Psalms 106:25-48

Albanian(i) 25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. 26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, 27 dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. 28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. 29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. 30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. 31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. 32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, 33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij. 34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti; 35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre; 36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta; 37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre, 38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur. 39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre. 40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij. 41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin. 42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre. 43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre. 44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre, 45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua. 46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri. 47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar. 48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.