Psalms 106:13-33

Albanian(i) 13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij. 14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi. 15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre. 16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit, 17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit. 18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët. 19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë, 20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar. 21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt, 22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq. 23 Prandaj ai foli t'i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t'i shkatërronte. 24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij, 25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit. 26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t'i rrëzonte në shkretëtirë, 27 dhe se do t'i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t'i shpërndante në të gjitha vendet. 28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve. 29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja. 30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi. 31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë. 32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre, 33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.