Joshua 10:1-11

Albanian(i) 1 Kur Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, mësoi që Jozueu kishte pushtuar Ain dhe kishte vendosur shfarosjen e tij, dhe kishte bërë në Ai dhe kundër mbretit të tij po atë që kishte bërë në Jeriko kundër 2 u frikësua shumë, sepse Gabaoni ishte një qytet i madh, si një qytet mbretëror dhe ishte më i madh se Ai; tërë banorët e tij ishin trima. 3 Prandaj Adoni-Tsedek, mbret i Jeruzalemit, dërgoi t'u thotë sa vijon Hohamit, mbretit të Hebronit, Pramit, mbretit të Jarmuthit, Jafias, mbretit të Lakishit dhe Debirit, mbretit të Eglonit: 4 "Ngjituni tek unë dhe më ndihmoni të sulmoj Gabaonin, sepse ka bërë paqe me Jozueun dhe me bijtë e Izraelit". 5 Kështu pesë mbretërit e Amorejve, mbreti i Jeruzalemit, mbreti i Herbonit, mbreti i Jarmuthit, mbreti i Lakishit dhe mbreti i Eglonit, u mblodhën, u ngjitën me të gjithë ushtritë e tyre, ngritën kampin e tyre përballë Gabaonit dhe e sulmuan. 6 Atëherë Gabaonitët i çuan fjalë Jozueut, që ndodhej në kampin e Gilgalit: "Mos u moho ndihmën shërbëtorve të tu; nxito të ngjitesh te ne, na shpëto dhe na ndihmo, sepse të gjithë mbretërit e Amorejve që banojnë në krahinën malore janë mbledhur kundër nesh". 7 Kështu Jozueu u ngjit në Gilgal, ai vetë me gjithë luftëtarët, të gjithë luftëtarë trima. 8 Zoti i tha Jozueut: "Mos ki frikë nga ata, sepse i kam lënë në duart e tua; asnjë prej tyre nuk do të jetë në gjendje të të rezistojë". 9 Kështu Jozueu u lëshua mbi ta papritmas, sepse kishte marshuar tërë natën nga Gilgali. 10 Kështu Zoti i theu para Izraelit, u shkaktoi një disfatë të madhe pranë Gabaonit, i ndoqi nëpër rrugën që ngjitet në Beth-Horon dhe i mundi deri në Azekah dhe Makedah. 11 Ndërsa iknin përpara Izraelit dhe ndodheshin në tatëpjetën e Beth-Horonit, Zoti hodhi kundër tyre nga qielli gurë të mëdhenj deri në Azekah, dhe ata vdiqën; ata që vdiqën nga breshëri i gurëve ishin më shumë se ata që bijtë e Izraelit vranë me shpatë.