Joshua 8:29-35

Albanian(i) 29 Pastaj e vari mbretin e Ait në një dru dhe e la atje deri në mbrëmje; në perëndim të diellit, Jozueu urdhëroi që kufoma e tij të ulej nga druri, të hidhej në hyrje të portës së qytetit dhe mblodhën mbi të një numër të madh gurësh, që shihen edhe sot. 30 Atëherë Jozueu ndërtoi një altar për Zotin, Perëndinë e Izraelit, në malin Ebal, 31 ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, u kishte urdhëruar bijve të Izraelit, siç shkruhet në librin e ligjit të Moisiut, u ngrit një altar gurësh të palatuar mbi të cilët askush nuk kish kaluar, ndonjë vegël të hekurt; pastaj mbi të bënë olokauste për Zotin dhe flijime falënderimi. 32 Aty Jozueu shkroi mbi gurë një kopje të ligjit, që Moisiu pati shkruar në prani të bijve të Izraelit. 33 I tërë Izraeli, si të huajt ashtu edhe ata që kishin lindur izraelitë, pleqtë, oficerët dhe gjykatësit e tij, rrinin më këmbë në të dyja anët e arkës, përballë priftërinjve levitë që mbartnin arkën e besëlidhjes së Zotit, gjysma përballë malit Gerizim dhe gjysma tjetër përballë malit Ebal, ashtu si Moisiu, shërbëtor i Zotit, kishte urdhëruar më parë, për të bekuar popullin e Izraelit. 34 Pas kësaj, Jozueu lexoi tërë fjalët e ligjit, bekimet dhe mallkimet, ashtu si shkruhet në librin e ligjit. 35 Nga të gjitha ato që kishte urdhëruar Moisiu, Jozueu nuk la pa lexuar asnjë fjalë përpara gjithë asamblesë së Izraelit, duke përfshirë gratë, fëmijët dhe të huajt që banonin në mes tyre.