Numbers 19:2-9

Albanian(i) 2 "Ky është statuti i ligjit që Zoti ka urdhëruar, duke thënë: "U thuaj bijve të Izraelit që të sjellin një mëshqerrë të kuqe, pa të meta dhe mbi të cilën nuk është vënë asnjë zgjedhë. 3 Do t'ia jepni priftit Eleazar, që do ta çojë jashtë kampit dhe do ta therë në praninë tuaj. 4 Prifti Eleazar do të marrë me gisht pak gjak të saj dhe do ta spërkasë shtatë herë përpara çadrës së mbledhjes; 5 pastaj do t'i vihet zjarri mëshqerrës para syve të tij; lëkura e saj, mishi i saj, gjaku i saj dhe ndyrësirat e saj do të digjen. 6 Pastaj prifti do të marrë dru kedri, hisopi dhe copë të kuqërremtë dhe do t'i hedhë në mes të zjarrit që po djeg mëshqerrën. 7 Pastaj prifti do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë dhe do të kthehet në kamp; prifti do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 8 Edhe ai që ka djegur mëshqerrën do të lajë rrobat e tij dhe trupin me ujë, dhe do të jetë i papastër deri në mbrëmje. 9 Një njeri i pastër do të mbledhë hirin e mëshqerrës dhe do ta depozitojë jashtë kampit në një vend të pastër, ku do të ruhet për asamblenë e bijve të Izraelit si një pastrim: shërben për t'u pastruar nga mëkati.