburit e Izraelit. 3 Ai shëron ata që e kanë zemrën të thyer dhe lidh plagët e tyre. 4 Llogarit numrin e yjeve dhe i thërret të gjitha sipas emrit të tyre. 5 I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij. 6 Zoti larton njerëzit e përulur, por ul deri në tokë njerëzit e këqij. 7 Këndojini Zotit me falenderim, këndojini me qeste lavde Perëndisë tonë, 8 që mbulon qiellin me re, përgatit shiun për tokën dhe bën që të rritet bari në malet. 9 Ai i jep ushqime bagëtisë dhe zogjve të korbeve që thërresin. 10 Ai nuk kënaqet në forcën e kalit, dhe nuk gjen ndonjë gëzim në këmbët e njeriut. 11 Zoti kënaqet me ata që kanë frikë prej tij, me ata që shpresojnë në mirësinë e tij. 12 Lëvdo Zotin, o Jeruzalem, kremto Perëndinë tënd, o Sion. 13 Sepse ai ka përforcuar shufrat e portave të tua dhe ka bekuar bijtë e tu në mes teje. 14 Ai e ruan paqen brenda kufijve të tu dhe të ngop me grurin më të mirë. 15 Dërgon mbi tokë urdhërin e tij, fjala e tij merr dheun. 16 Dërgon borën si lesh dhe përhap brymën si hi. 17 Hedh breshërin e tij si me copa; kush mund t'i bëjë ballë të ftohtit të tij? 18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin ato; bën që të fryjë era e tij, dhe ujërat rrjedhin. 19 Ai ia ka bërë të njohur Jakobit fjalën e tij, dhe Izraelit statutet e tij dhe dekretet e tij. 20 Ai nuk e ka bërë këtë me asnjë komb tjetër; dhe ato nuk i njohin dekretet e tij. Aleluja. 148 1 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta. 2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij. 3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme. 4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë. 5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan. 6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë. 7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane, 8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij, 9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra; 10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë; 11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës; 12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë. 13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë. 14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja. 149 1 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve. 2 Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre. 3 Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste, 4 sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur. 5 Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre. 6 Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët; 7 për t'u hakmarrë me kombet dhe për t'u dhënë ndëshkime popujve, 8 për t'i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri, 9 për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja. 150 1 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij. 2 Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij. 3 Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste. 4 Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë. 5 Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese. 6 Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.