Leviticus 14:14-20

Albanian(i) 14 Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi i riparimit dhe do ta vërë në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë. 15 Pastaj prifti do të marrë pak vaj nga logu dhe do ta derdhë mbi pëllëmbën e dorës së tij të majtë; 16 pastaj prifti do të ngjyejë gishtin e dorës së tij të djathtë në vajin që ka në dorën e majtë dhe me gishtin do të spërkatë shtatë herë pak vaj përpara Zotit. 17 Dhe nga mbetja e vajit që ka në dorë, prifti do të vërë pak në skajin e veshit të djathtë të atij që duhet të pastrohet, mbi gishtin e madh të dorës së tij të djathtë dhe mbi gishtin e madh të këmbës së tij të djathtë, në vendin ku ka vënë gjakun e flijimit të riparimit. 18 Mbetjen e vajit që ka në dorë, prifti do ta vërë mbi kokën e atij që duhet të pastrohet; kështu prifti do të bëjë për të shlyerjen përpara Zotit. 19 Pastaj prifti do të ofrojë flijimin për mëkatin dhe do të bëjë shlyerjen për atë që do të pastrohet nga papastërtia e tij; pas kësaj do të therë olokaustin. 20 Prifti do të ofrojë olokaustin dhe blatimin e ushqimit mbi altar; kështu ai do të ketë mundësi të bëjë për të shlyerjen dhe ai do të jetë i pastër.